Korça, një festë ndryshe
Me duart në brumë, me saçe mbi zjarre, me shkarpa, me tepsi dhe okllai, amvisat korçare të veshura me të bardha kanë gatuar në natyrë lakrorët korçarë tradicionalë. Të pjekur nën saçet që mbanin poshtë tepsitë e shumta, lakrorët jo vetëm kanë qenë pjesë e ekspozimit të traditës kulinare të zonës. Të paktën 13 gra kanë punuar mbi tryezë me zënien e brumit, hapjen e petëve të lakrorit, shtrimin e gjellëve të shumëllojshme dhe të larmishme dhe më pas me futjen e tepsive në saçe për pjekje. Gjithçka e vendosur në natyrë dhe nën vëzhgimin e mijëra shikimeve, që ka rikthyer në qytetin juglindor një traditë të hershme, por që për të parën herë, bëhet pjesë e një feste masive, për të promovuar gatimin tradicional të zonës. Dita e "Festës së Lakrorit" në Korçë ka drejtuar vëmendjen e qytetit të kulturës, por edhe mijëra njerëz dhe familje qytetare apo të ardhura nga zonat e afërta dhe ato malore, drejt këtij angazhimi masiv dhe feste me përmasa popullore. Në turma, banorë të shumtë, por edhe të ardhur nga larg dhe turistë, kanë marrë rrugën drejt parkut "Rinia". Gratë amvisa nuk kanë qenë vetëm nga Korça, por edhe nga Polena dhe Dardha, zona të cilat janë dalluar për lakrorin me dy petë dhe numrin e madh të turistëve që vijnë enkas për të shijuar këtë gatim të zonës. Të paktën 100 lakrorë në saç janë gatuar dhe më pas shijuar në shumëllojshmërinë dhe shijet e veçanta të tyre. Shumë qytetarë kanë përzgjedhur mes amvisave, për të kryer edhe porosi, duke marrë me vete për të shijuar në një piknik masiv në natyrë një tepsi të tërë. Mes lakrorëve, edhe ëmbëlsira tradicionale të gatuara me brumë, torta me mollë dhe me kremra, qumështorët e dikurshëm, ishin pjesë e festës së madhe të lakrorit që ka organizuar bashkia e qytetit në "Javën e kulturës, trashëgimisë dhe traditës qytetare". Ky aktivitet, që është organizuar për të parën herë në këtë formë dhe me këto përmasa, duke parë edhe suksesin që kanë sjellë gatimet e traditës, sipas kryetarit të Bashkisë së Korçës, Niko Peleshi, do të kthehet në një festë të përvitshme të saçeve dhe lakrorëve të gatuar dhe shijuar në natyrë mes ajrit të pastër. "Korça, qyteti i festave, është një nga projektet më të mëdha të bashkisë për të promovuar traditat dhe trashëgiminë e pasur, jo vetëm kulturore, por edhe atë të traditës kulinare dhe të gatimeve specifike, që e dallojnë qytetin tonë. Kjo është një festë që vjen për herë të parë dhe që synon që kjo traditë e vjetër të trashëgohet te brezat e rinj dhe për amvisat e reja, të cilat duhet ta mbajnë të gjallë këtë traditë gatimi specifik për zonën e Korçës. E vendosur në natyrë, me një dekor karakteristik, kjo është një festë popullore që mbledh familjet qytetare dhe ato të zonave me traditë të hershme, për të bërë promovimin, por edhe njohjen e zonës sonë me këtë veçori që deri më sot ka tërhequr edhe një vëmendje të madhe nga ana e vizitorëve të turistëve. Synimi është që Korça të rikthehet në një qytet të trashëgimisë dhe traditës, në një qytet turistik, që me vlerat e tij dhe promovimin e tyre të nxitë më shumë interesin, por edhe nëpërmjet festave të gjallërojë jetën e përditshme të qytetarëve, për t‘i shkëputur nga rutina", ka thënë Niko Peleshi. Me një dekor fshati, mes zjarreve të ndezura nga shkarpat mes gjelbërimit të parkut të qytetit, ky i fundit është improvizuar për një piknik masiv me lakrorë të shumtë të pjekur në saç. Organizatorët kanë deklaruar se, nisur nga suksesi i kësaj feste, ajo do të kthehet në një traditë të përvitshme.