E Shtunë, 31 Tetor 2026

At Sebastiani: Jeta ime me Nënë Terezën

"Tridhjetë e një vite njohje me një person. Në një kuptim unë e njoha atë më shumë sesa vetë nënën time, të cilën e desha aq shumë. Me nënën time unë jetova nëntëmbëdhjetë vjet, shumicën e të cilëve e kalova në shkollë. Por me Nënë Terezën unë kalova kohën më të bukur të jetës time, duke punuar me të varfër në pjesë të ndryshme të botës. Ajo thoshte: "E njohim njëri-tjetrin përmendësh". Ky është rrëfimi i at Sebastian Vazhakala, indiani që i ka qëndruar për vite me radhë në krah bamirëses. Ka ndarë me të shumë momente. Atëherë kur gjendeshin në shtete të ndryshme, komunikonin me letra. At Sebastiani ruan deri më tani 85 të tilla. Shumica të shkruara me dorë nga Nënë Tereza. I lexon e rilexon vazhdimisht. at Sebastiani ka mbërritur në Tiranë, në tokën që për vite me radhë u bë pengu i bamirëses shqiptare. I imët, me një buzëqeshje përulësie, pas një hallakatje në rrugët e kryeqytetit për të gjetur Pallatin e Kongreseve, ai mbërrin në Panairin e Librit. Mund të flasë shumë për Nënë Terezën. I ka qëndruar në krahë kur shkonte prekte të varfrit, kur mbante fjalime për falje, apo edhe kur e nderonin me çmime. Kujtimet e tij i ka hedhur në një libër. "Jetë me Nënë Terezën", i botuar në shumë gjuhë të botës, vjen në shqip si botim i entit "Gjergj Fishta". Kujtime të hedhura natyrshëm, fotografi të hershme dhe letra që kanë shkëmbyer me njëri-tjetrin. Mes rreshtash, at Sebastiani përcjell edhe kujtimet e fëmijërisë, që sjell vëllai i bamirëses, Lazri. "Nënë Tereza ishte një vajzë shumë e bukur, e lumtur dhe energjike. Ajo ishte e përkëdhelura e nënës së tyre, këndonte si soliste, ndërsa i ati këndonte në kor".

Kur jeni takuar për herë të parë me Nënë Terezën?

Herën e parë e pashë Nënë Terezën në kolegjin e Sh. Albertit, në Rachi të Indisë, ku unë studioja për filozofi. E kishin ftuar të mbante një fjalim për profesorët dhe studentët. Kur e kam dëgjuar të flasë, kur kam parë mënyrën se si jetonte dhe si i shërbente të varfërve, më ka përkitur shumë. Ishte tërësisht në përputhje me atë që thotë Zoti. Nënë Tereza ishte shumë e sinqertë dhe shumë bindëse në atë që thoshte. I ndihmonte kaq shumë njerëzit e braktisur, të varfër e të paaftë në Indi. Për këtë kam mbetur shumë i prekur. Ndaj dhe vendosa të shkoja në Kalkuta, ku e takova personalisht më 30 nëntor 1966. Që atëherë, jeta ime ka qenë pranë saj. Edhe sot, megjithëse ajo ka vdekur, e ndjej shumë afër prezencën e saj.

Gjatë gjithë këtyre viteve, si e keni njohur ju bamirësen shqiptare?

