E Diel, 1 Nëntor 2026

MEICO presion ushtrisë: Sa më shumë fishekë në Gërdec

• Ndërmarrja e import-eksportit të armëve e municioneve në Ministrinë e Mbrojtjes, "MEICO"

Dashamir Biçaku

, ka ushtruar presion ndaj strukturave të Ushtrisë Shqiptare, që ato të furnizonin fabrikën e Mihal Delijorgjit në Gërdec dhe transportin ta kryenin me mjetet dhe shpenzimet e tyre. Presioni i ndërmarrjes "Meico" dhe drejtuesit të saj Ylli Pinari, është bërë përmes ankesave të bëra në adresë të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm Gjeneral Lejtnant Luan Hoxha. Ish-drejtori i MEICO-s, ka qenë i shqetësuar sepse sipas tij, komandantët e reparteve të ushtrisë nuk po furnizonin fabrikën e demontimit në Gërdec me sasinë e kërkuar të municioneve duke mos pranuar kontratën e ushtrisë me subjektin e përfaqësuar nga Ylli Pinari. Ky i fundit, aktualisht i arrestuar, më datë 18 qershor 2007, i ka shkruar Shefit të Shtabit të Përgjithshëm Luan Hoxha, duke shprehur shqetësimin e tij, për faktin se fabrika e Gërdecit nuk po furnizohej nga ushtria me sasinë e nevojshme të fishekëve. Drejtuesi i ndërmarrjes shtetërore "Meico" kërkonte që strukturat e ushtrisë të kryenin transportin e municioneve drejt ndërmarrjes private me mjetet dhe shpenzimet e shtetit. Presionet e drejtorit të MEICO kanë ardhur pasi drejtuesit e reparteve ushtarake dhe të depove të armatimit i kishin dërguar Ylli Pinarit shkresa e përgjigje ku tregonin se nuk kishin mjete, forca dhe karburante të mjaftueshme për të përballuar transportin e municioneve në Gërdec. Në disa prej shkresave thuhet se forcat e ushtrisë ishin angazhuar në operacione të tjera dhe transporti i municioneve në Gërdec bëhej pengesë për ecurinë e veprimeve ushtarake.
Dokumenti
Gazeta "Panorama" bën publike sot dokumentin e akt-marrëveshjes së hartuar nga ndërmarrja "Meico" ku kërkohej që Komanda e Mbështetjes Logjistike e Ushtrisë, të furnizonte me 1.9 milionë fishekë me gëzhojë tunxhi të kalibrit 7.62 mm fabrikën e firmës "Alb Demil" në Gërdec. Akt-marrëveshja është hartuar dhe nënshkruar nga ish-drejtori i MEICO-s, Ylli Pinari në mënyrë të njëanshme, ndërsa komandanti i Komandës Logjistike, Zija Bahja, nuk ka pranuar ta nënshkruante pikërisht për shkak të mangësive dhe problemeve të dukshme që dokumenti kishte me rregullat dhe me ligjin. Në faqen e fundit të kontratës, ku qëndron nënshkrimi i Ylli Pinarit bashkë me vulën e firmës "Meico", mungon vula dhe firma e përfaqësuesit të ushtrisë, palë në këtë marrëveshje. Një sasi kaq e madhe fishekësh që ndërmarrja "Meico" kërkonte të mbërrinin në fabrikën e demontimit në Gërdec, ishte e vështirë të realizohej nga ushtria. Oficerë të reparteve të Komandës Logjistike thonë se municionet ishin të shpërndara në distanca të largëta dhe transportimi ishte i vështirë aq me tepër që grumbullimi i sasive të tilla të municionit nuk mund të realizohej. Në letërkëmbimin e ushtrisë me ndërmarrjen MEICO thuhet se akt-marrëveshja kishte probleme ligjore pasi kërkonte që dorëzimi i municioneve të bëhej në prani të dëshmitarëve të çfarëdoshëm kur ligji kërkonte praninë e ekspertëve të fushës përkatëse.
Presioni
Në këto kushte marrëveshja e hartuar nga "Meico" në favor të firmës "Alb Demil" të Mihal Delijorgjit, ka pasur probleme në zbatimin e saj. Për këtë shkak më 18 mars 2007, drejtori i "Meico", Ylli Pinari i është ankuar Shefit të Shtabit të Përgjithshëm Luan Hoxha me qëllimin që ai të ndërhyjë tek vartësit e tij në ushtri. Në këtë shkresë Pinari shprehet se: "Komandanti i Logjistikës, shpreh kundërshtimin e tij për fuqinë punëtore që do të kryente ngarkimin e një sasie të tillë të konsiderueshme municionesh. Transportimi i këtyre municioneve, ishte një kosto më vete, pasi Komanda e Logjistikës, nuk merrte përsipër të kryente transportin e municioneve me mjetet e ushtrisë, për shkak të shpenzimit të konsiderueshëm që kishte me karburant. Përballimi i grafikut të furnizimit dhe të administrimit të municioneve të transportuara, duhej të kryheshin nga Komanda e Mbështetjes Logjistike", shkruante Ylli Pinari në adresë të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm. Sipas tij në të gjitha praktikat e mëparshme të eksportit, ngarkim-shkarkimi, transporti dhe administrimi i municioneve, ishte kryer nga Forcat e Armatosura. Të paktën kështu shprehet në ankesën e tij, drejtori i MEICO-s Ylli Pinari tashmë i arrestuar, i cili kërkonte që ushtria të vazhdonte të punonte për furnizimin e firmës private "Alb Demil".

