E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Pleqtë" e Korfuzit për qokë në Sarandë

Binjakëzimi shumëvjeçar mes qyteteve që gjenden në dy brigjet e Jonit, Sarandës dhe Korfuzit, është konkretizuar ditët e fundit në kontaktet mes institucioneve sociale të qendrave të të moshuarve të këtyre qyteteve. Ka qenë një vizitë dyditore e 45 të moshuarve nga qendra e të moshuarve të Korfuzit, të ftuar në Qendrën Ditore Polivalente të Sarandës. Drejtori i qendrës së të moshuarve nga Korfuzi, Jorgos Kardhiqiotis, tha se në ishullin e Korfuzit janë 750 vetë të moshës së tretë, nga të cilat shpallën dëshirën të vijnë këtu 210 vetë, por edhe kjo ishte e pamundur. Ata janë prezantuar së pari me mjediset e trajtimit social që u bëhet të moshuarve pa përkrahje në qytetin e Sarandës, janë njohur me mënyrën e trajtimit që u rezervohet atyre, si dhe me produktet e punëve të dorës, kryesisht në lesh dhe qëndisma, të realizuara nga gratë e moshuara të Qendrës Ditore Polivalente. "Edhe unë dua të bëhem si ti, gjyshja ime", ka qenë dedikimi i kësaj ekspozite të punëve artizanale dhe të objekteve relike të përdorimit shtëpiak. Kjo është e lidhur me faktin që të moshuarit sarandjotë i kanë si nipërit e mbesat e tyre fëmijët e Shtëpisë së Fëmijës në Sarandë, te të cilët përcillet tradita e punëve të dorës. Vizitat kanë vijuar gjatë dy ditëve në pikat më turistike të Sarandës, si në Kalanë e Lëkurësit, Syrin e Kaltër, në muzeun arkeologjik "Onhezmi-Kaonia" etj. "Tani ka nisur binjakëzimi real i Sarandës me Korfuzin, edhe pse këto marrëdhënie janë vendosur shumë më herët", u shpreh kryebashkiaku i Sarandës, Edmond Gjoka, në mirëseardhjen që u bëri në zyrën e vet 45 miqve të ardhur nga qendra e të moshuarve e Korfuzit. Gjoka ka vënë në dukje traditën e hershme të mikpritjes në qytetin e Sarandës, traditë që gjendet edhe në Korfuz e kjo tregon afërsi vlerash.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›