Ishte një njeri shumë i thjeshtë, shumë e sinqertë dhe kishte një besim të jashtëzakonshëm. Ishte e bindur që çdo gjë që kishte ishte prej Zotit. Shtatëqind herë e kanë lavdëruar, ka marrë çmime të ndryshme, por asnjëherë nuk e ka ndjerë veten të rëndësishme. Për herë të parë e kam njohur kur ishte 56 vjeçe, dhe deri në moshën 86-vjeçare kur ka vdekur, ka mbetur i njëjti njeri. As Çmimi "Nobel" nuk e ndryshoi mentalitetin dhe thjeshtësinë e saj. Ditën pasi i kishin dhënë çmimin, kishte marrë vëllain e vet dhe erdhi të më takonte mua. Më falënderoi për bashkëpunimin. Ishte e bindur se puna që kishte bërë nuk ishte vetëm e saj, por edhe e të gjithë të tjerëve që e ndiqnin pas. Ndërsa në minutë të fundit, falënderimi shkon te Zoti. "Çmimin ‘Nobel‘ e marr në emër të të varfërve dhe për lavdinë e Zotit", ka thënë në ceremoni.

Ajo ka pasur pranë shumë njerëz, por ka qenë shumë larg familjes. Ju tregonte për të?

Ajo fliste për nënën e saj. Për të kishte qenë shembull dhe mësuesja e parë. E ka dashur shumë dhe ka marrë mësime prej saj. Një ditë, motra e saj, Age dhe Nënë Tereza po flisnin kundër dikujt e po e merrnin nëpër gojë. Nëna e saj i ka dëgjuar, ka marrë një shportë të madhe me mollë dhe mes saj futi një tjetër që ishte e kalbur. Pas tri-katër ditësh i ka thërritur të dyja vajzat dhe u ka treguar shportën. Molla që ishte afër asaj të kalburës, kishte filluar gjithashtu të prishej. Pastaj u ka thënë vajzave: "Jeta është si puna e këtyre mollëve. Nëse jeni në kontakt me njerëz që nuk janë të mirë, ka rrezik që edhe ju të bëheni të tilla. E njëjta gjë është edhe nëse ju flisni keq për të tjerët, prishni veten dhe prishni edhe të tjerët që ju rrethojnë".

Për vite me radhë, asaj iu ndalua të hynte në Shqipëri. A e vuante këtë?

Ishte një nga brengat që e mundonte më shumë. Në fillim nuk fliste për Shqipërinë. Edhe ne nuk interesoheshim se nga vinte, pse ishte atje. Vetëm e dëgjonim dhe mundoheshim të kuptonim si arrinte t‘i donte të gjithë. Ajo na jepte përshtypjen se ishte një indiane. Edhe pse ngjyra e saj ishte ndryshe, ajo jetonte një jetë të vërtetë indiane, ndoshta më shumë se ne që ishim indianë.

Një pjesë e librit është me letërkëmbimin tuaj. Sa letra ruani dhe a ju ndodh që t‘u ktheheni sërish?

Në libër është vetëm një pjesë e korrespondencës me Nënë Terezën. Kam rreth 85 të tilla. Megjithëse janë letra të shkruara shumë më përpara, mësimet janë shumë aktuale. Kur kam nevojë të shkruaj letra, apo të mbaj fjalime, i referohem asaj për fraza. Një pjesë të letrave unë i di përmendësh.

Si ishin ditët tuaja të para në Misionin e Dashurisë?

