Dibër, 230 minatorë mbeten pa pensione
Mbi bazën e një kontrolli të ushtruar, skema e pensioneve në Qarkun e Dibrës ka rezultuar të jetë e përfshirë nga skandali i përfitimeve në mënyrë të padrejtë nga një numër i madh ish-punonjësish të nëntokës. Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore Dibër, Fadil Begu, ka konfirmuar për "Shqip" panoramën e situatës në këtë skemë, ku nga kontrolli i ushtruar janë gjetur një sërë rastesh ku ish-minatorë të rretheve Dibër, Bulqizë dhe Mat kanë përfituar pensione të pamerituara me mangësi në dokumentacion apo me dokumente false. Burime nga kjo drejtori konfirmojnë për "Shqip" se gjatë këtij kontrolli janë evidentuar 230 dosje për ish-minatorët që kanë përfituar pension me dokumente false, me vlerë prej rreth 140000000 lekësh. Po sipas këtyre burimeve, ndër dokumentet që dyshohet të jenë false dhe që duhen rikonfirmuar nga poseduesit e këtyre pensioneve, janë kryesisht certifikatat e rreme të marra nga zyrat e gjendjes civile në komunat dhe bashkitë e këtyre rretheve. Prej vitesh janë hedhur hije të forta dyshimi për vërtetësinë e skemës së pensioneve, veçanërisht për ish-minatorët, por jo vetëm, që mbi bazën e dokumenteve të falsifikuara arrijnë të marrin pension të padrejtë. Natyrisht që numrin më të madh të këtyre përfituesve e përbëjnë ish-minatorët e minierës së Bulqizës dhe ajo e Batër-Martaneshit. "Ende jemi në fazën kur kërkohet rikonfirmimi i dokumenteve, gjë për të cilën është bërë edhe pezullimi i përkohshëm i pensioneve për këta punonjës të nëntokës", thotë drejtori Begu, ndërsa sqaron se në rast të moskonfirmimit të dokumenteve, të gjitha dosjet e përfitimit të padrejtë do të çohen në prokurori për ndjekje penale për personat përgjegjës. Ndër shkeljet më të rënda të konstatuara është ajo kur personi ka dalë në pension edhe pse mosha e tij është nën periudhën e sigurimit të kërkuar nga ligji. Veç kësaj ka dhe raste të tjera shkeljesh, si mosekzistenca e emrave të personave përfitues në regjistrat e indekseve të ndërmarrjes së minierave, moskonfirmimi i punës në nëntokë, apo korrigjime në regjistrin themeltar të periudhave të punës, apo dublime të tyre etj., etj.