Policia shqiptare, si u hoqën pa të drejtë emërtimet
Sokrat BOÇI TIRANË - Qeveria shqiptare heq nga përdorimi fjalët “Policia e Shtetit-Shqipëri”. Me Ligjin Nr. 8553, datë 25 nëntor 1999, “Për Policinë e Shtetit”, Parlamenti i Republikës së Shqipërisë e pagëzoi Policinë shqiptare me emrin “Policia e Shtetit-Shqipëri”. Në dispozitat e veta ky ligj, sipas neneve, përcaktonte simbolet, gradat, uniformën, shenjat e policisë etj. Në zbatim të këtij ligji, qeveria, me Vendimin e saj Nr.592, datë 02.11.2000, vendosi dhe miratoi Stemën e Policisë së Shtetit. Modeli dhe elementet përbërëse të Stemës së Policisë së Shtetit do të kishin këtë përshkrim: Stema është në formën e një mburoje me përmasa 7 x 9.5 cm. Pjesa e sipërme është e drejtë, ndërsa pjesa e poshtme në formë ovale. Fusha është në ngjyrë të kuqe dhe në mes është vendosur figura e një shqiponje me vështrim nga e majta. Shqiponja është në ngjyrë të zezë, me sqep me ngjyrë të verdhë. Në pjesën e poshtme të shqiponjës janë vendosur horizontalisht dy shirita në ngjyrë blu. Stema konturohet nga një shirit në ngjyrë të artë. Poshtë, jashtë stemës, gjatë përdorimit të saj, shënohen me germa kapitale fjalët: “Policia e Shtetit-Shqipëri”. Emërtimet
Nga struktura të tjera që trajtohen me uniformë e të krijuara me shumicë me emërtimin “Policia” (jo e shtetit) dhe që veprojnë në territorin e Republikës së Shqipërisë, në stemat e tyre që kanë në përdorim kanë të shënuar me germa kapitale fjalët, për shembull: “Policia e Burgjeve”, “Policia Bashkiake”, “Policia Tatimore”, “Policia Pyjore”, “Molicia MNZSH”. Edhe policia private në stemat e saj ka të shënuar me germa kapitale fjalët sipas sigurisë së objektit; po kështu dhe “Garda e Republikës” etj., por stemë të shënuar me germa kapitale fjalët “Policia e Shtetit-Shqipëri” nuk ka më. Në zbatim të Ligjit të ri Nr. 9749, datë 4 qershor 2007 “Për Policinë e Shtetit”, qeveria, me Vendimin e saj Nr. 79, datë 21 janar 2009, ka vendosur heqjen nga Stema e Policisë së Shtetit (e vitit 2000) përdorimin e fjalëve “E Shtetit-Shqipëri” dhe ka miratuar vetëm përdorimin e fjalës “Policia”. Policia e kujt? Duke kthyer 11 vjet mbrapa (në vitin 1998), ku fjala “Policia” përdorej në stemën e policisë të miratuar me Vendim të Këshillit të Ministrave Nr. 332, datë 2 qershor 1998, për të shfuqizuar me Vendimin e Këshillit të Ministrave Nr. 592, datë 2 nëntor 2000. Policia shqiptare, me ligj emërtohet “Policia e Shtetit”. E kujt shteti...? E shtetit-Shqipëri. Në Stemën e Policisë së Shtetit më përshtat do të shkonte përdorimi i fjalëve “Policia e Shtetit-Shqipëri”, gjithsesi më e pranueshme në Stemën e Policisë së Shtetit do të ishte përdorimi i fjalëve “Policia e Shtetit”, pasi si Ligji i mëparshëm Nr. 8553, datë 25 nëntor 1999, ashtu dhe Ligji i tanishëm Nr. 9749, datë 4 qershor 2007, emërtohen “Për Policinë e Shtetit”. Ndryshimi
Me vendimin e janarit të vitit 2009, qeveria shqiptare ka vendosur miratimin e Stemës së Policisë së Shtetit pa formën e përmasat e saj. Në kundërshtim me përcaktimin që i është dhënë në Ligjin Nr. 8926, datë 22 korrik 2002, “Për formën dhe përmasat e Flamurit Kombëtar, përmbajtjen e Himnit Kombëtar, formën dhe përmasat e Stemës së Republikës së Shqipërisë dhe mënyrën e përdorimit të tyre”. Vendimi i Këshillit të Ministrave Nr. 79, datë 21 janar 2009, nuk ka përcaktuar formën dhe përmasat dhe për stemat sipas shërbimeve, si: Stema e Departamentit të Kufirit, Stema e Policisë së Rendit, Stema e Policisë Rrugore, Stema e Forcave Speciale, Stema e FNSH-së, Logoja e Policisë. Qeveria, me këtë vendim, pa formë e përmasa, ka miratuar dhe gradat në Policinë e Shtetit dhe nuk ka përcaktuar madhësinë e yjeve sipas niveleve të tyre; po kështu është vepruar edhe me shenjat dhe elemente të tjera (Distinktivi i identifikimit dhe shenja e mbiemrit).
