E Shtunë, 31 Tetor 2026

Diaspora shqiptare nderon Reshat Arbanën

Artisti i mirënjohur Reshat Arbana është nderuar nga diaspora shqiptare me çmimin ‘Skënderbeu’ për ‘personalitetin, cilësinë artistike dhe frymëzimin me të cilin ka interpretuar role, histori dhe ngjarje duke i pasuruar me origjinalitet, humanizëm dhe kulturë’.

Ky çmim iu dorëzua artistit të mirënjohur dhe popullor të kinematografisë dhe teatrit shqiptar nga shoqata Scanderbeg e Parmës në spektaklin “Nentori i Dytë” që zhvillohet çdo vit me rastin e “Javës së Kulturës Shqiptare”.

Përgjegjësi organizativ i shoqatës Scanderbeg, Durim Lika vlerësoi figurën e artistit të mirënjohur, Reshat Arbanës si një nga artistët më të mëdhenj që ka pasur Shqipëria.

“Kam nderin dhe kënaqësinë tu prezantoj sot një nga artistët më të mëdhenj që Shqipëria ka. I njohur nga të gjithë shqiptarët, brenda dhe jashtë kufijve. Është artisti i popullit, i cili së fundmi është nderuar me titullin ‘Nder i kombit’. Sot duam t’i japim çmimin ‘Skënderbeu’, për personalitetin e jashtëzakonshëm, cilësinë artistike dhe frymëzimin me të cilin ka interpretuar role, histori, ngjarje, duke i pasuruar me humanizmin dhe kulturën që e karakterizon përherë. Këtë çmim po ja japim në emër të gjithë diasporës shqiptare të organizuar në Itali, Artistit të Popullit Reshat Arabana”, u shpreh Lika.

Aktori i mirënjohur Reshat Arbana ka interpretuar mjeshtërish një numër të madh rolesh në film dhe teatër, duke u kthyer në një figurë të nderuar dhe të dashur për publikun shqiptar.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›