E Diel, 1 Nëntor 2026

Diana Çuli - Kur u bëra nënë për herë të parë

 ani jaupaj“…Ishte si të notoje mes një uji të freskët e të kaltër, me diell të ngrohtë përsipër…”. Me gjasë, askush nuk mundet ta rrëfejë dashurinë, e çfarëdolloj qoftë ajo, ashtu siç e ndjen. Ato shpërthimet e pickimet e forta, mbase nuk kanë asfare fjalë për t’u rrëfyer. Veçse, përshkrimet përpiqen të jenë të gjithëfarësojshme, me det, ajër, yje... Se cilës prej këtyre i rri më mirë ndjesia e mbajtjes në krahë të fëmijës, jo të gjithë e dinë, ama kuptojnë fare mirë, prekjen e ujit të detit, që të mpreh shqisat…Diana çuli, duhet ta ketë këtë marrëdhënie të mirë me detin, diellin, për ta përmendur si gjendje, herën e parë që ka mbajtur në krahë të bijën, Lean. Ajo krijesë e vogël që të gjithë e kishin parafytyruar djalë, i ndryshoi botën, i ndryshoi veten. Fytyra e bebes më të bukur në botë, që nuk do t’i harrohet kurrë, e quajti nënë, siç për së dyti, do ta gjente i biri…A ekzistonte parafytyrimi i shndërrimit në nënë përpara lajmit të shtatzënisë? Si e keni paraparë veten?  Unë besoj se çdo vajzë e mendon dhe e dëshiron mëmësinë. Ky mendim dhe kjo dëshirë fillon shumë herët, që kur luan me kukulla dhe i këndon kukullës sikur je mamaja e saj. Dhe ke bindjen e patundur se një ditë do të jesh mama e vërtetë. është një mendim i natyrshëm, ndoshta më i natyrshmi në botë. Nuk është aq shumë racional, sa emotiv dhe instinktiv. Ka lidhje me qenien femërore, me plotërinë e trupit, me vazhdimësinë. është dhe fortësisht një ndjesi fizike. Ka lidhje me shpirtin dhe trashëgimin e tij – një ndjesi jo fetare kjo -, pra është edhe një përmasë shpirtërore. është vetë dashuria, mbi të gjitha. Nuk besoj se ekziston mes njerëzve dashuri më e madhe se ajo e nënës për birin apo bijën e vet. Ky duhet të ketë qenë përfytyrimi im vite më parë, sepse të gjitha këto reflektime ne i bëjmë më vonë, kur sofistikohemi. -Shtatzënia ishte vendim apo rastësi?Në periudhën e brezit tim, në vitet nuk ekzistonte kontrolli i lindjeve. Nuk gjendeshin mjetet kontraceptive dhe përgjithësisht pas martesës pritej si rregull edhe fëmija. Kjo situatë kishte anë të mira, po edhe problematike, përsa i përket karrierës, mjeteve për ta rritur sa më mirë fëmijën etj. Por, sidoqoftë, pa u menduar shumë, edhe unë iu nënshtrova këtyre rregullave. Sot jam mjaft e lumtur që i pata herët fëmijët e mi dhe nuk e vrava tepër mendjen në kisha kohë apo mundësi. Sepse, megjithë vështirësitë, tani ata janë miqtë e mi më të mirë.  -Kishit preferenca për gjininë e fëmijës së parë? Rrethi familjar nga të gjitha palët dëshironte djalë, sipas traditës. Unë dëshiroja një fëmijë të shëndetshëm dhe ashtu ishte. Vajza ime qe një mrekulli e bukur dhe e fortë, që nuk u sëmur kurrë dhe që më ndryshoi dhe më gëzoi jetën. I dyti ishte djalë dhe unë u lumturova sepse i kisha tashmë të dy gjinitë, por jo për ndonjë arsye tjetër. Tani këto mentalitete sikur po ndryshojnë dhe kjo është pozitive. - Si ishin 9 muajt e pritjes: frikë, ankth, pasiguri, padurim... çfarë ishte?Herën e parë për çdo nënë të ardhshme ka ankthe dhe pasiguri. I kam harruar tani, por ndoshta edhe pse nuk kam pasur probleme. Kam vazhduar të punoj deri ditën e fundit dhe kalova një shtatzëni pa asnjë shqetësim fizik. Mendoj se ka shumë rëndësi si e përjeton gruaja këtë periudhë. Ajo duhet të jetë psikologjikisht shumë e orientuar drejt çastit të ardhjes në jetë të fëmijës, si një çast tepër i lumtur. Jo me frikë dhe me teka të tepruara. Duhet jetuar normal, me disa përkujdesje që t’i këshillon mjeku. Ndryshe, ankthin dhe frikën ja transmeton fëmijës.   -Cila ishte shija e kontaktit të parë fizik me fëmijën?Kontakti i parë ndodh mes dhimbjesh, të qarash, klithjesh, por nuk ka gjë më të bukur dhe më të paharruar në botë. Ajo ishte e kuqërreme, me një fije të verdhë, gati të bardhë flokësh në kokë dhe sokëllinte me sa i hante fyti. Kjo më la të kuptoja, në ato sekonda turbullire, se kishte lindur mirë, meqë po ulërinte në atë farë feje. Mjekët dhe mamitë qeshën të gëzuara, e morën tutje për ta larë e për ta mbështjellë dhe unë rashë në një qetësi të jashtëzakonshme, sikur të mos kisha kaluar një natë të tërë mes një ferri dhimbjesh. Ishte një ndjenjë e mrekullueshme, si të notoje mes ujit të ngrohtë e të kaltër, me diell të ngrohtë përsipër. Fytyrën e saj vocërrake, edhe sikur të kalonin ditë dhe muaj, apo dhe vite, nuk mund ta ngatërroja me asnjë fytyrë tjetër bebeje. Ishte gdhendur në trurin tim, qoftë dhe me pak çastet që e pashë. M’u kujtua nëna ime që më thoshte gjithnjë se fëmijën tënd, sapo e sheh kur lind, nuk e ngatërron dot më me asnjë tjetër. -Këtë ju e mësuat më pas. Po mëmësinë? A ishte edhe ky pozicion një mësim i vazhdueshëm?Mësim i vazhdueshëm. Nga instinkti i mëmësisë, ai shndërrohet në një marrëdhënie të ndërlikuar, në të cilën gjithnjë duhet të mësosh, të kuptosh, të vëzhgosh, të krijosh, të tërhiqesh, të ecësh përpara...-çfarë ju shqetësonte më shumë në rrugë e sipër?Që fëmija im, fëmijët e mi, të rriteshin me disa parime bazë të forta, të  bëheshin të vlefshëm, pa u përpjekur t’iu imponohem e t’u drejtoj prirjet, por vetëm t’u krijoj klimën e duhur të zhvillojnë aftësitë e tyre sa më mirë. Them se deri tani, ky synim i imi dhe i babait të tyre është arritur.-Cili ishte prioriteti midis karrierës dhe mëmësisë? Kur dhe si u vendosën ekuilibrat?Gratë e brezit tim nuk u ankuan kurrë se fëmija u pengonte karrierën. Ne ditëm t’i kombinonim këto dy sfera dhe të arrinim të ishim nëna të mira e gjithashtu gra të kualifikuara. Mendoj se fëmija nuk është kurrë pengesë për karrierën – pak fare kohë në vitin e parë kur rritet – gjë që e vlen. Fëmija është shtysë që të punosh dhe të arrish sa më shumë gjëra në jetë për ta, që ata të jenë krenarë një ditë për ty. - Pas Leas, sollët në jetë djalin. Atë që të gjithë, përveç jush, e kishin dashur që herën e parë. ç’ndryshim kishte? Herën e dytë ka më shumë siguri, më pak ankth. Ke përpara një rrugë pak a shumë të njohur. Por çasti i lindjes, sikur të jetë i pari apo i dhjeti, ka të njëjtin emocion. Të njëjtën lumturi, të njëjtën shlodhje dhe mrekullim shpirtëror. Nganjëherë, kur shoh se burrat bëhen më agresivë se gratë, ose më pak të mirëkuptueshëm, më pak tolerantë, më shkon mendja te fakti se atyre natyra nuk ua ka dhuruar këtë magji. Por kjo është vetëm një ndjesi pa logjikë dhe pa racionalitet. Thjesht një mendim fluturak.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›