Isli Hidi mini-prove ne Qipro Beqaj komplikon lamtumiren
Isli Hidi, portieri i kampiones së Shqipërisë, Dinamos, ka zbarkuar dje në ambientet e klubit qipriot, Olimpiakos Nikozia. Lajmi është bëri i njohur me mediat ishullore, sipas të cilave, menaxheri i numrit dy të portës së kombëtares së Shqipërisë ka informuar drejtuesit administrativë të klubit qipriot, se klienti i tij pasditen e djeshme do të ishte i disponueshëm në skuadrën e Marakios për të zhvilluar edhe stërvitjen e parë. Sikurse bëhet e ditur, përpara se të formosh e zezë mbi të bardhë, Hidi do të duhet të kalojë në mikroskopin e trajnerit Kristodopulo. Në rast të një përgjigjeje pozitive, ai do të jetë edhe blerja e parë për skuadrën e Olimpikos Nikozia, ku do të duhet të zërë vendin e bashkëkombësit dhe shokut të skuadrës te Kombëtarja e Shqipërisë, Arjan Beqaj. Ky i fundit është pranë prishjes përfundimtare të kontratës me klubin. Por një gjë e tillë po rezulton më e vështirë sesa ishte menduar. Kur mendohej se do të kishte një divorc paqësor për shkak të dëmtimeve të shumta që kanë shqetësuar portierin kosovar, ky i fundit edhe dje ka mbrojtur pretendimet financiare në lidhje me dëmshpërblimin, gjë që nuk është pranuar nga klubi. Sot priten të reja të tjera në lidhje me këtë çështje.