E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dialogu dhe paqja, mision historik

Shoqëria njerëzore është një bashkësi aspektesh të jetës, faktorësh politikë, socialë, shpirtërorë e moralë, të cilët zhvillohen nëpërmjet një ndërveprimi reciprok, të kushtëzuar dhe të shtrirë në kohë të ndryshme dhe në hapësira të ndryshme. Harmonizimi i këtij kundërveprimi prodhon zhvillim, mirëqenie, paqe dhe begati për të gjithë shoqërinë. Popujt, si prodhues, mbartës dhe trashëgimtarë të këtij procesi përshtasin veçoritë e tyre të zhvillimit duke krijuar qytetërimet.

Në këtë proces sa kompleks aq edhe të veçantë, të dëshiruar dhe të pashmangshëm, çdo popull apo vend kontribuon natyrshëm me tërësinë e vlerave që ai mbart historikisht, me historinë e trashëgimisë së identitetit, me pasurinë e kulturës e të gjuhës dhe me ndjenjën e thellë të respektit, të bashkëjetesës dhe të dialogut. Popujt duhet të ushqehen dhe edukohen me ndjenjën e arsyes e të paqes, me shpresën se dialogu dhe paqja janë të mundshme, me dëshirën dhe vullnetin kundër dhunës e shtypjes, me vendosmërinë për të luftuar kundër varfërisë e përbuzjes racore e fetare. Ky është mision historik. Ai u takon të gjithë atyre që kanë marrë përgjegjësinë të udhëheqim popujt apo vendet e tyre, politikisht, ekonomikisht, shpirtërisht.

Ky është një detyrim historik.

Debati dhe shqetësimi i sotëm mbi përplasjen e qytetërimeve dhe pasojat e tij për shoqërinë njerëzore na nxit të futemi në thelbin e problemit për të dhënë, në pamundësi të një përgjigjeje, një mesazh me zë të lartë. Një mesazh që t‘i shërbejë popujve dhe kombeve të Botës mbarë, besimeve dhe kulturave të tyre, sado të veçanta qofshin ato, por sidomos të rinjve, të cilët, të ndodhur në udhëkryqin dhe epiqendrën e informimit global, kanë nevojë, më shumë se kushdo, të udhëhiqen drejt paqes, shpresës, mirëkuptimit e dialogut.

Qytetërimet, ashtu si edhe shoqëritë, janë të pandara, të pavdekshme, të tjetërsueshme e të trashëgueshme. Asnjë qytetërim nuk ka lindur nga hiçi, ashtu si asnjë qytetërim nuk është zhdukur tërësisht. Kalimi i kohës dhe i viteve, mungesa e dokumentacionit dhe e informacionit, na krijojnë përshtypjen e gabuar se qytetërime të veçanta janë zhdukur pa lënë gjurmë. Të gjithë jemi gati të pranojmë e ngremë lart vlerat e qytetërimeve të kaluara, si dhe të mirat që ato i kanë dhënë zhvillimit njerëzor, pavarësisht sa afër apo larg nesh ato kanë qenë, por kur bëhet fjalë për qytetërimet bashkëkohore, fatkeqësisht të tërheq vëmendjen fakti se si një numër i madh studiuesish e studimesh, institucionesh e politikash fillojnë një debat konfliktual, tendencioz, spekulues për të ndarë shoqërinë tonë në qytetërime të mira e të këqija, në qytetërime të zhvilluara apo të prapambetura, në qytetërime të suksesshme e të dështuara.

E keqja më e madhe e këtyre spekulimeve është tendenca për t‘i kundërvënë qytetërimet me njëri-tjetrin. Abuzimi më fatal i tyre është fakti që shpesh shkakun e konflikteve dhe luftërave ua veshin kulturave dhe qytetërimeve, dallimeve të tyre, formave apo dukurive individuale të zhvillimit të tyre. Përkundrazi, historia na jep shembuj të shumtë që vërtetojnë se luftërat, rajonale apo botërore, kanë qenë me pasoja shkatërruese për qytetërimet. Përvoja fatkeqe e dy konflikteve më të mëdha të shekullit të kaluar, dy Luftërave Botërore, ku si pasojë e ushtrimit të dhunës dhe nxitjes së urrejtjes njerëzore humbën miliona jetë njerëzish, u shkatërruan mijëra vepra e të mira materiale dhe u rrezikuan themelet e parimeve universale të së drejtës për të jetuar i lirë, provon se shkak i këtyre përplasjeve nuk janë asnjëherë qytetërimet e kulturat, veçoritë dhe identitetet kombëtare të popujve e as dallimet fetare apo racore, por interesa të grupeve ose qarqeve të caktuara ekstremiste, politike, ideologjike, ushtarake. Shembuj të tillë negativë, fatkeqësisht shikojmë edhe sot, në fillimet e këtij Mijëvjeçari të Tretë.

