E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Dobesia" si force

Ajo që aktualisht po ndodh me përballjet në lidhje me standardet e Kodit "të ri" Zgjedhor, mund të gjykohet ashtu si çdo ngjarje politike e mprehtë në disa plane. Mund të flitet për raportet mes partive. Për mosmirënjohjen si kategori që po shuhet. Për moralin politik dhe pazarosjen e pafundme të kësaj politike. Për faktin se, qoftë edhe me kaq sa ka ndodhur, dëmi në lidhje me imazhin e zgjedhjeve të pritshme është kryer tashmë. Sigurisht edhe besimi publik ndaj këtij institucioni ka rimarrë një goditje të freskët. Mund të analizohet në kuadër të marrëdhënieve mes politikës sonë dhe asistencës ndërkombëtare, e kështu me radhë. Por ajo që po ndodh mund të gjykohet edhe në një këndvështrim tjetër: të konceptimit krejt të ndryshëm të forcës në demokraci, sigurisht, krahasuar me konceptin e forcës në diktaturë.

Këtu e do kohë më parë, një nga analistët më në zë në Shqipëri thuajse kishte thurur një ditiramb për forcën. Ishte fjala për një skenë parlamentare, kur deputeti Paulin Sterkaj, i revoltuar me të drejtë, la vendin e vet dhe pa iu trembur syri shkoi dhe u sha me Kryeministrin Berisha sy më sy, duke qenë jo më shumë se dy pëllëmbë larg tij. Artikullshkruesi e vlerësonte këtë gjest si mënyrën më efikase për t‘u përballur me autoritaristin Berisha. Mbase edhe nën ndikimin emocional të skenës së lartpërmendur, por sigurisht edhe nën ndikimin e një mentaliteti, i cili përveçse është ballkanik, përveçse është shqiptar - edhe njerëzor përgjithësisht, - është më së shumti i mirëkultivuar nga një diktaturë pesëdhjetëvjeçare, ku "fuqia" imponohej në të gjitha mënyrat. Në të vërtetë, ky është edhe thelbi i vetë diktaturës që ka për mision pikërisht këtë: të diktojë. Bolshevizmi leninist, shkatërrimi përfundimtar i të drejtave të minorancave (shkatërrimi i menshevikëve) dhe më pas diktatura e kulluar e Stalinit, i cili në emër të mbështetjes popullore shkatërroi më shumë jetë njerëzish se sa vetë Lufta e Dytë Botërore, u përcollën në Shqipëri të ashpërsuara nga një varfëri ekstreme dhe nga një mentalitet ballkanik gjithashtu.

Me rënien e diktaturës komuniste, pavarësisht shndërrimeve të paimagjinueshme, nuk është e vështirë se një sërë eksperiencash komuniste, veçanërisht në mentalitet, u përcollën dhe u riaktivizuan sërish, tashmë nën një tis të ri. Një prej këtyre koncepteve është ai i autoritarizmit dhe i "udhëheqësit të fortë", syshqiponjë dhe që nuk jepet përballë armikut. Pikërisht, pasojë e këtyre recidivave është edhe një koncept i tradhtisë që e hasim gjithandej, është një frikë e gjithandejshme ndaj kompromisit politik, i cili nëse realizohet për interesa të gjera publike e kombëtare, është realisht një kapërcim tepër i rëndësishëm konceptual që e dallon thelbin e demokracisë nga diktatura. Jo rastësisht shkalla e pjekurisë së një demokracie, përveç të tjerash, është në raport të drejtë me shkallën e respektimit të minorancave. Ajo që ndodhi në Amerikë me votimin spektakolar të Barak Obamës, është gjykuar, përveç të tjerash, si provë e padiskutueshme e shkallës së lartë të demokracisë në këtë shoqëri ku përfaqësuesi i një minorance përzgjidhet për president.

Në këtë këndvështrim, mospërfillja e opsioneve që ofrojnë dy parti, që nuk janë pjesë e marrëveshjes mes dy partive "të mëdha" lehtësisht mund të konsiderohet edhe si një bisht i konceptit bolshevik, sipas së cilit mazhoranca ka gjithnjë të drejtë dhe minoranca duhet shkelur me këmbë, kuptohet, përmes votës që tashmë nuk është se tingëllon që të jetë aq e lirë sa ka qenë para ndryshimeve kushtetuese të mesnatës së 21 prillit 2008. Situata bëhet edhe më e dhimbshme nëse gjykon se me autoritarizmin e njohur të Berishës, tashmë i është bashkërenditur edhe autoritarizmi "i ri" i Ramës. Nëse dhjetë kolegë të të njëjtit Parlament kanë tetë ditë pa u ushqyer në emër të asaj që ata e gjykojnë si të drejtë, - dhe me ç‘duket jo vetëm ata, - vetëm një mentalitet "force" të verbër mund të të shtyjnë që së paku të mos ulesh me ta dhe të diskutosh, qoftë edhe duke "lëshuar" pe në emër të respektimit të "minorancave".

