E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministri i Mjedisit ultimatum subjekteve: Brenda 15 ditëve të pajiseni me lejë mjedisore



Të gjithë subjektet që ndotin mjedisin dhe nuk kanë lejë për zhvillimin e aktivitetit, apo nuk pajisen me lejen mjedisore brenda 15 ditëve do të ndëshkohen me gjobë, bllokim aktiviteti apo deri në ndjekje penale. Këtë deklaratë e ka bërë dije ministri i Mjedisit, Fatmir Mediu gjatë një takimi me krerët e agjencive rajonale të mjedisit në rrethe. Mediu u shpreh gjithashtu se inspektorët e mjedisit do të kryejnë inspektime në të gjitha subjektet që kanë ndikim në ndotjen e mjedisit, qofshin ato me lejë apo pa lejë. “U japim një afat 15 ditor të gjitha atyre subjekteve që nuk kanë leje mjedisore për t’u pajisur me këto leje. Në rast të kundërt do të bëjmë pezullimin e këtyre lejeve, gjobitjen për kundra-vajtje administrative dhe më tej procedimin edhe penal. Agjencitë, në bashkëpunim me zyrat e tatimeve, të evidentojnë të gjitha këto subjektet private, që zhvillojnë aktivitetet në zonën e tyre dhe të shohin nëse kanë leje mjedisore.”, tha Mediu. Ministri u shpreh se që nesër do të fillojë monitorimi i të gjithë subjekteve për të verifikuar respektimin e kritereve të përcaktuara nga mjedisi.

Subjektet

Ministri i Mjedisit tha që agjencitë e inspektimeve mjedisore do të fokusohen te të gjithë ato subjekte që ndikojnë më shumë në përkeqësimin e mjedisit, ndër të cilat Mediu përmendi: fabrikat e çimentos por edhe shoqëritë e naftës si: “Armo”, “Albetrol”, “Stream Oil”, industritë kimike deri tek fermat e rritjes së kafshëve. Subjektet që do të gjobiten nga ministria e Mjedisit janë edhe disa qendra shëndetësore, të cilat keq menaxhojnë mbetjet spitalore, duke rrezikuar kështu shfaqjen e infeksioneve. Mediu u ndal gjithashtu në inspektimet e vazhdueshme dhe masat që ministria e Mjedisit ka marrë në ndotjen përgjatë vijës bregdetare. Ministri tha dhe se janë ndërprerë disa tubacione që derdhnin ujërat e zeza në det dhe se ky aksion po vazhdon me ritme të shpejta. Sipas Mediut vetëm gjatë sezonit turistik janë kryer rreth 4000 inspektime, nga specialistët e mjedisit, janë marrë rreth 400 masa administrative, ndërkohë që vlera nga gjobat kap shifrën e 11 milionë eurove.

Apeli

Ministri i Mjedisit u kërkoi të gjithë kryetarëve të bashkive dhe komunave të zonave turistike të marrin masa për trajtimin e mbetjeve urbane. Mediu shtoi se nëse këta të fundit nuk duan të zbatojnë detyrimet e tyre ligjore për trajtimin e mbetjeve do të kërkohet hartimi i një ligji për pushtetin vendor ku të propozohet largimi i tyre. "Ju bëj thirrje kryetarëve të bashkive dhe komunave, sidomos në zonat turistike që të nisin të diskutojnë për një taksë që duhet të vendoset sidomos në zonat turistike për të gjithë rezidencialet apo për të ata vijnë në periudha të përkohshme. Nëse kjo gjë nuk ndodh, bazuar mbi Kushtetutën, ligjin për Mbrojtjen e Mjedisit dhe ligjin për pushtetin vendor na lind e drejta të kërkojmë deri largim të kryetarëve të komunave dhe bashkive, për shkak se ata nuk duan të zbatojnë detyrimet e tyre ligjore për trajtimin e mbetjeve”, tha Mediu. Në këtë takim Mediu gjithashtu i kërkon Këshilli Kombëtar i Ujërave të marrë vendim për largimin e linjave të shfrytëzimit të inerteve në shtretërit e lumenjve, pasi sipas tij kanë krijuar probleme të mëdha mjedisore.