Shkeljet e ligjit, policët mbajnë uniforma të paligjshme
“Policia e Shtetit-Shqipëri” është e vetmja polici në Ballkan, Europë dhe në botë që me një vendim qeverie (VKM Nr.79, datë 21 janar 2009) nuk përcakton formën dhe përmasat e stemave të të gjitha llojeve, gradave etj., që do të kenë në përdorim punonjësit e policisë. Pa mbërritur uniforma e re e Policisë së Shtetit, në hyrje të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, drejtorive të policisë në qarqe, komisariate e repartet e policisë apo në podiumet e dhënies së konferencave të shtypit, nxituan dhe vendosën Stemën e re të Policisë së Shtetit me nënshkrimin me germa kapitale fjalën “POLICIA”, të miratuar me Vendimin e Këshillit të Ministrave Nr. 79, datë 21 janar 2009. Mirëpo sot, të gjithë punonjësit e Policisë së Shtetit, që nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë e deri te polici më i thjeshtë, përveçse mbajnë akoma të veshur uniformën e vitit 2004, por të shfuqizuar me Vendimin e Këshillit të Ministrave Nr. 79, datë 21 shtator 2009, në mëngët e kësaj uniforme, punonjësit e Policisë së Shtetit (përfshi dhe drejtorin e Përgjithshëm të Policisë), akoma mbajnë Stemën e Policisë së Shtetit me nënshkrimin me germa kapitale fjalët “Policia e Shtetit-Shqipëri”, të miratuar me në datën 2 nëntor 2000, i cili dhe ky vendim është shfuqizuar me VKM Nr. 79, datë 21 janar 2009.
Ministri i Brendshëm nuk ka kompetenca Fatkeqësisht, korniza aktuale e Vendimit të Këshillit të Ministrave Nr. 79, datë 21 janar 2009, është e vështirë. Vihet në dyshim ministri i Brendshëm si propozues i këtij vendimi (propozon, por nuk miraton). Modeli se si është ndërtuar ky vendim e vë në pikëpyetje ministrin e Brendshëm. Më shumë se kurrë ky vendim e kufizon, e nxjerr jashtë loje ministrin e Brendshëm. Ai, në veprimtarinë e tij, nuk ka në kompetencë të nxjerrë urdhra e udhëzime (shkarkohet nga përgjegjësia si titullari i institucionit që drejton). Ndryshe nga Garda e Republikës, ministri i Brendshëm e ka të drejtën dhe kompetencën të miratojë (VKM Nr. 136, datë 11 shkurt 2009 “Për miratimin e uniformës të formës dhe elementeve të gradave e shenjave dalluese të efektivave të Gardës së Republikës së Shqipërisë”). Ndërsa në Policinë e Shtetit nuk ka të drejtën dhe kompetencën të miratojë (VKM Nr. 79, datë 21 janar 2009, “Për miratimin e stemës, të uniformës, gradave, emblemës, flamurit dhe shenjave të Policisë së Shtetit”). Është për t’u theksuar se, sipas pikës 2 të VKM Nr. 236, datë 23.04.2004 “Për miratimin e uniformës dhe të shenjave të Policisë së Shtetit” (por të shfuqizuar me VKM Nr. 79, datë 21 janar 2009), ministri i Brendshëm ka pasur të drejtën dhe kompetencën për të miratuar. Por vihet re se, të drejtat e kompetencat e ministrit të Brendshëm, sipas pikës 2 të VKM Nr. 236, të prillit 2004, i suportohen Gardës së Republikës (pika 3 e sipas pikës 2 të VKM Nr. 136 të shkurtit 2009). Mirëpo, si Garda e Republikës, edhe Policia e Shtetit janë dy struktura në varësi të ministrit të Brendshëm; por që kemi të njëjtin ministër të Brendshëm që përdor dy standarde: ndihet mirë me autoritet legjitim në Gardën e Republikës, ndërsa ndihet në “siklet” me autoritet të dyshimtë në Policinë e Shtetit. Dihet se miratimi uniformave dhe shenjave të Policisë së Shtetit shoqërohet më pas dhe me rregulloren e uniformës, miratimin e normave të furnizimit me uniforma etj. (të drejta personale) të punonjësve të Policisë së Shtetit etj. Atëherë, në Ministrinë e Brendshme, pas shmangies së ministrit të Brendshëm nga detyrimet kushtetuese e ligjore, kush tjetër e ka të drejtën dhe kompetencën të nxjerrë urdhra dhe udhëzime të “paligjshme”, në zbatim të VKM Nr. 79, datë 21 janar 2009?
Garda e Republikës
Garda e Republikës së Shqipërisë kopjon, formulon (anën ndërtimore) dhe me propozimin e ministrit të Brendshëm, ose 21 ditë pas daljes së Vendimit të Këshillit të Ministrave Nr. 79, datë 21 janar 2009 “Për miratimin e uniformës dhe të shenjave të Policisë së Shtetit” me Vendimin Nr. 136, datë 11 shkurt 2009, Këshilli i Ministrave, ka vendosur miratimin e uniformës dhe të elementeve të gradave e shenjave dalluese të efektivave të Gardës së Republikës së Shqipërisë, sipas idesë dhe konceptit të Vendimit të Këshillit të Ministrave Nr. 236, datë 23 prill 2004, “Për miratimin e uniformës dhe të shenjave të Policisë së Shtetit” (kjo është ligjore, profesionale), edhe pse ky vendim tashmë është shfuqizuar me vendimin e janarit 2009.
Kushtetuta
1 - Pika 2 e nenit 100 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë shprehet: “Këshilli i Ministrave merr vendime me propozim të kryeministrit ose të ministrit përkatës”. Ndërsa pika 4 e nenit 100 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë shprehet: “Aktet e Këshillit të Ministrave janë të vlefshme kur nënshkruhen nga Kryeministri dhe ministri propozues”. 2- Pika 4 e nenit 102 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë shprehet: “Ministri, brenda drejtimeve kryesore të politikës së përgjithshme shtetërore, drejton nën përgjegjësinë e tij veprimtarinë që ka kompetencë. Ministri, në zbatim të kompetencave të tij, nxjerr urdhra dhe udhëzime”. Nesër do të lexoni:
Detajet e uniformës së re të Policisë së Shtetit
21 Gusht 2010