Orikum, banorët përleshen me policinë
PRONAT/ Në ditën e dytë të protestës, banorët kanë qëlluar me gurë duke thyer xhamat e makinave të policisë
VLORË - Përleshje mes policisë dhe banorëve në Orikum. Në ditën e dytë të protestës, banorët janë përplasur në tentativë për të hequr rrethimin e truallit ku po ndërtohet një kompleks pallatesh. Ata janë përballur me forcat e policisë, ndërkohë që mes të dyja palëve ka pasur ushtrim dhune. Forca të shumta të reparteve speciale janë rreshtuar përgjatë zonës ku pati konflikt.
Banorët kanë qëlluar me gurë duke thyer dhe xhamat e dy prej makinave të policisë, ndërkohë që përgjatë gjithë ditës, qendra e Orikumit ka qenë mbushur me banorë, forca policore dhe në rrugë kanë përfunduar gjithë pjesët e llamarinave, të cilat rrethonin tokën ku do të ndërtohet kompleksi. Banorët protestues kanë qenë tepër të acaruar, ndërsa kanë shprehur vendosmërinë të protestojnë deri në zgjidhjen e plotë të problemit.
Ka pasur protestues që kanë pohuar se janë keqtrajtuar nga policia. Ata kanë akuzuar për abuzimet që po bëhen me pronat. Banorët thanë se para fushatës kishin marrë premtimin e kryetarit të bashkisë, Kanan Braho, për të ngrirë lejen që do t'u jepej firmave deri në zgjidhjen e konfliktit.
"Por sot kryetari na është fshehur, duke mos u përballur me ne, - thanë protestuesit. Ata janë shprehur të vendosur për të vijuar protestën, pavarësisht pasojave që mund të sillte kjo.
Kreu i bashkisë së Orikumit, Kanan Braho, tha se nuk është kompentecë e bashkisë për të ngrirë lejet e ndërtimit. "Ne funksionojmë në bazë të një ligji të përcaktuar. Prej vitit 2004 Bashkia e Orikumit ka një studim të miratuar dhe ne jemi të detyruar t'i përgjigjemi këtij plani", u shpreh kryetari.
Duke hedhur poshtë akuzat e banorëve mbi lejet e dhëna në mënyrë abuzive, Braho tha se këto leje janë dhënë sipas të gjitha rregullave. "Ligji sot miraton në heshtje edhe leje për të cilat ka vonesa. Ne e kemi zbardhur me vonesë këtë leje për shkak të konfliktit të njohur për këtë.
Por kjo çështje është edhe më e gjerë se kaq, pasi ka toka që pretendohen nga më shumë se një pronar. Jemi në kushtet kur sipërfaqet pretendohen dhe nga ish-punonjës dhe nga pronarë të njohur nga kthimi dhe kompensimi i pronave, kështu që vetë bashkia nuk ka fuqi ligjore të ndërhyjë, pasi kompetencat për këtë i ka gjyqësori",- tha Braho.
Ai sqaroi se janë rreth 400 familje të ish-punonjësve të NB Rinia, Orikum, që janë në konflikt pronësie. Ata disponojnë akt të marrjes së tokës në përdorim, të një sipërfaqe që mesatarisht kap vlerat 600 - 700 metër katror për familje. Ndërtimi për të cilin ka lindur konflikti, por që nuk është i vetmi në Orikum, parashikon një kompleks banimi dhe hoteleri. Ai është një investim prej rreth 19 milionë euro.
************************
PD: Do të ndryshojmë realitetin e vlonjatëve
Pas denoncimit të bërë nga kreu socialist i Vlorës, ka pasur dhe një reagim nga Partia Demokratike. Me anë të zëdhënësit të saj të djathtët janë shprehur lidhur me dhënien për 35 vjet të pyllit të Sodës një kompanie gjermane.
