Dialogu është teknik dhe mbetet i tillë

Kryenegociatorja e delegacionit të Kosovës në bisedimet me Serbinë, zv/kryeministrja Edita Tahiri ka thënë dialogu i nisur ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, është teknik dhe i tillë do të mbetet deri në fund.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Tahiri ka potencuar se një prej parakushteve për t’u bërë anëtar i BE-së është fqinjësia e mirë me shtetet fqinje, si dhe kontributi për stabilitetin dhe paqen në rajon.
“Këto janë parakushte dhe edhe ne, si shtet i ri, i dimë këto dhe jam e bindur që edhe Serbia i di këto”, ka thënë Tahiri.
Sipas saj, në takimin e ardhshëm, që do të mbahet javën e ardhshme, do të bisedohet për lëvizjen e lirë të qytetarëve, por edhe të automjeteve.
“Do të shtrojmë çështjen e njohjes së dokumenteve të udhëtimit, pasaportave të Kosovës, targave të automjeteve, diplomave shkollore, si dhe do të vazhdojmë me temat e hapura nga takimet e mëparshme, siç janë çështja e telekomunikacionit dhe energjisë. Pastaj, do të shtrojmë përsëri çështjen e vulave të doganave për kufirin midis Kosovës e Serbisë, ku ne kërkojmë që Serbia tashmë t’i njohë vulat e Kosovës, si dhe të fillojë një simetri në marrëdhëniet tregtare”, ka thënë kryenegociatorja e Kosovës.
Tahiri ka përsëritur se ky është dialog me karakter teknik dhe në të nuk do të hapen temat politike.