Presionet ndaj FA, Pinari përdor urdhrin e Ministrisë

TIRANE - Drejtori i ndërmarrjes MEICO, e ka argumentuar ankesën e tij kundër Komandës së Mbështetjes Logjistike duke e bazuar atë në urdhrin e Ministrisë së Mbrojtjes të datës 25 prill të vitit të 2005 me nr. 550. Pas kësaj ankese të dërguar në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë, Komandës së Mbështetjes Logjistike i është kërkuar nga drejtori i ndërmarrjes MEICO të zbatohet urdhri i Ministrisë së Mbrojtjes. Pas këtij "incidenti", furnizimi i ndërmarrjes "MEICO", nga komanda e Mbështetjes Logjistike, është kryer me mjetet e ushtrisë shqiptare. Po kështu edhe administrimi i municionit në fshatin Gërdec, është kryer deri në muajin tetor të vitit të kaluar, nga Komanda e Mbështetjes Logjistike. E vetmja pikë e kontratës që nuk është zbatuar, duket se ka mbetur ajo e furnizimit me sasinë e kërkuar të fishekëve. Kjo pasi krerët e Komandës së Mbështetjes Logjistike, i kanë pohuar MEICO-s se nuk mund të furnizonin me këtë artikull në një sasi aq të madhe ditore sa kërkohej prej tyre.

Paligjshmëria e marrëveshjes që propozoi MEICO

Sipas burimeve ushtarake disa prej pikave të akt-marrëveshjes së lidhur në mënyrë të njëanshme nga MEICO dhe Komandës së Mbështetjes Logjistike, janë kundërshtuar nga kjo e fundit pasi nuk mund të plotësoheshin. Në akt-marrëveshjen e hartuar nga MEICO thuhej se municionet do të dorëzoheshin në prani të dëshmitarëve, kur ligji thoshte se dorëzimi duhej bërë në prani të ekspertëve.

“Pinari na shmangu nga vendimmarrja”

Drejtori i ndërmarrjes shtetërore të Ministrisë së Mbrojtjes, e cila ka furnizuar me municione fabrikën e Mihal Delijorgjit në Gërdec, duket se ka shmangur vartësit e tij në vendimmarrje.