Unë isha akoma një student filozofie në kolegjin e Sh. Albertit dhe gjendesha në Kalkuta, për të kaluar një javë dhe për të parë si jetonin vëllezërit e Bashkësisë së Përvujtur. Unë i shpreha Nënë Terezës dëshirën që të bashkohesha me vëllezërit dhe të vazhdoja studimet e mia për meshtar. Ajo ishte më se e lumtur për këtë. Më shpjegoi mua me fjalë të thjeshta çfarë bënin vëllezërit dhe si ishte mënyra e tyre e jetesës. "Puna që bëjmë është e Zotit. Nuk është punë sociale ose shërbim humanitar. Çfarëdo gjëje që ne ia bëjmë dikujt ia bëjmë Jezuit, dhe ne jemi të thirrur t‘u shërbejmë më të varfërve mes të varfërve. Ne gjithashtu përpiqemi të jetojmë një jetë të thjeshtë dhe të varfër. Shumë nga të mirat që i ke, mund të mos i kesh më, në këtë mënyrë duhet të jesh gati të bësh sakrifica", më tha ajo në hollin e shtëpisë së saj. Më kujtohet kur pasditen e marsit të vitit 1967 morëm pjesë në bekimin e "Dhappa Leprosu Centre". Nënë Tereza ishte atje me disa motra të tjera, vëllezër dhe persona të rëndësishëm të Kalkutës. Pjesa e Ungjillit e zgjedhur për këtë rast ishte Luka 17:11-19, Jezusi shëron dhjetë të gërbulurit. Ishte hera e parë në jetën time që kisha parë lebrozë. Sinqerisht unë u frikësova. Gjatë kthimit në Ranchi, pyesja veten nëse do isha ndonjëherë në gjendje t‘u shërbeja këtyre njerëzve. A do të kem kurajë të përballem me to? Më duhej një përforcim i vendimit të marrë për t‘u larguar nga dioqeza dhe të bashkohesha me Misionarët e Bamirësisë. Kur u ktheva në Ranchi, mbarova provimet e fundit. Pastaj u ktheva aq shpejt sa munda, saktësisht më 7 prill 1967 në Kalkuta për t‘u shërbyer më të varfërve nga të varfrit.

Po sot, sa arrin Misioni juaj të jetë i pranishëm në jetët e njerëzve?

Ne nuk përpiqemi të prekim jetët e të tjerëve. Ne mundohemi të jetojmë me Ungjillin e ta përcjellim atë përmes punës tonë. I takon Zotit të prekë jetët e të tjerëve. Nënë Tereza thoshte shpesh: "Njerëzit mund të jenë të racave të ndryshme, por kanë të njëjtën etje dhe uri për Zotin. Nuk është i rëndësishëm vendi ku kemi lindur, por mënyra se si e jetojmë jetën sot". Gjithmonë e ka vrarë shumë indiferenca që perëndimorët ndjenin ndaj ekzistencës së njerëzve të varfër e të braktisur.

Në shumë gazeta të botës u publikuan disa letra që vinin në dyshim besimin e Nënë Terezës. Çfarë mendoni ju për to?

Nënë Tereza ka pasur thirrje nga Zoti që të ndante varfërinë me të varfrit. Me ta duhet të ndante si varfërinë fizike dhe shpirtërore. Kjo errësirë që ndjente në shpirt për një farë kohe e bëri edhe të vuajë, por i shërbeu Nënë Terezës të kuptonte se ishte pikërisht kjo varfëria shpirtërore e Perëndimit. Në fillim nuk e kuptonte se çfarë ishte kjo errësirë, por më vonë arriti në përfundimin se ajo që ndiente në shpirtin e saj për një farë periudhe duhet të bëhej dritë të ndriçonte errësirën në shpirtin e të tjerëve. Njerëzit që e ndiqnin atë, drejtuesit dhe priftërinjtë e ndihmuan Nënë Terezën që të kuptonte se kjo ishte një sprovë e Zotit që më pas të ndihmonte të kuptonte të tjerët.

Si e përjetuat lajmin e vdekjes së saj?

E kisha njohur prej shumë vitesh, por e dija se një ditë ajo do të vdiste. Nuk e prisja që do të prekesha aq shumë. Isha në Itali kur mora vesh për vdekjen. Shkova në Kalkutë dhe kur e pashë trupin e saj të shtrirë te dhoma ku lutej gjithnjë, fillova të qaja e nuk mundja t‘i mbaja lotët. Në momentin që nuk ndalja dot të qarit, më është dukur sikur ndjeva një zë që vinte pikërisht nga trupi i Nënë Terezës. "Mos qaj, se unë jam në rregull, por shko në të gjithë botën dhe tregoju njerëzve që Zoti ju do ju". Që në atë moment, është e pabesueshme që m‘u shterën dhe lotët. Prezencën e saj e ndjej në çdo vend. Unë e falënderoj Shqipërinë që ka nxjerrë një bijë të tillë. Pa Nënë Terezën, botës do t‘i mungonin gjëra të vogla, por plot dashuri. Edhe Shqipëria duhet t‘i jetë mirënjohëse, sepse ky vend i vogël u bë i njohur në të gjithë botën. Shqiptarët duhet të jenë krenarë dhe të ndjekin shembullin e saj.

