Vlorë, pritet shtesë e personelit mjekësor
Drejtoresha e Shëndetit Publik në Vlorë, Brunilda Ndreu, për masat e sezonit në fshatrat turistikë të Vlorës është shprehur se “deri në ditën e sotme nuk është marrë asnjë masë për shtimin dhe përmirësimin e kushteve të qendrave të fshatrave që do të presin turistë në këtë sezon”. Ndreu ka sqaruar se është data 18 qershor dita që priten buxhete nga Drejtoria e Burimeve Njerëzore. Deri më sot, në të gjitha fshatrat turistikë të Vlorës nuk është marrë asnjë masë. Sipas Ndreut, Drejtoria e Shëndetit Publik është në pritje që, sipas propozimeve, të ketë rritje të burimeve njerëzore. Në qendrat shëndetësore në zonat turistike deri tani nuk ka shtim në radhët e personelit. Aktualisht janë në punë mjekët dhe infermierët, që kanë shërbyer gjatë gjithë vitit. Por pritet që me shtimin e turistëve do të ketë edhe rritje të fluksit të pacientëve që paraqiten për ndihmë dhe kujdes shëndetësor. “Ne si drejtori kemi bërë kërkesat tona në ministri për shtimin e shërbimit në këto zona, si për mjek ashtu edhe për autoambulanca. Jemi në pritje të plotësimit të kërkesave tona, pasi të gjitha këto zona kanë nevojë si për shtim të personelit mjekësor, personelit teknik ashtu edhe për autoambulanca që aktualisht mungojnë”, theksoi Ndreu.
#