Një fakt i tillë është konfirmuar nga deklarimet e dhëna nga nëndrejtori i ndërmarrjes MEICO për prokurorët që po hetojnë tragjedinë e Gërdecit. Organi i akuzës ka marrë në pyetje njërin nga nëndrejtorët e ndërmarrjes së import-eksportit të armëve dhe municioneve në Ministrinë e Mbrojtjes. Ai ka dhënë fare pak sqarime për prokurorët, duke u pohuar atyre se nuk ishte në dijeni të hollësirave të vendimmarrjes në ndërmarrje. Sipas dëshmisë së dhënë nga nëndrejtori i MEICO, vendimet merreshin nga ish-drejtori i kësaj kompanie, Ylli Pinari. Ky i fundit tashmë i arrestuar me urdhër të Prokurorisë, duket se ka shmangur drejtuesit e tjerë të ndërmarrjes MEICO gjatë vendimmarrjes në këtë institucion që varet nga Ministria e Mbrojtjes. Sipas burimeve nga ky institucion, mësohet se ndërmarrja MEICO ka tre nëndrejtorë, ndërsa para prokurorëve ka dëshmuar Granit Lika. Ai ka thënë se mbulonte aktivitetin e ndërmarrjes në marketing dhe se nuk ishte në dijeni për hollësira rreth vendimeve dhe aktivitetit të ndërmarrjes së import-eksportit të armëve dhe municioneve. Shmangia e nëndrejtorëve nga vendimmarrja prej Ylli Pinarit është konfirmuar pas fakteve e provave të mbledhura nga Prokuroria, e cila po verifikon shkaqet pse ish-drejtori Pinari ka vepruar në këtë mënyrë, duke vendosur i vetëm për direktivat e ndërmarrjes.
Misteri i MEICO
Menjëherë pas tragjedisë së ndodhur në fshatin Gërdec, pozicioni i ndërmarrjes shtetërore MEICO ka qenë i dyshimtë për Prokurorinë. Për këtë shkak, tri ditë pas ngjarjes, organi i akuzës urdhëroi arrestimin e ish-drejtorit Ylli Pinari, duke e akuzuar atë për "shkelje të rregullave për trajtimin e lëndëve luftarake dhe radioaktive". Ndërmarrja MEICO ishte subjekti që furnizonte me predha të kalibrit të madh fabrikën e demontimit në pronësi të firmës "Alb Demil", e cila ishte vendosur në ish-repartin e tankeve në Gërdec të Vorës. Hetimet e para zbuluan se MEICO nuk ishte kujdesur për zbatimin e kushteve të sigurisë në fabrikën që furnizohej me armë prej saj. Më pas u mësua se ndërmarrja e Ministrisë së Mbrojtjes kishte tentuar të thyente grafikun normal të furnizimit, duke pasur për qëllim që në fabrikë të dorëzoheshin më tepër municione sesa ishte përcaktuar. Probleme të tjera ligjore u gjetën me kontratat e nënshkruara nga MEICO me firmën amerikane SAC, e cila më pas kishte nënkontraktuar kompaninë shqiptare "Alb Demil". Për këto shkaqe Prokuroria ka kërkuar deklarime nga nëndrejtori i MEICO, Granit Lika, i cili është shprehur se vendimmarrja ka qenë e centralizuar nga Ylli Pinari.

Shkelje në përzgjedhjen e firmës

Pjesa më e madhe e ushtarakëve që janë pyetur në Prokurori, janë shprehur se ndërmarrja MEICO kishte marrëdhënie me fabrikën e çmontimit në Gërdec dhe se ajo duhej të kontrollonte zbatimin e kushteve të sigurisë së punës aty. Sipas organit të akuzës, MEICO ka kryer shkelje edhe në procedurën e përzgjedhjes së firmave që janë furnizuar me municione të ushtrisë shqiptare.

Delijorgji, kontratat me MEICO që nga viti 2003

Vallja e hedhur nga tregtari Mihal Delijorgji nëpër magazinat e ushtrisë shqiptare është edhe më e vjetër se sa njihet. Të paktën sipas dokumenteve zyrtare të MEICO, lidhja Mihal Delijorgji - Ylli Pinari daton në muajin shkurt 2003 dhe ka për çudi lidhje pikërisht me skrapin e përftuar nga demontimi i predhave të artilerisë. Ndryshimi i vetëm është se demontimi i tyre nuk është bërë në Gërdec, por në Kombinatin Mekanik të Poliçanit, brenda të gjitha kushteve të sigurisë. Për më tepër dokumenti që "Panorama" ka gjetur thotë se tregtia mes Delijorgjit dhe përfaqësuesit të Ministrisë së Mbrojtjes në atë kohë, kompanisë MEICO, nuk ka qenë me ndonjë përfitim të dukshëm. Kontrata mban datën 10.02.2003 dhe është e lidhur mes palëve MEICO, përfaqësuar nga Ylli Pinari dhe firmës "Përparimi" të Mihal Delijorgjit. Sipas saj MEICO ka fituar një ankand të Kombinatin e Poliçanit për shitjen e 1 500 000 kg mbetje skrapi çeliku të përftuar nga demontimi i predhave të artilerisë. MEICO e ka blerë këtë sasi skrapi çeliku në shumën 9.8 lekë për kilogramë ndërkohë që Delijorgjit ia shet me shumën 10.1 lekë për kilogram. Shuma që Delijorgji ka paguar është 15 500 000 lekë. Por fitimi i Delijorgjit në këtë rast nuk ka qenë i dhjetëfishtë ardhur pas shitjes së skrapit në tregun evropian, qoftë atë botëror. Jemi në vitin 2003 dhe çmimi i skrapit të çelikut është përgjithësisht në shifrën 130 USD/ton. Kështu që një llogari e thjeshtë nxjerr përfundimin se Delijorgji në rastin më të mirë e ka shitur këtë sasi në tregun e huaj në shifrën rreth 200 mijë USD, pra me një fitim prej rreth 50 mijë USD, ose 30 për qind të vlerës së xhiros së të hollave të lëvruara. Pra pesë vite më parë Delijorgji nuk i ka pasur shumë miq ata të Ministrisë së Mbrojtjes, qoftë vetëm Ylli Pinarin e MEICO. Duket miqësia ka ardhur me kalimin e viteve, pasi në 2007, kontratat e tij për blerjen e skrapit të bronzit siguronin fitim të pesëmbëdhjetëfishtë.         fe.de

