E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndahen çmimet e panairit të librit

Ashtu siç edhe është bërë traditë, dje, në mbrëmje, u shpallën edhe fituesit e edicioni të 11-të të Panairit të Librit. Visar Zhiti është vlerësuar si "Shkrimtari i vitit" prej jurisë së

Shoqatës së Botuesve Shqiptarë. Po kjo juri ka vendosur që Ardian Klosi, të vlerësohet me çmimin e "Përkthyesi i vitit". Ndërkaq, një tjetër juri, e përbërë nga gazetarët e kulturës, ka vendosur t‘i japë çmimin për paraqitjen më të mirë në panair, shtëpisë botuese "Ideart". Shtëpia botuese nga Maqedonia "Logos a", ka marrë çmimin për librin më të realizuar grafikisht me veprën e plotë të Sami Frashërit. Një tjetër çmim që u nda dje në mbrëmje, gjatë panairit të librit, është edhe ai i autorit më të vlerësuar për fëmijë. Këtë vit, juria së bashki me Shoqatën e Shkrimtarëve për Fëmijë, ka vlerësuar me çmimin në fjalë shkrimtarin Shkëlzen Zalli. Mbrëmja e ndarjes së çmimeve gjatë panairit të librit ka si qëllim nxitjen dhe stimulimin në zhvillimin e letërsisë kombëtare, si dhe përkthimet me nivel nga letërsia e huaj. Çmimet "Shkrimtari i vitit" dhe "Përkthyesi i vitit" janë ato që tërheqin më shumë vëmendjen e krijuesve, botuesve, por edhe të vetë lexuesve. Vlerësimet për më të mirët, akordohen në bazë të disa kritereve. Fituesit do të shpërblehen financiarisht nga Shoqata e Botuesve Shqiptarë me një shumë të caktuar nga vetë shoqata.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›