Në kujtesën tonë të re, kjo situatë të kujton kokëfortësinë e Berishës së Parë në vitin 1996, vit që përgatiti të ziun vit 1997, çmimin e të cilit vazhdojmë ta paguajmë edhe sot e kësaj dite. Në analizë të fundit ç‘kërkojnë grevistët? Ose një komision civil, pra të baraslarguar nga blloqet politikë, ose të gëzojnë të drejtën që të kenë përfaqësuesit e tyre në administrimin e votës. Pra, jo atë që spekulon shumëkush, sikur ata duan t‘i marrin votat në tavolinën e numërimit apo të dialogut (ndaç quajeni Pazar) politik.

Para do ditësh, një miku im më përcolli një video në të cilën Edi Rama i përgjigjet intervistuesit të huaj dhe, të habitur se ai "nuk është politikan i konsensusit, por i zgjedhjes së vet dhe që në emër të kësaj zgjedhjeje është gati të marrë përsipër pasojat e kësaj zgjedhjeje (shih videon në adresën e mëposhtme: http: www.youtube.com/watch?v=oZK46G9ylok). Ja, kështu dolëm sërish te rielaborimi i tezës staliniste, sipas së cilës kompromisi është shfaqje e huaj dhe demonstrimi i forcës që "buron nga vota e populli" është shprehje e së ashtuquajturës demokraci popullore. E, duket se ka një ndryshim të madh mes demokracisë së vërtetë liberale dhe "demokracisë popullore" që buron dhe prodhon diktaturë të kulluar si ajo që edhe pse e kemi lënë pas zyrtarisht, ende e kemi të gjallë në kokat tona.

Ja, pse theksojnë ata që merren me këto punë, forca reale e demokracisë është në të vërtetë "dobësia". Në të vërtetë nuk ka se si të jetë dobësi, por është një "forcë" e relativizuar si pasojë e "shpërndarjes" së pushtetit në mënyrë legale dhe kushtetuese jo vetëm në pushtete të pavarura, por edhe në kompetenca ligjore të zyrave përkatëse, "privatëve" dhe të shoqërisë civile gjithashtu. Nëse e rikthejmë sërish gjithçka në duart e dy "burrave" të fortë, atëherë nuk kemi bërë gjë tjetër veçse kemi riaktivizuar konceptin Stalinist, i cili, i selitur edhe me mentalitetin tonë ballkanik, bëhet lehtësisht i frikshëm, edhe pse mund të gjejë mbështetje të gjerë popullore.

Sepse në të vërtetë në demokraci, paradoksalisht "dobësia" përbën forcën reale, ndërsa "forca" është në thelb veçse vetëdenoncimi i paaftësisë dhe moskuptimit të demokracisë. Dhe me "dobësi" nënkuptohet aftësia për të lëshuar pushtet, për të ndarë përgjegjësi, për ta bashkëjetuar me krizat dhe me protestat, për t‘i respektuar ato, për të qenë së pari transparent në vendimmarrje, bashkëpunues përmes konkurrimit të hapur ku humbësi nuk vdes e shkatërrohet; do të thotë të respektosh minorancat, çfarëdo qofshin ato: racore, kombëtare, të mendimit apo edhe minoranca politike.

E, vetëm kështu "dobësia" kthehet në forcë, në forcën e një demokracie funksionale dhe të gjallë e aktive…

… Ndërsa përfundoja këtë shkrim, televizionet përcollën dy lajme: konferencën e shtypit të zonjës Leskaj, menjëherë pas mbledhjes së grupit parlamentar dhe "haberin", sipas të cilit, Rama dhe ambasadori amerikan na paskeshin biseduar kokë më kokë me njëri-tjetrin, ndërsa promovohej libri i Obamës. Teksa të gjithë ata që kanë një lloj ndjeshmërie në lidhje me krizën që po ndodh, prisnin një reagim të ndjeshëm, zonja Leskaj u përpoq më shumë të mos binte në grackën e "dobësisë". As Berisha dhe as Rama nuk po arrijnë ta kuptojnë se vetëm "dobësia" (domethënë hapja e dialogut me grevistët) do të jetë prova reale e "forcës" së tyre. Por me ç‘duket, këto koncepte janë tejet të largëta për formimin e tyre demokratik. Më mirë një "kokë më kokë" me Uithers se sa një kokë më kokë me grevistët… Imazhi i fuqisë së rreme mbrohet gjithsesi, edhe me marifete të vobekta, të importuara nga një kohë e tejkaluar tashmë nga mendjet e thjeshta të shqiptarëve…



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›