E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dido: Falë Eminemit, popi më shpëtoi nga çmenduria

Pavarësisht se trembëdhjetë vjet më parë përfundoi rastësisht në qendër të vëmendjes, me një emër të çuditshëm lidhur me mitologjinë dhe me një mbiemër, Armstrong, që evokon udhëtimet ndëryjore, ende këmbëngul se pasioni i saj është t‘i bjerë baterisë. Të gjithë më thoshin se nuk është për femra, më mirë përqendrohu te pianoja", tregon Dido 36-vjeçare, me një fytyrë engjëllore, më të bukur se dhjetë vjet më parë kur publikoi "No angel", për të vazhduar më pas me "Thank You" dhe "Stan", që e bëri të paarritshme bashkë me Eminemin. Kështu arriti të pushtojë tregun ndërkombëtar: "Diskun e Platinit" në 35 vende, 15 milionë kopje të shitura të CD-së së parë. Mamaja poeteshë, babai botues, ndërsa vëllai lideri i një grupi të suksesshëm "Faithless" (5 milionë kopje të shitura me albumin "Reverence" në vitin 1995). "Nga unë të gjithë prisnin shumë, ndoshta sepse kam lindur ditën e Krishtlindjeve, ndoshta sepse me këtë emër bombastik, (Dido Florian Cloud de Bounevialle O‘Malley Armstrong), që kur isha në shkollë më vinte gjithmonë në siklet. Që atëherë të gjithë mendonin se duhet të isha shumë e zonja për të ecur e vetme dhe e pavarur në rrugën e jetës. Por për shumë vjet kam qenë thjesht një fanse e muzikës dhe asgjë më tepër. Adhuroja ‘Police‘ dhe më pëlqente jashtëzakonisht shumë Senead O‘Connor, Van Morrison dhe më mrekullonte talenti i të kompozuarit të këngëve të Carole King dhe sharmin e Annie Lennox. Disku i parë që kam blerë në jetën time ka qenë ‘Haunds of Love‘ i Kate Bush", thotë duke rregulluar kanotierën që mban veshur, në të cilën i dallohet qartë gjoksi i vogël si prej adoleshenteje. Kënga e re "Don‘t belive in love", është më e shkarkuara në iTunes dhe më 14 nëntor, 5 vjet nga "Life for rent", Dido do të nxjerrë në treg "Safe trip home", albumi i saj i tretë i realizuar në bashkëpunim me Jon Brion dhe Brian Eno, bashkautor i mrekullueshëm i "Grafton Street" kushtuar babai të saj, Uilliam, i cili vdiq dy vjet më parë. "Chris Martin i ‘Coldplay‘ më pati thënë: Eno është një artist i mrekullueshëm. Prej shumë kohësh doja të bashkëpunoja me të, por sinqerisht nuk e mendoja se vetëm një ditë e kaluar së bashku do të na sillte kaq shumë rezultate. Duke i dëgjuar sërish disqet e tij të vjetër, mes të cilëve ‘Another Green Wolrd‘, që është i paarritshëm, e kuptova se sa artist i madh është". Pas suksesit amerikan, Dido u magjeps nga Los Anxhelosi dhe bleu një shtëpi jo shumë larg nga vila e mikut të saj të ngushtë fotograf. "Tani ndihem edhe pak amerikane dhe bëj tifo për Obamën. Pushteti i SHBA-së është kaq i madh, sa të gjithë, kudo që jetojmë, duhet të votojmë për zgjedhjet presidenciale. Ai po që do të ishte rezultati i vërtetë. Shtëpia ime? Ishte një lloj rifuxhoje në stilin hipi, të cilën e shita. Por aty kam kaluar net të magjishme duke dëgjuar Al Green, Neil Joung dhe Neville Brothers të ‘Yellow Monn‘", tregon. Duket shumë e turpshme për të na treguar se brenda saj i dha fund historisë së dashurisë me avokatin Bob Page, histori