Gjyshi: Diveroli mund të jetë në Shqipëri ose Turqi

Efraim Deviroli, presidenti i AEY, njeriu kyç i aferës së fishekëve të zbuluar një ditë më parë nga prestigjiozja "New York Times", mund të jetë në Shqipëri. Gjyshi i tij, i vetmi person që media amerikane ka arritur të kontaktojë pas botimit të skandalit të trafikut të fishekëve në Afganistan nëpërmjet Tiranës, pohoi se ai nuk është në Majami të SHBA, por jashtë vendit.

Pas denoncimit të gazetës, dje shumica e mediave amerikane, vrapuan drejt selisë së tij në Miami dhe shtëpisë së devirolëve, por të vetmin njëri që gjetën ishte gjyshi i tij, një hebre-italian, i cili mbronte në maksimum nipin. Në të gjitha intervistat, ai pohoi se Efraim, punonte për shtetin amerikan dhe se e gjithë kjo histori ishte një hakmarrje e firmave të tjera, që ishin xheloze për suksesin e tij. "Djaloshi është i devotshëm dhe shumë patriot", tha gjyshi i Diverolit, Angelo për reporterin e çështjeve politike të "Local 10", Michael Putney nëpërmjet linjës telefonike. "Ai është vazhdimisht në lëvizje, rreth e përqark botës, për të siguruar atë që ushtria i kërkon. Kompanitë e mëdha janë xheloze për të, kështu që duan ta shkatërrojnë". Sipas të dhënave, AEY nuk gjendet në listën e qiramarrësve të ndërtesës ku kompania ka zyrat. Dukshëm, kjo është në stilin e Diverolit për vepruar në fshehtësi. Në godinën "Surfside" që figuron si adresa e Diverolit, një grua iu përgjigj telefonatës së bëra nga "Local 10", por menjëherë ajo e mbylli telefonin. Gjyshi i tij tha për "Local 10" se Diveroli është aktualisht në Turqi ose Shqipëri për të blerë armë.
"Miami Herald", në shkrimin e saj thekson se gjyshi i 22-vjeçarit të kontraktuar nga ushtria, doli në mbrojtje të nipit të tij të premten, duke e cilësuar si një biznesmen të devotshëm dhe një shpërndarës armësh të ligjshëm. Anxhelo Diveroli i cilësoi akuzat e bëra si "fabrikime" të konkurrentëve xhelozë për fitimet e vogla të nipit të tij. Ai nuk përmendi emrat e konkurrentëve, por tha se ata duan ta shkatërrojnë. Diveroli nuk iu përgjigj një mesazhi të lënë të enjten në apartamentin që ndodhet në "Miami Beach" dhe që rezulton i regjistruar në emrin e tij në zyrat e shtetit të Floridës. Mesazhet e lëna të enjten për avokatin e Diverolit dhe në një numër telefoni që figuron të jetë i kompanisë AEY nuk morën përgjigje të menjëhershme. Gjyshi i tij tha se Diveroli është duke udhëtuar nëpër Evropë për çështje biznesi. Anxhelo Diveroli, që jeton në pjesën veriore të Miami Beach, tha se nipi i tij e shoqëronte rregullisht në ekspozitat e armëve kur ishte i vogël dhe u bë më pas një ekspert armësh. Efraimi, më i madhi nga pesë djemtë e familjes, punoi me të atin e tij në kontratat ushtarake deri sa ai mori në drejtim biznesin, tregon gjyshi i tij. "Armët ishin pasioni i tij, që kur ishte fëmijë", tha Anxhelo Diveroli. "Zakonisht, e merrja me vete në ekspozita armësh. Ai njihte çdo lloj arme". Anxhelo Diveroli tha se ai nuk kishte dijeni për detajet e biznesit të nipit të tij. Por, ai shtoi se nipi i tij zakonisht punonte natën për marrëveshje personale me klientë në Azi. "Diveroli nuk është kriminel", thotë gjyshi i tij, edhe pse burri i moshuar shton se nuk kishte qenë në dijeni të arrestimit të nipit të tij më datë 5 mars, teksa ngiste makinën nën efektin e alkoolit, derisa kjo gjë u bë publike nga mediat. Anxhelo Diveroli, i cili emigroi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës duke ardhur nga Roma pas Luftës së Dytë Botërore, tha se nipi i tij vjen nga një familje e ngritur hebrenjsh, që e kishte inkurajuar atë të studionte besimin e tij fetar, po aq sa edhe për armatimet. Efraim Diveroli ka frekuentuar një "yeshiva", Shkollë për Hebrenjtë Ortodoksë, në Jerusalem. Familja e plakut Diveroli është persekutuar në Itali gjatë kohës së luftës. Bashkëshortja e tij ishte një nga të mbijetuarat e Holokaustit nga Polonia. "Tani, e kuptoni se nga çfarë familjeje vijmë ne", tha ai. "Ne nuk jemi familje gangsterësh". Nga ana tjetër, gjyshi shtoi se "Ai është një djalë i ri. Ai ka të dashura dhe bën jetë qejfi!". Avokati i tij, Haj Shapiro, tha se aktiviteti i klientit të tij mori njoftimin e pezullimit ditën e mërkurë, por është në pritje të dokumenteve të tjera nga Ushtria Amerikane. "Nuk jam përgatitur për të thënë që tani", tha ai.
CNN., arriti të kontaktoi dje edhe me babain e Efraim Devirolit.
Televizioni më prestigjioz, raportoi dje se, "u përpoqëm ta gjenim Diverolin, por në vend të tij gjetëm babain e tij Majkëll, i cili nuk donte të intervistohej. Më vonë Majkëll Diveroli i kishte thënë gazetares së CNN, se djali i tij nuk ishte në Majami dhe se nuk e dinte akoma nëse akuzat janë të vërteta apo jo. Por a është dakord Majkëll Diveroli me zgjedhjen e djalit të tij?
Ai citohet të ketë thënë, se do të kishte dashur që djali i tij të bëhej një mjek i mirë hebre, ose avokat, dhe jo tregtar armësh. "Ai nuk e ka kërkuar kurrë mendimin tim për kompaninë. Efraimi nuk i dëgjon këshillat e mia. Nuk kam asnjë ndikim tek ai. E kam të vështirë ta mbaj nën kontroll", shprehet babai i Efraim Diverolit.
"Diveroli u arrestua sërish nga policia e Majemi Beach, këtë herë me akuzën e ngarjes së makinës në gjendje të dehur. Ai u la i lirë të njëjtën ditë pasi pagoi një gjobë prej 1,000 dollarësh", tha Zhanelle Hall, një zëdhënëse e policisë së Majemit. Ai ka një seancë gjyqësore të fiksuar më datën 11 prill.

