E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jonila Godole: Duhen zgjidhur çështjet ekzistenciale të përkthimit

Ideja e një shtëpie libri në parim është pozitive. Kam pasur edhe vetë disa herë përvoja tejet pozitive në streha të ndryshme autorësh dhe përkthyesish në Gjermani, si në LCB-Berlin, në Straelen etj., por nuk mund të rri pa thënë që edhe aty në shumicën e rasteve, organizatorët nuk i fshihnin vështirësitë e ndryshme për të mbijetuar. Prandaj, për rastin e Shqipërisë më duket një hap jo realist. Sepse, vërtet sillet përvoja e vendeve perëndimore në fushën e përkthimit dhe promovimit të autorëve apo përkthyesve, por harrohet aktualiteti shqiptar. Në një vend, ku nuk ka një organizim të denjë për përkthyesit, kur nuk njihet dhe respektohet e drejta e përkthimit njësoj si e çdo krijimi, ku pagesat e përkthimit janë qesharake, ku përkthyesit i duhet të bëjë edhe redaktorin, edhe botuesin, edhe menaxherin, për të përmendur vetëm disa, një strehë idealiste-letrare do të shërbente thjesht si mbulesë kozmetike, asgjë më tepër. Ndaj mendoj se fillimisht duhet të zgjidheshin çështjet ekzistenciale të përkthimit, të statusit të përkthyesit, të cilësisë dhe gjithçka tjetër lidhet me këtë, mandej shtëpia e përkthimit që propozohet, do të vinte natyrshëm.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›