E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: “Qeveria nuk lufton korrupsionin, lë të lirë të akuzuarit para Drejtësisë”



Partia Socialiste ka akuzuar qeverinë se nuk po lufton korrupsionin, pasi të gjithë të dërguarit para Drejtësisë janë lënë të lirë. Kreu socialist, Edi Rama, në një bashkëbisedim dje me gazetarët, u shpreh se në këto kushte, qeveria nuk mund të luftojë korrupsionin, pasi është kthyer vetë në shëmbëlltyrën e tij. Lideri i opozitës deklaroi se me ardhjen në pushtet PS-ja do të realizojë transparencën më të madhe të 20 viteve të fundit për lejet koncesionare dhe për gjithçka që ka të bëjë me grabitjen e pasurisë së shqiptareve nga bizneset e lidhura me politikën. Rama është ndalur edhe te gjendja ekonomike. Lideri i opozitës ka vijuar të shprehet se shifrat e qeverisë për rritje ekonomike janë fiktive dhe se ekonomia e vendit është në mjerim. Ai tha se kriza e qeverisë ka qenë gjenerator i rrënimit ekonomik. Rama tha se PS-ja po llogarit dëmin ekonomik të korrupsionit dhe se borxhi publik është 100 për qind, ndërsa borxhi zyrtar real është 60 për qind. Më tej, Rama, në bashkëbisedimin me gazetarët u është përgjigjur pyetjeve të tyre lidhur edhe me fletët e votimit. Ai i bëri apel KQZ-së që të mos provojë të djegë fletët e votimit.
Deklarata
Duke u gjendur përballë një llumi pazaresh, korrupsioni ka qenë retorika e socialistëve për më shumë se 1 muaj. Kryetari i PS-së paralajmëroi se shumë shpejt opozita do të publikojë raste të reja të korrupsionit brenda qeverisë. Rama përmendi rastin e pasurimit të ministrit të Ekonomisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti me 1.8 milionë euro në vit dhe përfshirjen e deputetes demokrate Albana Vokshi në koncesionin e pasurive të nëntokshme, si “prova të shfaqjes së korrupsionit në qeveri”. Lideri i opozitës e cilësoi rastin e Vokshit si shembull flagrant i një deputeti që është pjesë e një oktapodi koncesionesh të pasurive publike nën tokë. “Ky pushtet nuk lufton dot korrupsionin, pasi pushteti është vetë pjesë e korrupsionit”, - nënvizoi Rama.
Kreu socialist ka përmendur disa raste të zyrtarëve të lartë të qeverisë, të cilët kanë pasur probleme me Drejtësinë dhe më pas janë lënë të lirë. "Qysh nga viti 2005 e deri tani ata që konsiderohen si zyrtarë të lartë të dërguar para Drejtësisë janë kryetari i komunës së Golemit, i cili pas një dënimi minimal sot është në gjendje të lirë dhe pasuria e tij rezulton e paprekur. Kryetari i komunës Kashar, i cili pas një dënimi minimal sot është i lirë dhe pasuria e tij është e paprekur. Zëvendësministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, i cili u arrestua, por më pas doli nga burgu si i pafajshëm, aktualisht drejton Dhomën e Tregtisë. Vendimi i pafajësisë hedh hije të forta dyshime mbi motivet e arrestimit të tij”, - deklaroi Rama. “Drejtori i Përgjithshëm i Rrugëve, i cili u arrestua, u akuzua, u gjykua dhe sot është i lirë. Drejtori i Drejtorisë së Prokurimeve në Ministrinë e Brendshme, i cili u përgjua, u arrestua, u gjykua, doli nga burgu pas dy muajsh me arsyetimin se ka sjellje të mirë dhe nuk përbën rrezik largimi. Këshilltari i ministrit të Ekonomisë u arrestua, u akuzua dhe u lirua nga burgu pas dy muajsh dhe sot rezulton i zhdukur. Drejtori i Inspektoratit Teknik në Ministrinë e Ekonomisë u arrestua, u akuzua, u lirua dhe ende nuk është gjykuar për akuzën e ngritur. Drejtori i Burgut të Rrogozhinës u arrestua dhe u lirua pasi në qeli nuk mbushej dot me frymë”, - vazhdoi më tej ai.
Fletët e votimit
Lideri i opozitës e ka paralajmëruar qeverinë se djegia e fletëve të votimit do të ishte fundi i komunikimit mes maxhorancës dhe opozitës. “Djegia e fletëve të votimit do të ishte hedhja në erë e çdo ure komunikimi me pushtetin aktual për çfarëdo arsye dhe në çfarëdo rrethane, gjë që sigurisht do ta thellonte në mënyrë eksponenciale krizën”, - tha Rama. Kryesocialisti Rama i është përgjigjur pyetjes së gazetarëve edhe për incidentet në Himarë. Ai u tregua i ashpër në qëndrimin e tij për kryebashkiakun e Himarës, Vasil Bollano dhe kreun e PBDNJ-së, Vangjel Dule. “E vërteta dhe interesi kombëtar vjen para interesave të partisë. Ne i qëndrojmë parimit të besnikërisë ndaj së vërtetës përpara besnikërisë ndaj partisë. Nacionalizmi është streha e fundit e maskarenjve, thuhet në një fjalë të madhe. Patriotizmi është ajo që i çon kombet dhe vendet përpara”, - tha Rama.

