E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nis prishja e ndërtimeve në Gjirin e Lalëzit

Fadromat zbarkojnë në Gjirin e Lalëzit. Prej disa ditësh në një nga zonat më të bukura turistike të rrethit të Durrësit është ndërmarrë një aksion për heqjen e të gjitha objekteve të paligjshme të ndërtuara buzë rërës. Punonjësit dhe mjetet e inspektorateve të ndërtimit të Durrësit dhe Tiranës kanë prishur lokalet e ngritura në bregdet, ngjitur me brezin e rërës. Jo vetëm lokalet kioska, por edhe ato ku është investuar për të ofruar një cilësi më të mirë shërbimi për pushuesit e kësaj pjese të bregdetit janë rrafshuar. Lajmi bëhet i ditur nga drejtuesit e Komisariatit të Policisë së Shijakut, i cili ka qenë në mbështetje të ndërtimorëve, për të shmangur reagimet e dhunshme të pronarëve të objekteve. Nisja e aksionit është shoqëruar me reagime prej tyre, po informimi se të gjitha lokalet e ngritura në bregdetin e Shën Pjetrit do të prishen pa dallim i ka qetësuar gjakrat. Fati i përbashkët i lokaleve të ngritura në bregdet e ka bërë më të vogël dhembjen dhe inatin. Fshati Shën Pjetër zotëron një nga pjesët më të bukura të bregdetit shqiptar. Infrastruktura e munguar e ka ruajtur këtë zonë për vite me radhë nga makutëria, ndonëse dhe ajo është prekur nga ndërtimet e paligjshme të ngritura pa ndonjë plan paraprak. Gjiri i Lalëzit konsiderohet si një nga perlat e natyrës shqiptare që ofron virgjëri natyrore dhe mundësi për ngritjen e strukturave për një turizëm elitar.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›