E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thaçi uron për Ditën e Kushtetutës

Nga Express më 09 prill 2011 në ora 18:17

Kryeministri Hashim Thaçi, nëpërmes një mesazhi me rastin e trevjetorit të miratimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, ka theksuar se 9 Prilli është ndër datat më të rëndësishme të kalendarit zyrtar të festave të Republikës së Kosovës.

"Këtë ditë, të gjithë qytetarët e Kosovës e presin dhe festojnë me krenari legjitime, sepse ky dokument i lartë juridik është kurorëzim i përpjekjeve shekullore të Kosovës për t’u bërë entitet i barabartë me kombet e lira dhe sovrane", ka thënë Thaçi.

"Dita e Kushtetutës është ngjarje e rëndësishme politike, sepse Kosova për herë të parë sanksionoi vullnetin demokratik të qytetarëve të saj duke shprehur të drejta dhe obligimet e individit dhe të shoqërisë me frymëm më të lartë demokratike".

Kryeministri Thaçi ka theksuar se Kushtetuta e Kosovës shpreh më së miri qenësinë e qytetarëve të Kosovës si qytetarë të lirë dhe të Kosovës si shtet i pavarur dhe të gjithë jemi krenar me faktin që ajo është ndër dokumentet më të përparuara dhe më moderne në rajon dhe më gjerë.

"Trevjetori i Kushtetutës, ashtu si trevjetori i Pavarësisë, janë data të thellimit të lirisë, të zgjerimit të demokracisë, të rritjes së tolerancës, emancipimit dhe zhvillimit të përgjithshëm të shoqërisë sonë".

Sipas Thaçit, qytetarët e Kosovës e presin trevjetorin e Ditës së Kushtetutës me perspektivë të qartë euroatlantike, me vazhdimin e njohjeve të pavarësisë së shtetit tonë dhe krijimin e kushteve për ngritjen e mirëqenies për të gjithë qytetarët e vendit.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›