Dielli, një mik më shumë për njeriun
Dielli të bën mirë, ose jo aq keq sa mendonim: prej pak kohësh janë bërë disa studime të cilat tregojnë të mirat e një ekspozimi korrekt ndaj rrezeve ultravjollcë. Për ta vërtetuar këtë, gjatë ditëve të kaluara, studiuesi Oliver Gillie i departamentit “Health Research Forum” të Londrës, ka folur për “vjedhjen e diellit”, duke iu referuar disa analizave të bëra nga vetë ai: rezultati i studimit i publikuar edhe në “Molecular Nutrition and Food Research”, është pikërisht një rritje e frekuencës së sëmundjeve si diabeti, tumoret, kardiopatitë dhe skleroza. Në fakt, duket se dielli ndihmon në parandalimin e sëmundjeve të lartpërmendura (në ndonjë rast hidhen hipoteza, se ai kontribuon edhe në shërimin e tyre), sepse një nga efektet e tij kryesore është stimulimi i sintezës së vitaminës D në lëkurë. Vitamina D, e cila 90 për qind prodhohet nga dielli dhe vetëm 1 për qind e marrim nga ushqimet, është shumë e rëndësishme për organizmin e njeriut. Meqë mund të merret lehtësisht nga drita e diellit, ndryshe nga të tjerat që merren përmes ushqimeve, është cilësuar si vitaminë ekonomike. “Vitamina D nxit prodhimin e substancave antibakteriale: jo më kot, para marrjes së antibiotikëve, pacientët që kanë probleme si infeksione kronike apo tuberkulozi këshillohen nga mjekët që të bëjnë banja dielli. Gjithashtu vitamina D është edhe një antitumoral: ndalon për shembull një enzimë, ‘aromatas’, e cila përdoret në barnat kundër kancerit. Përveç kësaj, ka edhe një veprim që mund të jetë i dobishëm kur sistemi imunitar është tepër aktiv, si në rastin e sëmundjeve autoimune ose patologjive me një përbërës të lartë imunitar dhe inflamator, të tilla si ‘psoriasis’”, thotë një profesor doktor.
Jo vetëm vitamina DVitamina D ka shumë efekte të tjera pozitive mbi shëndetin dhe kockat. Ekspozimi në diell nuk do të thotë vetëm prodhimi i kësaj vitamine të çmuar: rrezet ultravjollcë rregullojnë metabolizmin në lëkurë (një bekim për personat që vuajnë nga ‘psoriasis’, ose nga dermatiti) dhe kanë një veprim dezinfektues sipërfaqësor që zvogëlon rrezikun e infeksioneve të lëkurës. “Dielli është si një shampanjë e ëmbël: të stimulon, të rigjallëron, por nëse e tepron, të helmon”, shkruante në vitet ‘20 sër Henry Gauvain, një doktor anglez. Megjithatë, kujdesi mbetet sërish i rëndësishëm: ekspozimi në diell gjatë orëve të drekës nuk është i rekomanduar, por nëse ju nuk i rezistoni dot dëshirës për të mos qenë në plazh, atëherë duhet të mbroheni me kremra solarë, të përshtatshme sipas tipit të lëkurës. Ndërkaq, për të garantuar disa avantazhe të rrezeve të diellit, nuk është e nevojshme që ju të nxiheni: do të mjaftonte të kalonit më shumë kohë në ajër të pastër për të marrë substancat që ndikojnë në mirëqenien tonë.
“Do të mjaftonin një ose dy orë çdo ditë në natyrë, në lëvizje”, thotë një kronobiolog dhe docent mjekësie në Universitetin Ferrara. “Drita rregullon humorin, duke modeluar sintezën e serotoninës: por të krahasohet me Kaliforninë, ekziston një ‘humnerë’ e madhe mes shkallës së depresionit dhe vetëvrasjeve në Europën Veriore. Veç të tjerash, ekspozimi ndaj një drite të fortë, zvogëlon sintezën e melatoninës, e cila nxitet më pas nga errësira: rezultati është një cikël i mirë gjumë-zgjim, me shumë efekte pozitive mbi shëndetin”. Metabolizmi funksionon më mirë, ndërkohë që ulet rreziku i sëmundjeve: një prodhim i rregullt i melatoninës, për shembull, duket se lidhet me probabilitetin e vogël të shfaqjes së tumorit të gjirit dhe zorrës së trashë. Për më tepër, dielli në masën e duhur shmang “sindromën e keqndriçimit”, që prek personat të cilët kalojnë pjesën më të madhe të ditës mbyllur në shtëpi. Simptomat? Lodhje, përgjumje, izolim, jetë sedentare, kile të tepërta. Personat që qëndrojnë gjithë ditën mbyllur në shtëpi, janë më të rrezikuar nga miopatia e lartë, sepse retina nuk stimulohet ashtu siç duhet për të prodhuar dopaminën, transmetues që parandalon zgjatjen e tepruar të kokërdhokut të syrit, në bazë të defektit. Vitamina D konsiderohet si “vitamina e çudirave”. Pas një studimi të gjatë 40-vjeçar, u zbulua se një dozë e përditshme mund të përgjysmojë rrezikun e kancerit të gjirit dhe të zorrës së trashë. Studimi ka treguar se ajo luan një rol shumë të rëndësishëm në parandalimin nga sëmundjet e zemrës, kancerin, diabetin, tensionin e lartë, skizofreninë dhe sklerozën. Po ashtu ndihmon edhe në forcimin e kockave. Mungesa e ndjeshme e kësaj vitamine në Hemisferën e Veriut bën që banorët e këtyre vendeve të vdesin para kohe për shkak të sëmundjeve të ndryshme. Një studim tjetër ka nxjerrë në pah të mirat social-ekonomike të ekspozimit në diell, të cilat janë më të mëdha se rreziqet e tij (në Shtetet e Bashkuara mund të shmangej çdo vit vdekja e 50 mijë personave nga tumori, nëse të gjithë do të kishin mjaftueshëm vitaminë D në organizmin e tyre. Nga kanceri i lëkurës vdesin çdo vit më shumë se 10 mijë persona). Pra duket se ka ardhur ora të rivlerësohen në maksimum banjat e diellit.
#