"Për sa i përket projektit të portit të kontenierëve dhe zonës së lirë në vazhdim të tij, informojmë vlonjatët se ky është një investim gjigant, me vlerë 1,5 miliardë euro, realizimi i të cilit do të ndryshojë menjëherë e në mënyrë të qenësishme Vlorën dhe realitetin e vlonjatëve", u shpreh zëdhënësi demokrat.
****************************
VLORË/ Eltar Deda ka bërë publike marrëveshjen e miratuar në pikun e fushatës elektorale që sheshon pyllin
Pylli i Sodës, denoncohet marrëveshja 35-vjeçare e qeverisë
VLORË - Pylli i Sodës i është dhënë nën administrim një kompanie gjermane për 35 vjet. Zona do të përdoret për veprimtari portuale, industriale dhe përpunimi, tregtare dhe magazinim mallrash, shërbime, me përjashtim të veprimtarive që lidhen me prodhim çeliku. Një vendim i tillë mësohet të jetë marrë nga qeveria shqiptare më 11 qershor të këtij viti e pikërisht në pikun e fushatës zgjedhore.
Kjo gjë u denoncua nga deputeti socialist i Vlorës, i cili tha se ky vendim përplaset me një tjetër vendim të një viti më parë që kishte marrë qeveria, dhe që ia jepte atë si pasuri publike Bashkisë së Vlorës, e cila ka miratuar një projekt për të.
Denoncimi
"Prej afro një jave, qytetarët e Vlorës dhe politika shqiptare është njohur me raportin e BB-së lidhur me TEC-in, ku është dhënë alarmi për mosrespektimin e politikave të kësaj banke për vlerësimin e projektit, për vlerësimin dhe ruajtjen e mjedisit, mbrojtjen e pasurive kulturore të zonës, si edhe vlerësimin ekonomik të veprës, - u shpreh kreu i PS-së së Vlorës, Eltar Deda. - Ajo që më shqetëson sot mua dhe të gjithë qytetarët, është hapi tjetër fatal që familja kryeministrore i ka bërë qytetit tonë, duke avancuar në etjen e tij për zhvatjen e pasurive shtetërore".
Më tej deputeti u shpreh se me një vendim të datës 11 qershor, me nr. prot.628, qeveria ka shpallur si zonë ekonomike me statusin e zonës së lirë territorin me sipërfaqe 478,14 ha të zonës kadastrale nr. 8604 dhe nr.2765 në Vlorë.
Kjo zonë përfshin sipërfaqen nga ish-kampi i pionierëve deri në Zvërnec, ose ndryshe i quajtur Pylli i Sodës. Mësohet se e gjithë kjo zonë i është dhënë një kompanie gjermane nën administrim, për veprimtari portuale, industriale dhe përpunimi, tregtare dhe magazinim mallrash, shërbime.
Çudia qëndron në faktin se qeveria shqiptare me një vendim të saj të vitit 2008, të gjithë këtë sipërfaqe ia ka njohur si pasuri publike Bashkisë së Vlorës. Kjo e fundit ka miratuar studimin që të gjithë këtë zonë ta kthejë në një zonë tërheqëse për qytetarët e Vlorës duke ndërtuar në të parqe, kënde lojërash dhe kënde sportive.
Dyshimet
Deda ka hedhur hije dyshimi mbi interesa personale të qeveritarëve të lartë, të cilët, sipas tij, kanë vepruar në fshehtësi dhe pa u konsultuar me njësinë vendore. "Përse i gjithë ky ngut i familjes kryeministrore, në fshehtësi, pa u konsultuar me njësitë vendore përkatëse? Kush fshihet mbas këtyre interesave kaq shkatërruese që kanë si qëllim të mbysin qytetin tonë?"- u shpreh ai.
Ai tha se socialistët janë pro zhvillimit industrial të Vlorës krahas atij turistik, por ajo çka e trembte ishte etja e madhe e Kryeministrit Ai kërkoi gjithashtu transparencë të këtyre vendimeve.