E Shtunë, 31 Tetor 2026

KFOR-i zotohet për relaksimin e kufirit

Nga Express më 09 prill 2011 në ora 22:12

Problemi i vijës kufitare në Karaçevë dhe mundësia e hapjes së vendkalimit kufitar në mes të Kosovës dhe Serbisë në Kapi të Sfircës në Tygjec, kanë qenë zotimet e zëvendëskomandantit të KFOR-it, gjenerali Marco Serronha, dhe kryetarit të Kamenicës, Shaip Surdulli, gjatë takimit të tyre në Kamenicë.

Gjenerali Serrohna ka takuar banorë të fshatit Karaçevë dhe nga ata është njoftuar me problemin e vijës kufitare në këtë zonë. Edhe pse KFOR-i në Kosovë ka filluar me reduktimin e trupave, gjenerali Serronha ka thënë se do të vazhdojnë me punën, në mënyrë që siguria dhe lëvizja e lirë e të gjithë qytetarëve në Kosovë të jetë në nivelin më të lartë dhe pa asnjë ekses.

“Ne do të punojmë në drejtim të qartësimit të vijave kufitare edhe në pjesën për të cilën drejtpërsëdrejti dëgjuam nga banorët e Karaçevës”, është shprehur ai. Ushtaraku i lartë i KFOR-it, pas takimit me karaçevasit, është zotuar se do të angazhohet për problemin e vijës kufitare, por edhe për mundësitë e hapjes së vendkalimit kufitar në Kapi, në mes të Kamenicës dhe Banjës së Siarinës (Medvegjës), në zonën kufitare në Sfircë të Tygjecit.

Ai ka lavdëruar komunën e Kamenicës dhe banorët e saj për bashkëjetesë e mirëkuptim. “Kam fjalë shumë të mira për Kamenicën si shembull për komunat e tjera - si për lëvizje të lirë të qytetarëve, bashkëjetesë dhe bashkëpunim të ndërsjellë, prandaj pranoni mirënjohjen time për këtë sukses”, u ka thënë gjenerali strukturave komunale.

Ndërkaq, Surdulli i ka shprehur falënderimin gjeneralit Serronha për angazhimin e tij në zgjidhjen e problemeve të kufirit. Surdulli e ka njoftuar ushtarakun e KFOR-it se as para luftës në Kosovë, as më herët, nga qytetarët e Karaçevës nuk mbahet mend të ketë ekzistuar këtu ndonjë vijë kufitare, por e gjitha kjo ndodhi pas përfundimit të luftës.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›