Dietat, RENEA dhe Specialet, miliona lekë pa marrë nga shteti
TIRANË - Të paktën 600 punonjës policie të strukturave speciale, që nisin nga RENEA, Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë dhe të njësive operacionale, nuk janë paguar ende që prej fillimit të këtij viti për dietat dhe orët shtesë që u takojnë sipas ligjit. Nga të dhënat është mësuar se çdo punonjësi të këtyre reparteve u takon të paktën 25 mijë lekë për çdo muaj, shumë që nuk e kanë marrë ende. E kjo është vetëm për dietat, pasi orët suplementare ata nuk i kanë marrë që nga fillimi i këtij viti. Kreu i Sindikatës së Policisë së Shtetit ngre për të disatën herë shqetësimin duke u bazuar në ankesat e forcave speciale, kërkesat e të cilëve deri tani kanë rënë në vesh të shurdhër. Sipas Sadetin Fishtës, nëse nuk kthehet përgjigje brenda vjeshtës, atëherë rruga e vetme mbetet gjykata, ku mes të paditurve do të jetë edhe qeveria. “Pasi të evidentojmë në mënyrë të saktë për të gjitha strukturat, do t’i drejtohemi gjykatës për t’i detyruar organet për të paguar këto orë që janë hequr nga pagat e punonjësve të policisë”, - deklaroi gjatë ditës së djeshme, Sadedin Fishta, kreu i Sindikatës së Policisë.
Heqja e dietave
Nuk ka më orë shtesë apo dieta për 9600 efektivët e Policisë së Shtetit. Heqja e tyre është bërë me anë të një vendimi të qeverisë, i pabërë publik ende. Burime nga uniformat blu kanë të diturse vendimi i marrë ka mbërritur para pak ditësh në të gjitha drejtoritë e policive të qarqeve në vend. Në këtë mënyrë, kriza ekonomike po ndikon dhe në Policinë e Shtetit, duke ulur shpenzimet. Siç mësohet, ky vendim ka sjellë pakënaqësi të mëdha në radhët e efektivëve blu, të cilët nën zë janë kundër këtyre kufizimeve. Të ndodhur në një situatë kur puna është orar e pa orar, efektivët e policisë tani do të jenë dhe pa trajtimin suplementar që e merrnin rrallë. Por nuk janë vetëm orët suplementare që u janë hequr efektivëve të policisë. Siç është mësuar, tani dhe dietat nuk do të jepen më kur një oficer policie lëviz në rrethe të ndryshme të vendit apo dhe jashtë Shqipërisë. Sipas një burimi në polici është bërë e ditur se ky vendim nuk do të jetë i përhershëm, por deri në një komunikim të dytë, që siç është bërë e ditur, mund të merret në dhjetor të 2010-s.
Lejet
Mes problemeve me lekët për Policinë shqiptare, kreu i Sindikatës ngre edhe ankesën e mospagimit të Policisë Rrugore për pushimet e vitit të kaluar, pasi ata e kaluar verën në punë për shkak të trafikut të rënduar nga sezoni turistik. “Sipas ligjit, këto leje, nëse nuk konsumohen deri më 15 mars, paguhen në bazë edhe të kontratës kolektive dhe Kodit të Punës”, - thotë Fishta. Çështja e orëve shtesë dhe dietave ka qenë gjithmonë një problem i pazgjidhur për Policinë shqiptare, veçanërisht për shërbime të kryera jashtë orarit zyrtar për sigurimin e rendit gjatë ndeshjeve të futbollit, protestave të shumta apo operacioneve speciale të kryera në rrethe.
Sa paguhet një orë suplementare
Orët suplementare paguhen 325 për qind mbi pagën ditore të një efektivi policor. Por, edhe për orët mbi punën e zakonshme, shpërblimet janë të ndryshme. Nga roli bazë i nëninspektorit deri në rolin më të lartë drejtues, ndryshojnë dhe pagesat suplementare në varësi të shumës që rritet paga. Ndërkaq, efektivët e policisë ende nuk e kanë ndjerë rritjen e pagave të bëra nga qeveria më 1 korrik 2010. Siç bëhet e ditur, shtesa e pagës nuk është marrë ende dhe pritet që ajo të merret në shtator. Por, ndërsa pagat me rritjen e rrogës nuk janë marrë, ndryshe qëndron me taksat. Të gjitha taksat në muajin gusht janë paguar në bazë të rrogës së re, e jo të së vjetrës.
Ligji: Neni 81:
1) Çdo punë e kryer nga ora 19:00 deri 22:00 jep të drejtën e një shtese mbi pagë jo më pak se 20%.
