E Diel, 1 Nëntor 2026

Mungesat furnizimet me barna ne muajin mars

Çelja e procedurave tenderiale do të bëhet në muajt e parë të 2011-s

Barnat spitalore të qendrës universitare “Nënë Tereza” do të blihen me “shumicë” vetëm pas lëvrimit të fondeve të buxhetit të shëndetësisë pas vitit 2011. Çelja e procedurave, realizimi i tenderëve e deri në sjelljen e stokut të medikamenteve të para nga ana e grosistëve, kërkon minimalisht dy muaj e gjysmë kohë.

Nga ana tjetër, blerje të vogla deri në 300 mijë lekë të reja mund të realizohen vetëm nëpërmjet procedurave të shpejta, të njohura nga legjislacioni në fuqi. Deri në ardhjen e furnizimeve të reja, pacientët do të duhet të presin, ose t’i sigurojnë barnat në mënyrë private. Aktualisht në farmacinë e madhe të qendrës spitalore universitare “Nënë Tereza” nuk gjenden të gjitha llojet e trajtimeve. Po ashtu, një pjesë e barnave për sëmundje të vështira, për pacientët me tumore, për të sëmurët me leucemi apo edhe për të tjerë qytetarë që aktualisht trajtohen për probleme të rënda shëndetësore ka mungesa medikamentesh. Edhe pediatria e specialiteteve ku trajtohen fëmijë me probleme serioze shëndetësore, barnat specifike, për kura të specializuara mungojnë. Fëmijët e vegjël bashkë me pacientët e rritur duhet të presin vitin e ardhshëm për realizimin e blerjeve të mëdha e më pas furnizimin e qendrës me ilaçe e kura. Pavarësisht mungesës së fondeve, shpenzimeve të kryera për herë të fundit në muajin shtator, ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, pak ditë më parë ka dhënë urdhër që me rastin e festave e rritjes së fluksit të pacientëve me viroza e grip, institucionet në varësi të shëndetësisë të marrin masa paraprake. Sipas urdhëresës, çdo institucion duhet të sigurojë medikamente, barna e trajtime për të përballuar urgjencat, si dhe për të trajtuar të gjitha rastet e emergjencave gjatë ditëve të fundit të vitit e javës së re të 2011-s.

“Të gjitha institucionet shëndetësore të jenë në gatishmëri të plotë për të administruar çdo rast apo fluks rastesh të paraqitura me grip. Të sigurojnë furnizimin me oksigjen kryesisht për repartet e shërbimit të urgjencës, të shërbimit të sëmundjeve infektive, të sëmundjeve pulmonare, terapisë intensive, furnizimin me pajisje me mjete mbrojtëse personale, maska, doreza dhe syze, furnizimin me lëndë dezinfektuese, furnizimin me materiale informative dhe edukuese, postera, fletëpalosje për gripin”, thuhet në urdhëresën e ministrit Vasili. Sipas detyrave të lëna nga kreu i Shëndetësisë, të gjitha drejtoritë spitalore duhet të sigurojnë sasinë stok të preparatit antiviral oseltamiriv (Tamiflu).

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›