E Diel, 1 Nëntor 2026

Helmet, antidotet edhe në spitalet e rretheve

Turizmi Zona bregdetare, mjekë me kontratë verore. Për rastet e emergjencave, gati njësia e helikopterëve

Këtë vit sezoni turistik është premtuar se do të jetë më i organizuar dhe më i sigurt sesa vitet e kaluara. Të paktën këtë vit, ata që do të pickohen nga gjarpri, merimanga e zezë apo nga mushkonja tigër, nuk do të vijnë deri në Tiranë për të gjetur shpëtim. Sot pritet të firmoset një urdhër për shpërndarjen e antidoteve për të gjitha llojet e helmimit që janë evidentuar deri tani në territorin e Shqipërisë. Duke u nisur nga mungesa e informacionit apo kërkesat e spitaleve rajonale për këtë sezon turistik, Ministria e Shëndetësisë ka marrë vendimin për të shpërndarë lëndët e shpëtimit kundër pickimeve të ndryshime, edhe në spitalet rajonale. Konkretisht, sipas drejtorit të politikave shëndetësore në Ministrinë e Shëndetësisë, Pëllumb Pipero, tashmë pritet të mbërrijnë sasitë e dozave të medikamenteve që përdoren në rastet e pickimeve. Insekte si merimanga e zezë, e mbiquajtur “Vejusha e zezë”, mushkonja tigër apo specie të tjera të rrezikshme për shëndetin e njeriut, janë vdekjeprurëse në rast se nuk merret medikamenti neutralizues i helmit të transmetuar nga to. Vitet e kaluara ka pasur probleme për sa i takon udhëtimit të gjatë dhe të sforcuar, tensionues dhe rraskapitës që duhet të bëjnë me automjete, pacientët nga jugu apo nga veriu i vendit për në Tiranë. Kryesisht rastet e helmimeve apo pickimeve janë trajtuar nga qendra e toksikologjisë pranë Spitalit Ushtarak në kryeqytet. Për këtë vit mësohet se një pjesë e mirë e produkteve që kanë qenë vetëm “monopol” i Tiranës, do të shpërndahen edhe në spitalet rajonale, për më shumë lehtësi për mjekët, pushuesit, banorët e zonave të thella apo edhe turistët.

Nga ana tjetër, masa që pritet të hyjë në zbatim brenda pak kohësh është shtimi i personelit mjekësor me specialistë shtesë për sezonin e verës, kryesisht në zonat ku do të drejtohen pushuesit dhe turistët. Do të ketë më shumë mjekë që do të mbulojnë vijën bregdetare. Por po ashtu do të kontraktohen edhe mjekë që do të jenë të detyruar të shërbejnë në fshatra turistikë, atje ku nuk ka qendra të mirëfillta shëndetësore. Sakaq, njësia e helikopterëve në Tiranë do të jetë në gatishmëri për të gjitha rastet e urgjencave dhe pacientëve që duhet të trajtohen me përparësi në qendra të specializuara shëndetësore si spitalet universitare.

Këtë vit, urdhrat për garantimin e një turizmi të shëndetshëm janë marrë në datën 18 maj. Ministri i Shëndetësisë ka firmosur një shkresë dërguar të gjithë inspektorateve të shëndetit, drejtorive dhe autoriteteve shëndetësore në të gjithë vendin. Prioritet ka uji i pijshëm, që si në çdo sezon turistik do të ketë përmbajtje më të lartë klori. Norma më e lartë e sasisë së klorit në ujin e pijshëm, eviton përhapjen e ndonjë epidemie në rrjetin e ujësjellësit, që shpeshherë mund të jetë i amortizuar ose bosh, për shkak të kufizimeve.

Në kuadër të marrjes së masave, kërkohet kontroll i rreptë e madje gjobitje e penalizime për subjektet që nuk kanë punonjësit e kuzhinës me sigurime shëndetësore, të ekzaminuar e që gëzojnë shëndet të plotë. Hotele, restorante, pika shitje, tregje ushqimore, do të kalojnë të gjitha në sitë, sidomos në qytetet turistike.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›