QSUT, operacionet kryhen vetëm për rastet urgjente

Në të gjithë Pavijonet e Qendrës Spitalore Universitare më të madhe në vend, operacionet e planifikuara janë shtyrë për shkak të temperaturave. Këto operacione pritet të rifillojnë në shtator. Zëdhënësja e Drejtorisë së QSUT-së Sonila Isaku thotë se ndërhyhet vetëm në rastet urgjente siç mund të jenë ndërhyrjet kirurgjikale për shkak të një aksidenti të papritur apo për shkak të komplikacioneve të ndryshme për të sëmurët kronikë ose për ata që kanë planifikuar t’i nënshtrohen një operacioni më vonë. Pavijoni i kardiokirurgjisë, si çdo verë është ai që ka fluksin më të lartë të pacientëve, por në këto raste flasim vetëm për operacionet e urgjencës dhe ajo ato të planifikuara. Këto të fundit shtyhen për në shtator për të evituar rrezikshmërinë e rritjes së infeksioneve në stinën e verës, të cilat bëhen më prezentë në kushtet e temperaturave tepër të larta. Kjo është dhe arsyeja kryesore e reduktimit të operacioneve në Qendrën Spitalore Universitare "Nënë Tereza". Mungesa e gjakut në sezonin veror është një tjetër problem shqetësues për të sëmurët. Por ndodh edhe që të jenë vetë pacientët ata që bëhen shkak për shtyrjen e operacionit të tyre. Arsyet mund të lidhen me kushtet higjienike në spitale në këto ditë të nxehta, planifikimi i pushimeve nga vetë ata por edhe frika nga rreziku i shfaqjes së infeksioneve të ndryshme. Pyetur për mungesën e mundshme të personelit në këto muaj pushimesh burimet zyrtare nga QSUT-ja, tregojnë për lëshimin e një urdhri nga ana e drejtorisë spitalore, e cila kërkon nga mjekët dhe punonjësit e qendrës spitalore universitare të planifikojnë pushimet e verës, në mënyrë që situata të jetë nën kontroll dhe lehtësisht e menaxhueshme, pa krijuar vakuume apo mungesa në shërbime e klinika të caktuara. Por jo vetëm kaq, ajo që është sqaruar nga spitali “Nënë Tereza” për këtë periudhë kohore janë masat mbrojtëse dhe detyrimet që ka për këtë sezon shtabi i emergjencave. Sipas zëdhënëses së QSUT-së, Sonila Isaku për të organizuar punën dhe për mos të krijuar hendeqe bosh, janë marrë masa që në çdo pavijon të formohen 3 ekipe mjekësh. Ndërkohë që njëri prej ekipeve të mjekëve merr pushimet në shërbim të pacientëve qëndrojnë dy ekipet e tjerë. Këto masa do të vazhdojnë gjatë gjithë sezonit të verës. Pra në çdo pavijon do të jenë dy shtabe në gatishmëri për të gjitha shërbimet që i ofrohen popullatës. Sipas Isakut operacionet me planifikim do të rifillojnë sapo temperaturat të ulen dhe të jenë të favorshme për kryerjen e ndërhyrjeve kirurgjikale. Me rritjen e temperaturave dhe vapës së madhe, në ambientet spitalore nuk zbatohet e njëjta procedurë ashtu si në vjeshtë, pranverë e dimër, ku numri i operacioneve është i lartë dhe i përditshëm. Rastet e operacioneve urgjente në QSUT mund të jenë: ndërhyrjet kirurgjikale në rastet e komplikacioneve të sëmundjeve të brendshme, në stomak, zemër, zorrën e trashë, tëmth, apandesiti etj. Operacion urgjent quhet edhe ndërhyrja kirurgjikale për shkak të tumoreve në Pavijonin e Onkologjikut, kur personat e sëmurë kanë hemorragji, të vjella apo shqetësime të tjera si këto të cilat mund të shkaktojnë deri edhe vdekjen e tyre. Por për sa u përket rasteve të paplanifikuara situata më e vështirë paraqitet në Spitalin Ushtarak të Tiranës. Aty operacionet urgjente janë çdo ditë të pranishëm për shkak të traumave apo aksidenteve të ndryshme që pësojnë njerëzit, si ato rrugore apo në mjedise të tjera pune. Rastet e operacioneve urgjente në këtë spitale rriten gjatë muajve të verës për shkak të ardhjes së emigrantëve dhe shtimit të numrit të aksidenteve rrugore në të gjithë vendin.

21 Gusht 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›