Ne jemi një popull ballkaniko-mesdhetar, një komb që ka ndërtuar historinë e vet të lashtë, pranë dhe së bashku me qytetërime, kultura e besime të ndryshme shpesh të kundërvëna, që prej besimeve pagane në atë të krishterë, romak apo bizantin, deri në atë mysliman të Perandorisë Osmane. Ky rrugëtim përvetësimi i besimeve apo të kulturave të ndryshme pasuroi brez pas brezi pas identitetin shqiptar, i cili më së miri është përkufizuar nga rilindësi shqiptar Vaso Pasha në fillimin e shekullit të njëzetë: "Feja e shqiptarit është shqiptaria".

Kombi shqiptar, me tri besime dhe katër komunitete fetare, i jep botës shembullin e rrallë të harmonisë, dialogut, paqes e bashkëjetesës ndërfetare, pikërisht në mes të hapësirës gjeografiko-politike ballkanike, e njohur për grindje, luftëra e urrejtje, deri kohët e fundit. Ky komb, ndonëse me tri besime, premisë ideale për konflikt e përçarje, gjatë historisë së tij nuk ka njohur asnjëherë konflikte fetare. Ne e ofrojmë këtë realitet pozitiv, si shembull për të pasuruar përvojën dhe përpjekjet tona të përbashkëta për tolerancë dhe mirëkuptim, për modesti e mençuri në raportet midis besimeve, element i rëndësishëm i qytetërimit.

Vizioni shqiptar liberal ndaj besimit plotësohet me shpirtin mikpritës e tolerant për të pranuar tjetrin, me identitetin e tij dhe pa paragjykime. Ky shpirt i veçantë i vërtetuar në formën më të shkëlqyer, në shembullin e rrallë në historinë e njerëzimit, në qëndrimin e shqiptarëve ndaj hebrenjve. Është një e vërtetë e njohur, të cilën më duhet ta përsëris këtu, që numri i hebrenjve në Shqipëri, në mbarim të Luftës së Dytë Botërore, ishte rritur ndjeshëm në një kohë që kudo ishte pakësuar. Kjo dëshmi antiholokaustiane dëshmon shkallën unanime të tolerancës, të respektit, të bashkëjetesës, të pranimit të së ndryshmes që populli shqiptar dëshmoi në kohët më të këqija të mizorisë dhe të luftës kundër zhvillimit, qytetërimeve dhe njerëzimit.

I dhashë këto dëshmi historike e aktuale të popullit shqiptar duke shpresuar të nxisim kujtesën tonë historike e vëzhgimin tonë bashkëkohor për të nxjerrë nga kontributi dhe historia e njerëzimit shembuj, të cilët të mund të ndihmojnë jo vetëm njohjen më të mirë të qytetërimeve dhe ndërthurjen e tyre, por sidomos për t‘i ofruar si modele racionale dhe të vërteta historike përballë qëndrimeve skeptike apo pesimiste ndaj bashkëjetesës apo integrimit të kulturave, gjuhëve, besimeve, vlerave, identiteteve e qytetërimeve.

Për ne, shqiptarët, sfida aktuale mbetet integrimi në komunitetin e vlerave evropiane, por duke ruajtur të kaluarën dhe historinë tonë, identitetin e kulturën e vjetër, shpirtin e traditën tonë të dialogut e të tolerancës. Vetëm kështu do të mund të përfitojmë nga vlerat evropiane e, sigurisht që do të mund t‘i pasurojmë ato me vlerat tona.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›