E Diel, 1 Nëntor 2026

Dibra: Vllaznia prodhon gjithnjë lojtarë të mirë

Nga Gjergj Kola

Trajneri i Vllaznisë U-19, Ilir Dibra, tregon shkaqet pse skuadra e tij nuk është e para, ndonëse vetëm një pikë larg kreut

Sezonin e kaluar ka dalë kampion me 19-vjeçarët e Vllaznisë, por atëherë si zëvendëstrajner. Sivjet është trajner i parë me këtë ekip dhe kërkon sërish të njëjtin sukses. Ilir Dibra, në analizën që i bën ecurisë së fazës së parë arrin të gjejë edhe gabime, por njëkohësiht mendon se ekipi i tij ka mundësi për shumë më tepër. Prandaj dhe ai beson tek suksesi sërish. Këto i ka bërë të qartë në intervistën e tij për Sportin shqiptar.

- Zoti Dibra, është mbyllur faza e parë dhe Vllaznia është në vendin e tretë të renditjes, vetëm një pikë larg vendit të parë. Jeni i kënaqur me ecurinë e ekipit tuaj?

-Përgjithësisht po. Kemi pasur edhe ne luhatjet tona gjatë kësaj faze dhe ndoshta kemi lënë më shumë pikë se çduhet rrugës. Me shumë pak kujdes, sot ndoshta do kishim pasur shtatë pikë më shumë dhe do të kishim qenë të parët në renditje, por edhe kështu nuk jemi keq.

- Çfarë ka ndikuar në lënien e këtyre pikëve?

-Kemi pasur dy probleme. I pari, ai i grumbullimit të tre lojtarëve kryesorë të skuadrës, Demës, Tafës dhe Gurit, me ekipin kombëtar të 19-vjeçarëve, pikërisht para ndeshjeve tona decizive. Edhe kur u kthyen, na ndodhi dukuria tjetër, ajo e kalimit të disa prej lojtarëve tanë kryesorë tek ekipi i parë. Kjo solli njëfarë rrëmuje, sepse ne, si trajnerë, nuk e kishim të qartë se cilët lojtarë do të kishim në dispozicion për ndeshjet tona. Kjo ndikoi në njëfarë mënyrë në ecurinë tone, sepse do të kishim qenë absolut në vendin e parë.

- Megjithatë, e rëndësishme është që këta lojtarë po i shërbejnë ekipit të parë, apo jo?

- Ne për këtë punojmë, të çojmë sa më shumë elementë cilësorë tek ekipi i parë. Sigurisht që edhe unë si trajner ndiej shumë kënaqësi kur shoh lojtarët e mi: Demën, Markolajn, Tafën, Gurin, Balën e ndonjë tjetër, duke luajtur me ekipin e parë.

- Kjo do të thotë se janë elementë me perspektivë të qartë për të ardhmen?

- Pa diskutim. Dhe jo vetëm 5 lojtarët që përmenda më sipër. Nga grupi i futbollistëve të ditëlindjes 1993 mund të përmend edhe Jubanin, Krujën, Mujecin e Lekajn, që janë elementë shumë të mirë. Për të kaluar pastaj te grupi i futbollistëve me datëlindje 1994, ku përmend Nikshiqin, Idrizin, Ymerin, Hepajn e ndonjë tjetër. Ne, si trajnerë, kemi pasur prioritet aktivizimin e lojtarëve me ditëlindje më të madhe, por me kalimin e shumë prej tyre tek ekipi i parë, kemi aktivizuar edhe ata me ditëlindje më të vogël, të cilët e kanë justifikuar plotësisht besimin. Kjo na bën optimistë për të ardhmen.

- Akademia e Vllaznisë shquhet për rezultate të mira. Si e shpjegoni një ecuri të tillë?

- U bënë disa vite që tek akademia e Vllaznisë po punohet në mënyrën e duhur. Ka rezultate shumë të mira, shoqëruar me disa tituj kampionë, por mbi të gjitha nga këto ekipe dalin sportistë shumë të mirë. Mes gjithë trajnerëve të akademisë ka një harmoni mjaft të mirë, merremi vesh dhe shkëmbejmë informacione për lojtarët në çdo moment. Dua të evidentoj gjithashtu marrëdhënien shumë të mirë që kam me kolegun tim Alban Noga, me të cilin jam munduar të bëj një punë shumë serioze.

- Cili është objektivi juaj për fazën e dytë?

- Pa diskutim që do të vazhdojmë në këtë rrugë. Të përgatisim lojtarë të mirë, të bëjmë lojëra të bukura dhe të arrijmë rezultate pozitive. Sigurisht që nuk mund ta fsheh që kam dëshirë të dal sërish kampion, ashtu si vitin e kaluar. Në fazën e dytë ndoshta kontigjentin mund ta kemi më të plotë, sepse duke u plotësuar me lojtarë ekipi i parë, ata 18-vjeçarët që stërviten aktualisht aty mund të kthehen sërish në ekipin tonë. Kjo do të na bëjë më të fortë.


Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›