E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mungesa e kontratave dëmton buxhetin

Nga Express më 09 prill 2011 në ora 19:33

Drejtues të Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, kanë thënë se pas ngritjes së pagave në sektorin publik, duhet të ketë ngritje të pagave edhe në sektorin privat, ku sipas tyre paga minimale duhet të jetë 250 euro, ndërkohë që kanë shprehur shqetësimin lidhur me mos implementimin e ligjit të punës.

Ata në një konferencë për media të shtunën kanë bërë të ditur se që nga hyrja në fuqi e ligjit të punës janë duke inspektuar çdo ditë në terren dhe gjatë punës së tyre kanë pasur edhe kërcënime nga disa kompani të mëdha private, emrat e të cilave do të publikohen në ditët në vijim.

Sipas Jusuf Azemit, kryetar i SPEVZ, në Kosovë mbi 70 për qind e punëtorëve nuk kanë kontrata pune dhe mos lajmërimi i punëtorëve sipas tij po i kushton buxhetit të Kosovës 15 milionë euro në vit.

“Kur flasim për kontratat e punës në vizitat të cilat në i kemi bërë dhe po i bëjmë është një gjendje katastrofale, sepse mbi 70 për qind e punëtorëve të sektorit privat nuk kanë kontrata të punës, aq më keq kemi punëtorë që nuk e dinë se çka është kontrata e punës. Në format më të vrazhda bëhet diskriminimi i punëtorëve. Ne kemi bërë një llogari shumë të thjeshtë se në sektorin privat nëse ekzistojnë paksa mbi 200 punëtorë në këtë sektor, atëherë çka mund të themi dhe me çka mund të lavdërohemi, sepse vetëm 50 deri 60 mijë punëtorë janë të siguruar dhe janë ata të cilët paguajnë kontribute, kurse mbi 150 mijë punëtorë vërtet sot pranohen e nesër mund të largohen për në shtëpitë e tyre”, ka thënë ai.

Për më tepër, kreu i SPEVZ-së, ka theksuar se mos lajmërimi i punëtorëve nga ndërmarrjet private po i kushton shumë buxhetit të Kosovës.

“E kemi bërë një llogari shumë të vogël se brenda vitit mos lajmërimi i punëtorëve buxhetit të Kosovës i kushton më shumë se 15 milionë euro kontribute dhe tatime të tjera të cilat punëdhënësit nuk i lajmërojnë punëtorët. Mos lajmërimi i punëtorëve, neve shpeshherë na shkon në mendje se ndoshta dikush qëndron prapa këtyre njerëzve, sepse të shkosh në një firmë ku ka mbi 1 mijë punëtorë të punësuar dhe aty nuk mund t’i gjesh më shumë se 100 kontrata të punës. Kjo është vërtet për të bërë një analizë të thellë se nga e kanë guximin këta njerëz që në një numër kaq të madh punëtorësh t’i kenë të siguruar vetëm 10 për qind kjo vërtet është diçka për t’u shqetësuar”, ka thënë Azemi.

Sipas tij, sektori ku janë evidentuar më së shumti shkelje të drejtave të punëtorëve është ai i ndërtimtarisë, andaj paralajmëron se sindikata do të marrë masa shtesë, në mënyrë që të respektohet ligji i punës. (KosovaPress)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›