E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dialogu, BE cakton 14 tetorin, Kosova vendos sot

PRISHTINE- Ndërmjetës i BE-së për dialogun teknik në mes të Kosovës dhe Serbisë, Robert Cooper, do të qëndrojë sot në Prishtinë , pas vizitës në Beograd, në kuadër të përpjekjeve për vazhimin e dialogut teknik, të ndërprerë dy herë që nga fillimi në 8 marsin e këtij viti. Ndërmjetësi i BE-së ka propozuar 14 tetorin si datë për rifillimin e dialogut, por Beogradi dhe Prishtina vazhdojnë të mbajnë qëndrime të ndryshme, rreth temës së bisedimeve.

Ndërprerja e parë e dialogut ishte gjatë verës, kur raundi i gjashtë i parashikuar të mbahej më 20 dhe 21 korrik u shty me fajin e palës serbe, e cila refuzoi njohjen e vulave të Doganave të Kosovës.

Vjeshta solli edhe ndërprerjen e dytë, pasi takimi i raundit të shtatë të bisedimeve, i parashikuar për 27 e 28 shtator, nuk u mbajt edhe pse të dy delegacionet, ai i Prishtinës dhe i Beogradit, ishin në Bruksel. Delegacionet zhvilluan bisedime të ndara me ndërmjetësit.

Kryenegociatorja kosovare Edi Tahiri ka deklaruar se Kosova do të marrë nesër vendimin e saj pas takimit që do të zhvillojë me ndërmjetësin e BE-së, Robert Kuper, dhe pasi të sigurohet se në negociata nuk do të diskutohet për çështje politike por vetëm për probleme të natyrës teknike . "Qëndrimi i qeverisë së Republikës së Kosovës është i prerë, për këtë çështje të gjitha institucionet janë në një linjë, ne kemi platformën e qartë për këtë dialog me vijat e kuqe, që nënkupton që për çështjet e rregullimit të brendshëm të Kosovës, për sovrantitet dhe ingtegritet territorial të shtetit tonë nuk bisedojmë asnjëherë me Serbinë", theksoi Tahiri. Sipas saj, tendencat e Serbisë në fakt janë që të shkelet mandati i Rezolutës së OKB-së për një dialog teknik.

Nderkaq gjatë vizitës së Cooper në Beograd, të premtën e kësaj jave, përfaqësuesit e qeverisë së Serbisë insistuan që para se të bisedohet për çështjet teknike ne raundin e shtatë të bisedohet për veriun dhe dy pikat doganore te Jarinjes dhe Bernjakut

Bisedimet teknike Kosovë-Serbi në Bruksel zhvillohen pasi u kërkuan në një Rezolutë të 9 shtatorit 2010 të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, e cila pasonte dhe njihte opinionin e 22 korrikut të të nëjtit vit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për legjitimitetin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008.

Në veri të Kosovës, serbët vazhdojnë të mbajnë barrikadat, në shenjë kundërshtimi të pranisë së policisë doganorë shqiptarë në dy pikat kufitare Jarinjë e Bërnjakë.
(s.g/balkanweb)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›