2) Çdo orë pune e kryer midis intervalit 22:00 deri 06:00 jep të drejtën e një shtese mbi pagë, jo më pak se 50%.
Neni 9: Orët suplementare mund të kompensohen me pushim ose me pagesë shtesë jo më pak se 25% të saj. Orët suplementare të kryera gjatë ditëve të pushimit javor, ose të ditëve të festave zyrtare, kompensohen me pushim, ose pagë të paktën 50% më të madh se orët suplementare të bëra ose paga normale. Kompensimi duhet të jepet jo më vonë se periudha 2 muaj nga dita e kryerjes së punës (shërbimit).
Pranga kryekomunarit, falsifikoi firmën e anëtarit të Këshillit të Komunës
TIRANË - Një operacion policor ka vënë në pranga kreun e komunës së Kalasë së Dodës, Bajram Himallari, në qarkun e Dibrës, me akuzën e shpërdorimit të detyrës dhe falsifikimit të dokumenteve. Arrestimi i tij është bërë pasi me anë të falsifikimit ai ka ndryshuar vendqëndrimin e një anëtari të Këshillit të Komunës, me qëllim largimin e tij nga ky institucion. Sipas hetimeve, anëtari i këtij këshilli votonte kundër vendimeve që donte të merrte kryekomunari dhe për këtë arsye janë bërë dhe falsifikimet. Policia e kryeqytetit tha se në kuadër të operacionit të koduar "Zarfi i Bardhë", është bërë ndalimi i kryekomunarit dhe vënia nën hetim e disa zyrtarëve në Bashkinë Kamzë. Të gjithë këta persona janë vënë nën akuzën e “falsifikimit të akteve të gjendjes civile” dhe “falsifikim të vulës”. Policia e kryeqytetit njoftoi se ka vënë në pranga Bajram Himallarin, 43 vjeç, banues në fshatin Radomir, Dibër, me detyrë kryetar i Komunës Kala e Dodës, i cili do të ndiqet penalisht për "shpërdorim detyre", "falsifikim të vulave dhe stampave", "falsifikim të akteve të gjendjes civile”. Ndërkaq, në kuadër të këtij procedimi penal, sipas policisë, nën hetim në gjendje të lirë është dhe A. H., 33 vjeçe, banuese në Kamzë, Tiranë, me detyrë specialiste pranë zyrës së gjendjes civile, Bashkia Kamzë. Mevlan Ahmati, 49 vjeç, banues në fshatin Radomir, komuna Kala e Dodës, Dibër, me detyrë specialit i zyrës së gjendjes civile, komuna Kala e Dodës, si dhe Abaz Fetah Lama, 55 vjeç, banuese në Kamzë, me detyrë kryeplak i fshatit Laknas, Kamzë, janë duke u hetuar. “Këta shtetas dyshohet se në bashkëpunim me njëri - tjetrin, duke qenë me detyra të specifikuara, kanë falsifikuar dokumentacionin në emër të shtetasit Aldi Hoxha, banues në fshatin Radomir, komuna Kala e Dodës, Dibër, i zgjedhur anëtar i Këshillit të Komunës Kala e Dodës, Dibër, duke e regjistruar si banor të Bashkisë Kamzë, me qëllim që ky i fundit të mos ushtrojë detyrën e anëtarit të Këshillit të Komunës si dhe të mos merrte pjesë në vendimmarrjen e këtij këshilli", -thuhet në komunikatën për shtyp të policisë. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan materiale, aktet e printimit grafik shkrimi, dokumentacion zyrtar, si dhe formularë të falsifikuar. Ndërkaq policia po punon për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet.
Vidhet kromi, policia ndalon katër kamionë
BULQIZË - Policia e Bulqizës ka ndaluar katër kamionë të mbushur me krom të vjedhur. Në orët e vona të mbrëmjes së dy ditëve më parë, blutë e Bulqizës kanë kapur në zonën jugore të minierës kamionë që transportonin 150 tonë krom, me një vlerë prej rreth 25 mijë dollarësh. Sipas policisë, ndalimi i automjeteve u bë i mundur pas një sinjalizimi nga administratori i shoqërisë “Zona D” se katër kamionë kishin vjedhur krom nga miniera dhe po përpiqeshin të largoheshin drejt Qafës së Buallit. Policia ka ndaluar drejtuesit e automjeteve, emrat e të cilëve nuk bëhen të ditur. Ata janë shoqëruar në komisariat dhe janë marrë në pyetje për zbardhjen e çështjes. Këta persona do të akuzohen për vjedhje pasurie në bashkëpunim. Ndërkaq, materialet procedurale i janë kaluar Prokurorisë së rrethit Dibër.
21 Gusht 2010