Besa, Magani kërkon fitoren e radhës ndaj Ilirisë
Trajneri peqinas, Gugash Magani, thekson se tashmë po sheh skuadrën që kishte dashur që në fillim të kampionatit
Fitoret radhazi e kanë rritur ndjeshëm optimizmin në kampin kavajas. Në prag të ndeshjes me Ilirinë, trajneri Gugash Magani shprehet i bindur se ekipi i tij do të arrijë fitoren e radhës. Gjatë tri javëve të fundit kam parë Besën që kam dashur që në fillim të kampionatit. Skuadra ka bërë pikërisht atë që kam dashur dhe që kam këmbëngulur, ka luftuar fort për 90 minuta, duke pasur besim në vetvete.
Besoj se do të ecim në këtë vazhdë, sepse tashme kemi edhe moralin e duhur. Besa është rritur ndjeshëm javët e fundit dhe tani nuk na mbetet gjë tjetër, veçse të synojmë fitoren e radhës me Ilirinë, që nuk është më e fortë se ne. Lojtarët janë të ndërgjegjshëm për vështirësitë e kampionatit dhe të motivuar për ta çuar skuadrën në vendin që i takon. Duke parë gjendjen aktuale, mund të them se Besa nuk ka nevojë për shumë përforcime gjatë merkatos së janarit.
Dihet që javët e para kemi pasur dobësi, gjë që e vërtetojnë edhe rezultatet, por tani gjëra po shkojnë ndryshe. Mendoj se çdo gjë po shkon në vendin e duhur. Në 3 ndeshjet e fundit Besa ka shënuar 8 gola dhe ka pësuar vetëm 2. Lojtarët të rëndësishëm të skuadrës, si Mihani, Poçi, Roshi apo ndonjë tjetër, kanë gjetur formën e tyre më të mirë.
E ritheksoj me bindje të plotë se tani kam Besën që mendoja që kur mora përsipër përgjegjësitë për ta drejtuar atë. Do të thosha se me tri përforcime para fazës së dytë, do ta çojmë Besën në krye të tabelës, – ka përfunduar trajneri i skuadrës kavajase, Gugash Magani.
