E Diel, 1 Nëntor 2026

"Pluhuri mbi parvaz" çel festivalin e të rinjve në TK

Sot nis zyrtarisht festivali teatror i të rinjve, i cili do të mbahet deri më datën 22 nëntor në Teatrin Kombëtar. "Pluhur mbi parvaz" shfaqja shqiptare, shkruar nga Astrit Cani, e cila ngjitet në skenë nën regjinë e Irvin Muçaj, është e para që do të çeli zyrtarisht këtë festival kushtuar artistëve të rinj. "Pluhuri mbi parvaz" është njëkohësisht edhe projekt i fundit, i cili u ngjit në skenën e Teatrit Kombëtar në serinë prezantuese të shfaqjeve kushtuar festivalin teatror të të rinjve. Regjisori Irvin Muçaj, i cili e ka këtë pjesë projektin e parë teatror, më parë është marrë me regjinë e filmit. Ndryshe nga konkurrentët e tjerë, të cilët kanë zgjedhur të përfaqësohen me vepra të autorëve të huaj, regjisori Muçaj ka zgjedhur të prezantohet para publikut të teatrit me një shqiptare. Ai është i bindur se në të vërtetë, nuk ekzistojnë drama të dobëta, por regjisorë që kërkojnë gjëra të gatshme nga dramaturgë të njohur. E në këtë kuptim, për Irvin Muçaj, "Pluhuri mbi parvaz" zgjedhja e një vepre të tillë, për të është një sfidë, për këtë konkurs që do të vendosi për më të mirin mes regjisorëve të rinj. Drama e shkruar nga Astrit Cani flet për pjesën e brendshme, ndjenjat dhe varësinë prej tyre. Për ta ngjitur në skenë këtë vepër, regjisori Muçaj ka përzgjedhur aktorët Julia Iliriani, Devis Muka, Orion Halili dhe Marsela Lena. Të katër këta aktorë së bashku me stafin realizues, janë angazhuar për të përcjellë në skenë një histori, ngjarjet e së cilës janë ambientuar në një provincë.

Menjëherë pas saj, do të ngjiten në skenën e Teatrit Kombëtar edhe shfaqjet e tjera, të cilat kanë debutuar duke nisur që nga mesi i muajit tetor. Pesë janë regjisorët e rinj, të cilët u shpallën fitues të projektit teatror "Fondi Publik për të Rinjtë 2008". Ndryshe nga viti që shkoi, për shkak të buxhetit më të vogël, akorduar nga Ministria e Kulturës, këtë vit në javën teatrore për të rinjtë do të ketë më pak shfaqje. Mikel Kalemi me "Kthesën" e Tankret Dorst, Irvin Muçaj me "Pluhuri mbi parvaz" i Astrit Canit, Juli Sinani me "Over There" nga Morun Motok, Eglantina Cenoimeri me "Knepp" të Jorge Godenberg dhe Erion Hinaj me "Kamerierin memec" të Harold Pinterit, janë pesë konkurrentët e javës teatrore për të rinjtë. Tendenca drejt veprave të dramaturgëve të mëdhenj, dhe pak dramaturgji kombëtare ka për bazë zgjedhjet personale të artistëve të rinj. Në konkurrimin fillestar, në 12 projekte pjesëmarrëse vetëm dy prej tyre i përkisnin dramës shqipe, edhe pse ajo ishte një prej kërkesave thelbësore para konkurrimit. Të rinjtë kanë vendosur të prezantohen me drama që kanë psikologji, të shkruara prej autorëve të mëdhenj, me qëllim që kjo t‘u garantojë një lloj suksesi. Gjatë javës së festivalit teatror të të rinjve, do të organizohen edhe tryeza diskutimi me gazetarë, regjisorë e anëtarë jurie.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›