E Diel, 1 Nëntor 2026

Vidhnin banesat e emigrantëve, tre në pranga

BERAT- Kërkoheshin prej kohësh nga policia si autorë të dyshuar për vjedhjen e banesave në qytetin e Beratit, por janë prangosur vetëm një ditë më parë. Pas një sërë veprimesh proceduriale e verifikuese të policisë, u mundësua zbulimi dhe dokumentimi i banesave të vjedhura, ku si autorë të dyshuar ishin shtetasit Emiliano Berisha dhe Ergys Hetemi, të cilët si bashkëpunëtor kanë pasur Albion Kolën, që të tre me banim në Berat.


Në përfundim të operacionit, policia ka mundur të prangosë 19-vjeçarët Berisha dhe Hetemi, banorë të lagjes "30 vjetori" në qytetin e Beratit dhe në orët e vona të darkës ka arrestuar edhe Albion Kolën.


Sipas versionit zyrtar të policisë, tre të rinjtë janë ndaluar në banesat e tyre pasi akuzohen për vjedhjen e disa shtëpive të pabanuara në lagjen ku jetojnë, vjedhje që kanë ndodhur në kohë të ndryshme. Kështu është bërë i mundur dokumentimi i vjedhjes së banesës së shtetasit Dh.D., familjarët e së cilës janë në emigrim dhe banesën ia kishin besuar një qytetari tjetër, i afërm i tyre. Pak ditë më parë, ata që kujdeseshin për banesën, kanë konstatuar vjedhjen e saj dhe kanë kërkuar ndihmën e policisë.


Nga verifikimet ka rezultuar se në banesë ishin vjedhur disa pajisje elekroshtëpiake. Hetimet kanë zbuluar se të ndaluarit janë autorë të dyshuar edhe të vjedhjes së shtetasit G.A., që ndodhet pranë statudiumit të qytetit, familjarët e së cilës ndodhen në Greqi. Policia po punon për dokumentimin dhe verifikimin e disa vjedhjeve të tjera, ku dyshohet se të rinjtë në fjalë janë autorë të grabitjeve. Ata akuzohen se kanë konsumuar veprën penale të vjedhjes së pasurisë së tjetrit në bashkëpunim. R.Dosti

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›