E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dibër, dy motrat me zinxhirë tek këmbët prej 22 vjetësh

SKANDALI/ Thëllënxa dhe Fidane Keshi janë lidhur që kur ishin të reja nga babai i tyre, sot 70-vjeçar


DIBËR - Prej 22 vitesh dy motra në Maqellarë të Dibrës janë mbajtur të lidhura me zinxhirë jashtë vëmendjes së opinionit dhe të shoqërisë në një familje fshatare të kësaj zone në tejskamje.


Për dy motrat Thëllënxa dhe Fidane Keshi është sinjalizuar media nga një banor i fshatit, që e njihte gjendjen. Ky i fundit u nxit pikërisht pas zbulimit të para pak ditësh në Levan të Fierit të një 26-vjeçari që jetonte prej tri vitesh i lidhur me zinxhirë. Sipas familjarëve, ai nuk mund të mbahej ndryshe pasi përbënte rrezik për banorët e tjerë.


Kësaj radhe nuk bëhet më fjalë për tri vite izolim skllavëror, por për mbi 20 vite. Në Maqellarë, motrat Keshi mbaheshin në të lidhura me zinxhirë tek këmbët, duke ua kufizuar mundësinë e lëvizjes më tej se një hapësirë e ngushtë tek një shtëpi e rrënuar ku ato jetonin.


Zinxhiri në këmbën e Thëllënxës është vënë kur ajo ishte 25 vjeçe, ndërsa tek Fidania kur ishte 16 vjeçe. Vajzat sot janë përkatësisht 47 dhe 38 vjeçe. Nëna e tyre ka vdekur 10 muaj më parë, teksa babai ka rrëfyer para policisë se ishte i detyruar ta bënte këtë gjë, pasi vajzat ishin të dhunshme dhe përbënin rrezik për banorët e tjerë. Sipas tij, simptomat e egërsisë së tyre ishin shfaqur qëkur u kishte vdekur e ëma.


Por gjithçka në këtë drejtim mbetet mister pasi një nga mësuesit e fshatit është shprehur të paktën për njërën nga motrat se ka qenë e zgjuar dhe ka pasur nota të mira. Ndërkohë që prej vitesh askush nuk dinte se si shkonte gjendja e tyre.


Mësohet se babai i dy vajzave ka qenë i dënuar dhe ka vuajtur 18 vite burg ndërsa kur është liruar nga burgu, i ka vdekur dhe gruaja dhe kjo ka sjellë një gjendje dëshpëruese për familjen Keshi, çka me sa duket ka ndikuar tek gjendja depresive e dy vajzave.


Sipas rrëfimit të prindit në polici, vajza e madhe në moshën 16-vjeçare kishte shfaqur shenja të sëmundjes mendore dhe për këtë arsye qëndroi për 7 vjet e shtuar në spitalin e Vlorës.


Pas daljes nga spitali, babai u detyrua ta mbajë të lidhur. Vajza tjetër, Fidania, nuk është shtruar në spital, por që në adoleshencë u sëmur si e motra dhe babai zgjodhi ta lidhë dhe atë. Babai 70-vjeçar ka rrëfyer se të gjitha shërbimet ua kryente ai, që me ushqyerjen, shërbimet e deri larjen e tyre, por kushtet në këtë shtëpi ishin skandaloze dhe ato flinin mbi një krevat me dërrasa të kalbura druri, me shtrojë bari dhe një batanije përsipër, një jetesë më e keqe se e një qeni.


Gjithashtu, mësohet se familja mbahej me paratë e invaliditetit që jepeshin për dy vajzat në shumën 160 mijë lekë të vjetër dhe me kujdestar babanë e tyre. Por asnjëherë aty nuk është dukur as mjek, as polic dhe as punonjës social.


Dje në mëngjes në Maqellarë, tek banesa ku jetonin dy motrat Keshi, ishte një ekip mjekësor dhe forca policore, të cilat i kanë transportuar ato për në spitalin e Peshkopisë, për të dhënë ndihmë mjekësore, ndërsa më pas mendohet që ato të sistemohen në një qendër sociale.


Precedenti


Pak ditë më parë një 26-vjeçar nga Fieri është zbuluar ndërsa mbahej i lidhur nga familjarët e tij. Këta të fundit janë shprehur para policisë se shkak për lidhjen e djalit ishte fakti që ai përbënte një rrezik për ta dhe për banorët, pasi ishte i dhunshëm. Pas kësaj policia ka ndaluar gjyshin e 26-vjeçarit, teksa vetë djaloshi është dërguar për në spital për të marrë mjekimin e duhur


Dobjani: Denonconi rastet me fëmijë të sëmurë


Avokati i Popullit, Ermir Dobjani, duke analizuar rastet e tre fëmijëve, prindërit e të cilëve i mbanin të lidhur me zinxhirë në këmbë për shkak të agresivitetit të tyre mendor, të pretenduar nga prindërit, ka bërë thirrje që këto raste të denoncohen nga shtetasit dhe institucionet e shtetit të vihen në dijeni për kujdes social të specializuar në qendra të tilla.


Ai tha se institucioni i Avokatit të Popullit për rastin e Levanit ndërhyri menjëherë që kjo të zgjidhej në një qendër sociale, ndërsa po interesohet dhe për rastin e Dibrës për ta kryer këtë proces sa më shpejt. Duke analizuar rastin e dytë, Dobjani ka bërë me dije se nga pamjet filmike duket diçka e stimuluar, dhe jo se këto dy vajza të mund të kenë qëndruar në zinxhirë prej 22 vitesh.


Por ai theksoi se jetesa e tyre është shumë e rëndë dhe se shteti duhet t'i marrë menjëherë nën kujdes. Ashtu siç duhet vepruar dhe për raste të tjera, të cilat nuk janë evidentuar, por pas këtyre rasteve mund të ndodhë dicka e tillë, kësisoj institucionet e shtetit duhet të bëjnë punë të programuar dhe të punojnë për t'i zbuluar këto raste për të dhënë ndihmën e duhur e të kualifikuar për këtë shtresë ekstremisht në nevojë.

Shtypi i huaj për "skllavërimin" e dy motrave nga Maqellara


Nuk ka mbetur jashtë vëmendjes së medias së huaj skandali i dhunimit të së drejtës së dy vajzave në Maqellarë të Dibrës, referuar pamjeve rrëqethëse që televizionet shqiptare dhanë dje përgjatë ditës. Janë pamje që tashmë po bëjnë xhiron e botës në shumë prej mediave ndërkombëtare, e që mesazhi sipas nënkuptimit të tyre, paraqet anën tjetër të errët sociale të Shqipërisë, që pretendon të integrohet në Evropë.


Nga Gjermania "Bild", duke iu referuar mediave shqiptare, citon babanë e vajzave, i cili shprehet se dy motrat ishin të sëmura mendore dhe agresive.


Në moshën 38 dhe 49 vjeçe, dy motrat nuk kanë asnjë shtrat për të fjetur, thuhet në shkrimin e "Bild", ndërsa përmendet edhe rasti tjetër i një familjeje rome në Levan të Fierit, ku një 26-vjeçar i sëmurë mendor ishte i lidhur me zinxhirë nga familjarët e tij.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›