E Shtunë, 31 Tetor 2026

ISSH: Kush përfiton nga pensionet e posaçme shtetërore



Instituti i Sigurimeve Shoqërore përcakton se kush përfshihet në kategorinë e personave që përfitojnë pensione të Posaçme Shtetërore. Ky pension është një shtesë që jepet me Vendim të veçantë të Këshillit të Ministrave dhe përfitimet për këtë kategori financohen nga buxheti i shtetit. Pension të posaçëm shtetëror përfitojnë ata persona që kanë marr pjesë në lëvizjen e Rilindjes Kombëtare, në atë popullore, në luftën kundër pushtuesve nazifashistë brenda dhe jashtë Shqipërisë. Po kështu nga ky pension përfitojnë personat që kanë marr pjesë në lëvizjet për mbrojtjen e kufirit e ruajtjen e integritetit territorial të Shqipërisë apo në lëvizjen demokratike. Pension të posaçëm përfitojnë personat që kanë arritur rezultate të dallueshme në fushën e shkencës, kulturës, arteve, ekonomisë dhe politikës. ISSH trajtohen me këtë pension edhe ata që kanë vuajtur nga persekutimi politik nën regjimin komunist.
Dokumentet
ISSH përcakton listën e plotë të dokumenteve dhe procedurat që duhet të ndjekin personat e interesuar për të përfituar pensione të posaçme. Kërkesa, propozimi për përfitimin ose shtesën e pensionit të posaçëm shtetëror bëhet nga personi i interesuar , organizatat ose shoqatat si dhe nga titullarët e Ministrive ku punon përfituesi përkatës. Propozimi mund të bëhet gjithashtu edhe nga Kryeministri, Kryetari i Kuvendit dhe Presidenti i Republikës. Kërkesa për të përfituar pension të posaçëm duhet të përmbajë të gjitha të dhënat personale të të interesuarit. Dokumentet që duhen dorëzuar janë; fotokopje e letërnjoftimit elektronik ose certifikatën e gjendjes civile, vërtetim nga Sigurimet Shoqërore nëse merr pension dhe masën e pensionit që merr si dhe vërtetim të KMCAP-it për personat e paaftë për punë. Po kështu personat që kanë merita të veçanta duhet të dorëzojnë kopjet e noterizuara të dokumenteve që vërtetojnë meritat e veçanta si titujt, medaljet, urdhrat. Të përndjekurit politik duhet të paraqesin edhe kopjen e noterizuar të Statusit.
Përfitimi
Instituti i Sigurimeve Shoqërore përcakton masën e përfitimit për personat që përfitojnë pension të posaçëm shtetërore. Ky pensioni nuk mund të jetë më i ulët se pensioni bazë dhe as me i lartë se dyfishi i pensionit bazë, të miratuar në momentin e lindjes të së drejtës. Shtesa e pensionit të posaçëm shtetëror mund të jetë deri në kufirin maksimal, me kusht që shuma e pensionit që i takon nga Ligji Nr. 7703, datë 11.05.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë” me këtë shtesë të mos kalojë dyfishin e pensionit maksimal

A. PENSIONET E POSAÇME SHTETËRORE

Pensioni i Posaçëm Shtetëror është një shtesë që jepet me Vendim të veçantë të Këshillit të Ministrave.

1. Baza ligjore
a) Neni 5, i Ligjit nr. 7703, datë 11.05.1993 “Për Sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar;
b) VKM nr. 429, datë 12.09.2002 “Për kushtet e përfitimit, shumën dhe procedurat e dhënies së pensioneve të posaçme shtetërore dhe të shtesave të pensioneve të posaçme shtetërore”.

2. Kush e përfiton pensionin e posaçëm shtetëror
Pensionin e posaçëm shtetëror e përfitojnë ata persona që:
a) Kanë marrë pjesë në lëvizjen e Rilindjes Kombëtare, në lëvizjet popullore, në luftën kundër pushtuesve nazifashistë brenda dhe jashtë Shqipërisë, në mbrojtjen e kufirit e ruajtjen e integritetit territorial të Shqipërisë, në lëvizjen demokratike dhe që kanë merita të veçanta;
b) Kanë arritur rezultate të dallueshme në fushën e shkencës, kulturës, arteve, ekonomisë dhe politikës;
c) Kanë vuajtur nga persekutimi politik nën regjimin komunist.

