QKK në European Film Awards

Udhëheqësit e Qendrës Kinematografike të Kosovës, Arben Zharku, Kryesues i Këshillit Drejtues dhe Fatos Berisha, Drejtor i QKK-së, janë të ftuar në ceremoninë solemne të ndarjes së çmimeve evropiane të filmit, organizuar nga Akademia Evropiane e Filmit (European Film Academy).
Ndarja e shpërblimeve mbahet çdo vjet në ndonjë qytet evropian, dhe ky është edicioni i 24-të dhe u mbajt në Berlin më 3 dhjetor. Është hera e parë që QKK dhe përfaqësues të Kosovës marrin pjesë. Arben Zharku, që është edhe anëtar i Akademisë Evropiane të Filmit, theksoi: 'Është kënaqësi e veçantë që do të jemi në ndarjen e shpërblimeve, jo vetëm për shkak të simbolikes së prezencës së QKK-së dhe Kosovës, por edhe për shkak të takimeve me personalitetet më të mëdha të filmit evropian që do të kemi mundësi t'i bëjmë gjatë dy ditëve në Berlin'.
Po ashtu, i ftuar në ceremoni është edhe Ministri i Kulturës, Memli Krasniqi.