Box

Akuzat
Fakte të reja kanë dalë çdo ditë nga Partia Socialiste, të cilat dëshmojnë lidhjen e deputetes demokrate Albana Vokshi dhe familjes Berisha me korrupsionin. PS-ja ka zbuluar se kryeministri Sali Berisha i ka falur 4 miliardë dollarë pasuri publike Vokshit, duke i krijuar lehtësira në marrjen e dy tenderëve kompanisë së bashkëshortit të saj, Arian Tartari. Partia Socialiste, që në krye të herës ka akuzuar ministrin e Ekonomisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti, se është i përfshirë në afera korruptive. PS-ja ka kërkuar që Prokuroria të vihet në lëvizje për të hetuar pasuritë e tij të padeklaruara. Socialistët i kanë kërkuar Priftit të japë llogari për pasurimin e tij brenda një viti me 2 miliardë e gjysmë lekë, i cili është shprehur se i ka fituar ato para nga shitja e aksioneve në kompaninë farmaceutike “Megafarma”. Ndërkaq, PS-ja është ndalur edhe në aferat korrupive të ministrit të Mbrojtjes, Arben Imami, ku nuk mbetet i paimplikuar sërish edhe ministri Prifti. Ka qenë deputeti socialist Eduard Shalsi që deklaroi se të dy ministrat kanë nxjerrë në proces privatizimi Fushën e Aviacionit. Ndërkohë që, nga ana tjetër, kryeministri Sali Berisha gjatë fushatës elektorale pati premtuar se do ta shndërronte atë në park publik.
Partia Socialiste ka depozituar pranë Prokurorisë jo pak, por nëntë padi ndaj ministrave dhe deputetëve të Partisë Demokratike. Shumica e padive përmbajnë akuzën e shpifjes ndaj deputetëve demokratë, ndërsa ministri i Ekonomisë, Prifti, akuzohet për korrupsion. Sipas PS-së, kanë shpifur dhe akuzuar padrejtësisht kreun e Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, të paditurit Sali Berisha, Sokol Olldashi, Aldo Bumçi, Ferdinand Poni, Gerti Bogdani, Florion Mima, Lajla Pernaska, Erla Mëhilli dhe Dritan Prifti.

Baraj: “Do të sjellim në gjykatë provat e korrupsionit të Selmanllarit”

Deputeti socialist, Besnik Baraj, deklaroi se Partia Socialiste është e gatshme të paraqesë provat në gjykatë që dëshmojnë lidhjen me korrupsionin të mikut të familjes në pushtet, Rahman Selmanllari. Reagimi i Barajt në emër të deputetit Eduard Shalsi ka ardhur pas deklaratës së Selmanllarit, i cili u shpreh se do të denoncojë deputetin Shalsi për shpifje. “Dëshiroj të bëj këtë komunikim publik, në emër të deputetit Eduard Shalsi, i cili për arsye pune nuk ndodhet në Tiranë. E pritëm me kënaqësinë më të madhe lajmin e sotëm (dje) se akuzat e Partisë Socialiste për korrupsionin e familjes në pushtet do të përballen më në fund me Drejtësinë”, - u shpreh Baraj. Ai bëri me dije se në gjykatë do të sjellin provat për abuzimin me pushtetin, korrupsionin dhe konfliktin e interesit të Rrahman Selmanllarit dhe gjithë personave të tjerë që fshihen pas tij. “Me kënaqësinë më të madhe do t’i paraqesim gjykatës të gjitha dokumentet që disponojmë, të cilat ditë pas dite ua treguam të gjithë shqiptarëve, të zezë në të bardhë. Të vetmen keqardhje që kemi është se përballja e kësaj here do të jetë me zotin Selmanllari, ndërkohë që përballja në gjykatë duhet të ishte me ata që fshihen pas tij, familjen që sot është në pushtet dhe që po e përdor pushtetin për të pasuruar vetveten në kurriz të shqiptarëve. Përballja në gjykatë tregon më së miri ndryshimin e madh mes ne socialistëve dhe përfaqësuesve të familjes në pushtet. Akuzat tona janë jo vetëm të vërteta, por dhe të gatshme për t’u provuar në gjykatë”, - u shpreh Baraj.

21 Gusht 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›