3. Procedurat dhe dokumentacioni që nevojitet për të përfituar pension të posaçëm shtetëror
a) Kërkesa, propozimi për përfitimin ose shtesën e pensionit të posaçëm shtetëror bëhet nga:
- Personi i interesuar, nëpërmjet Këshillit të Qarkut të vendbanimit të personit;
- Organizatat ose shoqatat, nëpërmjet Këshillit të Qarkut të vendbanimit të personit;
- Titullarët e Ministrive, ku punon përfituesi përkatës;
- Kryeministri;
- Kryetari i Kuvendit;
- Presidenti i Republikës.
b) Kërkesa duhet të përmbajë gjeneralitetet, emrin, atësinë, mbiemrin, datëlindjen, vendlindjen etj dhe duhet të jetë e shoqëruar me dokumentet, si vijojnë:
- Fotokopjen e letërnjoftimit elektronik ose certifikatën e gjendjes civile;
- Vërtetim nga Sigurimet Shoqërore nëse merr pension dhe masën e pensionit;
- Vërtetim të KMCAP-it për personat e paaftë për punë;
- Kopjet e noterizuara të dokumenteve që vërtetojnë meritat e veçanta si titujt, medaljet, urdhrat etj;
- Kopjen e noterizuar të Statusit të të përndjekurit politik.

4. Masa e përfitimit
Pensionin e posaçëm shtetëror e përfitojnë personat e sipërpërmendur si shtesë mbi pensionin që iu takon nga sigurimet shoqërore, ose si pension nëse nuk përfitojnë pension nga sigurimet shoqërore.
a) Pensioni i posaçëm shtetëror nuk mund të jetë më i ulët se pensioni bazë dhe as me i lartë se dyfishi i pensionit bazë, të miratuar në momentin e lindjes të së drejtës;
b) Shtesa e pensionit të posaçëm shtetëror mund të jetë deri në kufirin maksimal, me kusht që shuma e pensionit që i takon nga Ligji nr. 7703, datë 11.05.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë” me këtë shtesë të mos kalojë dyfishin e pensionit maksimal.

B. PENSIONI PËR MERITA TË VEÇANTA

Pensioni për merita të veçanta është pensioni i caktuar sipas nenit 33, të Ligjit nr. 4171, datë 13.09.1966 “Për Sigurimet Shoqërore në Republikën Popullore të Shqipërisë” dhe do të vazhdojë të paguhet nga organet e sigurimeve shoqërore, deri sa përfituesi të vdesë. Sot pensioni për merita të veçanta nuk llogaritet. Ky lloj përfitimi po vjen drejt mbylljes së tij.

E. SHPËRBLIMI I LINDJES

1. Baza ligjore:
a) Neni 29, i Ligjit nr. 7703, datë 11.05.1993 “Për Sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë“, i ndryshuar.

2. Dokumentacioni:
a) Certifikata e lindjes së fëmijës;
b) Libreza e periudhës kontributive;
c) Vërtetimi i vjetërsisë në punë dhe derdhjet kontributive.

3. Kushtet e përfitimit:
a) Shpërblimi për lindje fëmije i paguhet një personi të siguruar, i cili është nëna ose babai i fëmijës që lind, me kusht që njëri prej tyre të ketë kontribuar për një vit para lindjes së fëmijës;
b) Shpërblimi bëhet i pagueshëm vetëm një herë dhe nëna do të ketë parësi në përfitimin e pagesës, në rast se ajo është e siguruar.

4. Masa e përfitimit:
a) Shpërblimi për çdo fëmijë të lindur do të jetë një shumë e barabartë me 50 % të pagës minimale mujore, të miratuar me VKM, në momentin e lindjes të së drejtës.

F. SHPENZIME VARRIMI

1. Baza ligjore:
a) Neni 42, i Ligjit nr. 7703, datë 11.05.1993 “Për Sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë“, i ndryshuar.

2. Dokumentacioni:
a) Certifikata e vdekjes;
b) Akti i varrimit;
c) Librezë pensioni, në qoftë se përfiton pension.

3. Kushtet e përfitimit:
Pagesa për shpenzime varrimi i jepet:
a) Një personi të siguruar ose një pensionisti, në rast vdekjeje të një anëtari të familjes, që ai ka në ngarkim;
b) Atij që u kujdes për personin e siguruar të vdekur dhe pagoi shpenzimet e varrimit.

4. Masa e përfitimit:
a) Për pensionistët që përfitojnë pension shteti kryhet një pagesë prej një pensioni bazë minimal të shtetit, në momentin e lindjes të së drejtës, miratuar me VKM;
b) Për pensionistët që përfitojnë pension fshati kryhet një pagesë në masën e një pensioni bazë fshati, në momentin e lindjes të së drejtës, miratuar me VKM.

21 Gusht 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›