që zgjati plot 7 vjet. "Më shumë se e turpshme e quaj veten ngordhalaqe. Në moshën gjashtëvjeçare, kur nisa edhe klasën e parë, për gjashtë muaj me radhë nuk shqiptova as edhe një fjalë. Muzika ishte një mënyrë për të dalë nga kjo gjendje dhe më bëri të gjeja mënyrën për të komunikuar dhe për të bashkëjetuar me frikërat e mia, ndër të cilat edhe çmenduria", thotë me shaka. Përfundimi i historisë së saj të dashurisë ka influencuar shumë nga lirikat e albumit të saj "Safe trip home", por në thelb Dido ka ngelur e njëjtë me atë të "White flag". Duke shpërfillur faktin se skena angleze mbështet tashmë një brez të ri divash dhe këngëtaresh të talentuara si Amy Winehouese, Adele, Duffy. "Mendoj se të gjithë fansat prisnin një ndryshim stili në albumin e tretë. Është e vërtetë që industria e muzikës nuk është e njëjtë me atë të 5 viteve më parë, por besoj se njerëzit kërkojnë gjithmonë cilësi", shpjegon këngëtarja 36-vjeçare. "Dua të them se shkarkimet nuk e kanë çuar në krizë talentin e Dylanit, apo Eno-s. Nëse nga njëra anë ka ‘dënuar me vdekje‘ dhe ka nxjerrë përfundimisht nga moda disqet, nga ana tjetër u ka dhënë mijëra të rinjve që nuk kanë as kontrata, as siguri, mundësinë për të treguar veten. Për këtë arsye, tek ‘Safe trip home‘ kam kërkuar me ngulm që të jem vetvetja, t‘i shpreh ndjenjat e mia, emocionet e mia në atë mënyrë që më përshtatet më shumë. Sekreti i komunikimit përmes popit është një mrekulli e vogël që krijohet kur një melodi tërheq vëmendjen e publikut dhe hyn në zemrat e njerëzve dhe, në një farë mënyre, bëhet pjesë e jetës së tyre. Jam e bindur se ndershmëria e artistëve është gjëja që prek më shumë publikun në periudha tranzicioni si këto. Unë vetë blej më pak CD dhe shkarkoj këngë nga iTunes. Por, më mungojnë dyqanet e disqeve, i mrekullueshmi ‘Tower Records‘ që kisha në fund të rrugës". Më pas, Dido shton se në fillimet e saj nuk kishte shumë pretendime, i mjaftonte miratimi nga vëllai dhe duartrokitjet e jo më shumë se 50 vetave në lokalin e vogël ku këndonte. Por suksesi do të ishte planetar. "Në Amerikë, teksa dëgjoja këngët e mia në taksi, në hollet e hoteleve, në magazinat e mëdha, më jepte një eufori të jashtëzakonshme. Këtë dua të bëj në jetë, të kompozoj dhe të këndoj këngë që njerëzit i dëgjojnë me gjithë qejf në radio. Çfarë mund të dua më shumë? Kam qenë edhe një vajzë me fat, sepse nëse do të kisha nisur të këndoja tani në epokën e këngëve që dëgjohen vetëm njëherë dhe pastaj nuk u kushton më njeri vëmendje, do të kisha pasur më pak fat". Nëse mund të mendosh për të ardhmen, ku e shikon veten Dido pas dhjetë vjetësh? "Si bateriste e ndonjë grupi të ndonjë artisti tjetër. Kjo është ëndrra ime që fëmijë dhe shpresoj të realizohet një ditë, sepse ëndrrat nuk vdesin kurrë, edhe nëse nuk realizohen".

Albumi

Albumi "Safe trip home" do të dalë më 14 nëntor, plot pesë vjet nga ai i fundit, "Life for rent". Kënga "Don‘t belive in love" është më e shkarkuara nga iTunes. Albumi i tretë i këngëtares është prodhuar nga Jon Brion dhe "magjistari" Brian Eno



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›