E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dritan Dajti në dasmën e vëllait të Kekës

Babai i Aleks Kekës i ka quajtur deklarimet e Colit si të pavërteta ndërsa thotë se nëse i kërkohet do të dëshmojë


Prekë Keka, tha dje se e kishte parë vetëm një herë Dritan Dajtin në dasmën e djalit të madh


SHKODËR- Dëshmitë e të penduarit të bandës së Durrësit, Adriatik Coli, të publikuara në media, dhe që lidhen me Aleks Kekën, kryetarin e PDK të Malësisë së Madhe, i vrarë në qershor të këtij viti, kanë shkaktuar reagimin e familjes së tij. Babai i Aleks Kekës, Preka, i ka quajtur këto dëshmi si shpifje që bëhen për të implikuar djalin e tij të vrarë kush e di se nga kush.


Ai e cilëson edhe si përpjekje për të mbuluar persona që janë përfshirë në vrasjen e të birit, dhe që janë gjallë. Ndërsa hedh poshtë dëshminë e dhënë nga Adriatik Coli, Prekë Keka, rrëfen se Dritan Dajtin, ai e ka parë këtu e 11 vite të shkuara. Në atë kohë Dritan Dajti ka qenë në dasmën e djalit të tij të madh, që jeton në SHBA prej vitesh. Dajti ka qenë i ftuar në dasmë bashkë me të fejuarën.


Që atëherë, Dajti nuk është parë më në familjen e tyre, ndërsa në ato vite emri i tij nuk ishte i skeduar nga policia. Vdekja e 34 vjeçarit................................... Leka, vrasje e kryer nga një shpërthim në distancë, ende është e pazbuluar, ndërsa ai mori me vete dhe shumë të vërteta të pathëna.


Prekë Keka nuk ka asnjë dyshim se i biri gjithçka e kish arritur me punë e mund por gjithë të mirat që ai ka bërë, sipas tij po i kthehen kundër tani pas vdekjes dhe kjo nga persona apo segmente të caktuara që duan të humbasin gjurmët."Unë si baba pyes veten se a e njihja vallë djalin tim.


Edhe nusja, e tij, dhe nëna e vëllai. Shoqëria po ashtu. Si ka mundësi që ne të mos dinim asgjë për Aleksin, e në Tiranë të dinë kaq shumë. Jo nuk janë të vërteta. Këtu ka vetëm dy gjëra, ose shteti do të humbasë gjurmët e krimit, ose ky Coli do të mbulojë të tjerë, duke akuzuar djalin tim.


Djali im nuk ka marrë në shtëpinë asnjë nga këta persona që përmend Adriatik Coli. Madje dhe këtë unë e kam parë vetëm në televizion. Sa kohë djali im qe gjallë, askush nuk tha asnjë fjalë të keqe. Ky Coli ku ishte para katër muajve, përse nuk tha gjë për djalin tim sa ishte gjallë"- shprehet Keka.


"Policia do të argumentojë deklaratën e bërë menjëherë pas vrasjes së djalit tim, duke i vënë të tilla akuza, ose Adriatik Coli vetë merrej me drogë, e tani për të mos nxjerrë shokët e çon fjalën deri tek Aleksi",- thotë Prekë Keka.


Ai nuk arrin ta fshehë revoltën për baltën që sipas tij po i hidhet emrit të djalit të tij, revoltë që nuk është vetëm e familjes por gjithë komunitetit të Bajzës që e njihnin dhe respektonin. Ai shton se është i gatshëm të dëshmojë në Gjykatën e Krimeve të Rënda nëse do i kërkohet për të përgënjeshtruar deklarimet e të penduarit të bandës së Durrësit Adriatik Coli, i cili deklaron se ka qenë në shtëpi të Aleksit.


"Ai jep adresë të gabuar. Coli dhe ata persona të tjerë që përmenden nuk kanë qenë ne shtëpinë tonë,- deklaron burri i moshuar. Ai bën thirrje për zbardhjen e vrasjes së të birit. "Shpresonim se pas ngjarjes se shumë shpejt do merrnim vesh të vërtetën. Kanë kaluar 4 muaj dhe ne nuk dimë kush na e vrau dhe pse u vra Aleksi. Shumë kemi nevojë dhe dëshirë ta dimë, sepse na ka mbetur enigmë, duam të mësojmë kujt i kishim hak",- thotë Prekë Keka.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›