Letër e vitit 1937, shkruar nga Drandja (e ëma)

E dashur bija ime

Mos harro që shkove në Indi për t‘u ardhur në ndihmë të varfërve. Të kujtohet Filja? Ishte e mbuluar me plagë, por ajo që e bëri të vuajë më shumë ishte vetëdija, që ishte e vetme në këtë botë. Ne bëmë atë që ishte e mundur për të. Gjëja më e keqe për Filen nuk ishin plagët, por fakti që ajo u harrua nga familjarët e saj.

Për nënën, e cila ndërroi jetë në vitin 1972, në moshën 93-vjeçare

I dashur vëllai im, Sebastian

Po lutem shumë për familjen tënde që nga hera e parë që më fole për të, kur unë erdha në Romë dhe përsëri dje. Sikur të thashë herën e fundit se kam frikë për P.U e vogël, që po lihet si ajo vetëm, tani edhe më pak me kthimin e vëllait X. Të lutem vëlla bëje sakrificën e madhe për dashuri të Jezusit dhe të Misionarëve të Fjalës.

Diçka më ka ndodhur mua. Nëna ime nuk më ka parë mua prej dyzetë e gjashtë vitesh. Disa muaj para se të vdiste, ajo vazhdonte të më thërriste të shkoja ta shihja, sepse e kishte marrë malli shumë për mua, vajzën e saj të vogël. Për faktin se Shqipëria ishte ajo që ishte, asnjë indiani nuk i lejohej të hynte në Shqipëri. Unë shkova aq afër dhe nuk arrita ta takoja, kështu ajo vdiq, duke thënë emrin tim. Ja pse unë e di atë çfarë ndjen. Por Zoja do të jetë forca jote. Unë po i kërkoj që ajo të kujdeset për familjen tënde. Shpresoj që vëlla X të jetë mirë tani që vazhdon noviciatin. Ndihmoje atë me dashurinë dhe zemërgjerësinë tënde që të pranojë çfarëdo që Jezusi i jep atij nëpërmjet duarve të tua. Ti e di dashurinë dhe besimin e Nënës për ty dhe në ty, kështu që le të bëjmë së bashku diçka të bukur për Zotin dhe lavdinë e Tij.

Zoti ju bekoftë

Nëna

Marrë nga letra e datës 14.8.‘79

...Lutja ime, ashtu siç është e vogël, është shumë afër jush. Ndihmojeni njëri-tjetrin të rritet në shenjtëri. Jini një zemër plot me dashuri së bashku me vëlla Sebastianin, i cili edhe nëse bën gabime, ju do të bëni të njëjtin gabim nëse nuk i bindeni atij. Jezusi do ju flasë juve nëpërmjet tij. Duajeni dhe binduni atij dhe jini një zemër për të. Kjo është ajo që Nëna kërkon nga ju. Lutuni për mua.

Zoti ju bekoftë

Nëna

Nju Jork 16. 6. ‘79

...Duhet të keni shumë dashuri për njëri-tjetrin, në mënyrë që të jeni të aftë të falni dhe të keni përvujtërinë të harroni të kaluarën. Sepse e djeshmja ishte gjithçka, e nesërmja nuk ka ardhur ende. Të gjithë kemi vetëm të sotmen për të dashur Jezusin, për të qenë të shenjt...

Lutuni shumë për mua, siç bëj unë për ju

Zoti ju bekoftë

Nënë Tereza, M.D



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›