E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dibër, zbardhet vrasja e ndodhur para 13 viteve

Drejtoria e Krimeve të Rënda të Departamentit për Hetimin e Krimeve në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë në bashkëpunim me Drejtorinë e Policisë së Qarkut Dibër dhe Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Mat kanë arritur të zbardhin një ngjarje të rëndë të ndodhur para 13 viteve në këtë qark. Sipas burimeve të policisë zbardhja e ngjarjes u bë si rezultat i hetimeve intensive prej 2-vjetësh, duke përdorur metodat speciale të hetimit. Kështu policia bëri të mundur edhe zbulimin e autorëve të vjedhjes me armë me pasojë vrasjen e shtetasve Asllan Meçi dhe Rasim Elezi, ngjarje e ndodhur në datën 19.11.1996 në vendin e quajtur Shënlleshën të rrethit Dibër.
Autorët e këtij krimi, emrat e të cilëve nuk bëhen publike për arsye hetimi, të armatosur dhe të maskuar, u kanë dalë përpara autobusit të pasagjerëve të Komunës së Reçit, kanë vrarë drejtuesin e autobusit shtetasin Rasim Elezi dhe arkëtarin e Komunës shtetasin Asllan Meçi dhe më pas kanë marrë lekët e Komunës, një shumë rreth 12 milonë lekë të vjetra, e janë larguar nga vendi i ngjarjes.
Për autorët e kësaj vepre penale, nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Dibër, me ka caktuar masën e sigurisë "Arrest me burg".
Ndërkohë sipas policisë autorët e këtij krimi kanë rezultuar të jenë autorë të dyshuar edhe të disa veprave të tjera të rënda penale, të ndodhura në kohë të ndryshme në Qarqet Dibër dhe Tiranë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›