E Diel, 1 Nëntor 2026

Sinani: Luftëtari favorit, nuk ka surpriza

Nga SOKRAT PAPADHOPULLI

Mbrojtësi gjirokastrit Besmir Sinani thekson se ekipi i tij nuk do ta diskutojë fitoren, falë përbërjes cilësore që ka

Rezultatet e Luftëtarit në fushën e tij janë maksimale, kurse ato të Kukësit në transfertë janë mesatare, sikundër mund të shihen në tabelën e renditjes pas javës së 13-të. Kjo në njëfarë mënyre do të thotë se më afër fitores është i pari, përderisa luan aty ku është i pathyeshëm, por për të vazhduar të jetë i tillë duhet të luftojë edhe më rreptë, sepse të shtunën pret kundërshtarin më të fortë në Gjirokastër.

Për këtë përballje të dyja palët janë përgatitur dhe vazhdojnë të përgatiten deri në çastin e fundit si për një finale, ndoshta për titullin kampion të fazës së parë, që shërben edhe për të dalë kampion i kategorisë, ose më minimalja për ngjitjen direkte në superiore. Luftëtari do të luftojë për fitore, sepse barazimi në fushën e tij është më afër humbjes.

Gjirokastritët kanë avantazhe për të marrë rezultatin e dëshiruar, ndoshta, nëse nuk është premtuar, do të duhet edhe ndonjë nxitje financiare, që, me sa thuhet, për Kukësin ekziston, madje e bujshme. Sidoqoftë, nuk janë gjithmonë paratë stimuluesi themelor.

Sinani Mbrojtësi gjirokastrit Besmir Sinani shprehet: Do na mbetet peng, ndoshta për tërë jetën, nëse nuk fitojmë ndeshjen e fundit në Gjirokastër për fazën e parë, që do të jetë e 8-ta në seri, gjë që nuk është bërë kurrë më parë nga ekipi gjirokastrit. Nga ky këndvështrim, ndeshja merr përmasat e një finaleje, edhe pse nuk është kjo që përcakton se cili nga ekipet do ta marrë biletën për superligën.

Luftëtari këtë sezon, me një përbërje ndoshta edhe superlige, me një përvojë të gjatë në kategorinë e parë dhe me disa futbollistë me përvojë superlige në të gjitha aspektet, është i përgatitur për tu ndeshur me çdo ekip tjetër të kategorisë së parë  dhe të dalë fitimtar. Këtë mund ta bëjmë fare mirë edhe me Kukësin, që, në fund të fundit, nuk është gogol, siç mund të flitet nga ndonjëri.

Dihet që çdo ndeshje futbolli ka pretendentin apo favoritin për fitore, por ndërkaq ekzistojnë edhe surprizat. Sipas meje, favorit në Gjirokastër është Luftëtari dhe nuk do të ketë surprizë, gjithmonë nëse do të luajmë me grintën tonë, këtë radhë maksimale.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›