E Diel, 1 Nëntor 2026

Dialogu do vazhdoje. Tahiri Data pritet nga Cooper

Qeveria e Kosovës është pajtuar që të vazhdojnë dialogun teknik me Beogradin. Zëvendëskryeministrja Edita Tahirin i ka konfirmuar ndërmjetësit të Bashkimit Evropian, Robert Kuper, në një takim të gjatë që ka zhvilluar me të, gatishmërinë e Prishtinës për të vazhduar bisedimet me Beogradin, i cili javë më parë u larguan nga bisedimet për shkak të situatës në veri të Kosovës. Ndërmjetësi i BE-së pas përgjigjes pozitive të delegacionit të Kosovës është larguar nga Prishtina pa u prononcuar për media, ndërsa kryenegociatorja kosovare ka siguruar se me Beogradin nuk do të bisedohet për veriun e as për rregullimin e brendshëm të Kosovës.

“Mund të ju siguroj se edhe ne takimin e mbrëmshëm me kryeministrin Thaçi dhe Cooperi, ne si Qeveri e Kosovës ri afirmuam përkushtimin tonë për dialogun teknike, dhe do të vazhdojmë pra të flasim me Serbinë si shtet fqinje, do të flasim vetëm për çështje praktike dhe ky dialog për neve ka linjat e kuqe, për sovranitetin, integritetin territorial dhe rregullimin brendshëm të Kosovës nuk flasim me Serbin as tani e as asnjëherë”- tha Tahiri.

Delegacioni kosovar ka refuzuar në mënyrë kategorike që të bisedohet për pikat doganore në veri.  Tahiri tha se kërkesa e Serbisë që të bisedohet për pikat doganore në Bërnjak dhe Jarinje është refuzuar edhe nga Brukseli dhe Uashingtoni.

“Kërkesat  e tyre për të venë në dialog, çështjen e  pikave doganore janë refuzuar edhe njëherë nga Cooper siç u refuzuan në Bruksel nga vetë Cooper dhe nga Riker si përfaqësues të Bashkimit Evropian dhe   të Shteteve të  Bashkuara të Amerikës.  Kështu që dialogu do të vazhdoj, për datën nuk u morëm vesh, pasi ka nevojë që ndërmjetësi i BE-së të vazhdoj diplomacinë tij fluturuese në mënyrë që të krijohen kushtet për takimin radhës”- tha Tahiri.

Tahiri tha se ende nuk është caktuar data e takimit të radhës me zyrtarët e Beogradit. Në këtë takim pala kosovare do të kërkojë që të bisedohet fillimisht për zbatimin e marrëveshjeve të arritura në raundet e kaluara të bisedimeve. Tahiri tha se pala kosovare do të kërkojë që deri me 20 nëntor të nisë zbatimi i gjitha marrëveshjeve që janë arritur me Beogradin.

Sala Mustafa

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›