E Shtunë, 31 Tetor 2026

Diber moti i keq izolon tri komuna

Problematika Ngrica, reshjet e dëborës dhe shiut përkeqësojnë lëvizjen e njerëzve dhe automjeteve

Të paktën tri komuna në Qarkun e Dibrës vazhdojnë të mbeten të izoluara, pa përmendur fshatra të veçantë në zona të thella malore, ku numri i tyre është shumë më i madh. Kështu, përveç komunave Macukull dhe Dukagjin në rrethin e Matit, që vazhdojnë të mbeten të izoluara prej më shumë se dy javësh nga rrëshqitja e rrugës dytësore, si pasojë e reshjeve të dëborës të rëna gjatë 24 orëve të fundit, është bllokuar edhe rruga e Komunës së Lurës. Nga reshjet e dendura të shiut, rruga dytësore që lidh komunat e Macukullit dhe Derjanit është shembur në shumë segmente të saj, duke lënë banorët e këtyre dy komunave në izolim të plotë. Probleme më të mëdha kanë hasur sidomos nxënësit që ndjekin arsimin e mesëm në këto komuna, të cilët prej dy javësh kanë ndërprerë mësimet. Segmenti më problematik i kësaj rruge mbetet ai në afërsi të fshatit Dukagjin, ku ka një rrëshqitje të trasesë së rrugës në një gjatësi prej rreth 200 metrash. Ndërmarrja e Rrugëve Rurale nuk ka bërë asnjë ndërhyrje për zhbllokimin e situatës, pasi i mungojnë si mjetet ashtu edhe forcat njerëzore. Ndërkohë, reshjet e dëborës dhe ngricat gjatë ditës së djeshme kanë shkaktuar vështirësi në qarkullimin e automjeteve edhe në aksin rrugor nacional Peshkopi-Burrel, për shkak të akullit në rrugë. Kështu, gjatë orëve të para të mëngjesit ka pasur vështirësi, sidomos në zonën e Bulqizës, në vendin e quajtur Pishat, ku mjaft automjete kanë rrëshqitur duke rënë në kanalet anësore të rrugës. Nga Ndërmarrja e Rrugëve Rajonale Dibër, asnjë ndërhyrje nuk është bërë për hedhje skoriesh dhe kripë.

Llogoraja

Moti i keq ka shkaktuar pasoja edhe në rrugën kombëtare që lidh Vlorën me Himarën. Një stuhi dëbore, e cila ka nisur mbrëmjen e djeshme, ka bërë që shumë automjete të mbeten të bllokuara për shkak të ngricës. Policia rrugore, e cila ka shkuar paraditen e djeshme, ka ndaluar mjetet të ngjiten në maloren e Llogorasë pa zinxhirë derisa rruga të hapej nga mjetet e Ndërmarrjes së Rruga Urës. Pas punës me fadromë që ka bërë kjo drejtori për të hequr ngricën nga rruga, duke hedhur kripë dhe skorie, rruga është bërë e kalueshme, kështu pas orës 12.00 të drekës në të kanë mundur të kalojnë të gjitha automjetet.

Vlorë

Mbrëmjen e djeshme një anije peshkimi, e ndodhur në vendin e quajtur Koka e Shënvasilit pas Karaburunit, me dy persona në bord Admir Bulla dhe Arben Aliaj, ka kërkuar ndihmë në sallën operative të Komisariatit Vlorë, pasi ka pësuar avari në motor dhe rrezikonte të mbytej, për shkak të motit të keq. Informacioni u është përcjellë strukturave të Drejtorisë Rajonale të Kufirit dhe Migracionit Vlorë, si dhe autoriteteve të tjera kompetente, të cilat ndërhynë menjëherë për të shpëtuar ekuipazhin dhe mjetin lundrues. Rreth orës 21.30 nga Drejtoria Rajonale e Kufirit dhe Migracionit është finalizuar operacioni i shpëtimit, i cili ka bërë të mundur shpëtimin e ekuipazhit të anijes, ndërsa anija e peshkimit u mbyt si pasojë e motit të keq. Në këtë peshkarexhë, e cila kishte dalë për peshkim në orët e para të ditës, ndodheshin dy peshkatarë, të cilët janë gënjyer nga moti i mirë i paradites dhe kanë dalë në det në zonën pas Gadishullit të Karaburunit. Prej disa ditësh moti në Vlorë ka qenë jo i mirë për peshkim po ashtu dhe deti ka qenë në 5 deri në 6 ballë në gji, për pasojë duke parë që situata detare është përmirësuar, peshkatarët kanë dalë për gjueti, pasi dhe tregu në Vlorë ka qenë i vakët këto ditë, ndërkohë që kërkesat për peshk kanë qenë të shumta.

Përpos kësaj situate peshkatarët, edhe pse kanë rrezikuar, nuk kanë mundur të peshkojnë, pasi deti ka shtuar fuqinë në orët e pasdites dhe sikur të mos mjaftonte ata humbën edhe anijen për shkak të dallgëve tejet të larta që përplaseshin vazhdimisht me shkëmbinjtë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›