Deviroli, kështu “gjuante” në internet

Ndoshta Efraim Deviroli është i vetmi tregtar armësh në Shtetet e Bashkuara që ka një mesazh në faqen e internetit "MySpace". Herën e fundit ka hyrë në tetor të vitit 2005, dhe 22-vjeçari Diveroli shkruante: "Sigurisht jam një djalë super i këndshëm, e di çfarë dua nga jeta, por nuk jam i sigurt se si t'i fitoj ato. Jam lindur në Miami dhe nuk kam plane të menjëhershme për t'u larguar. Jam një djalë i thjeshtë dhe kam sens humori. Pata probleme gjatë shkollës së mesme, kështu isha i detyruar të punoja më së shumti gjatë periudhës së adoleshencës dhe mund të them se jam maturuar më shpejt sa duhej. Më në fund, bleva një apartament të përshtatshëm dhe jam i kënaqur për momentin, Gjithsesi kam shumë dëshirë që të jem i suksesshëm në biznesin tim, që më zë një pjesë të madhe të kohës. Dua të takohem me një vajzë të ëmbël e simpatike, me cilësi të mira dhe dashuri për jetën".

Ministri hungarez: Ne nuk merremi me shitje municionesh
Forcat e armatosura të Hungarisë nuk shesin asnjë municion; në linjë me një ligj të posaçëm, ato i shkatërrojnë të gjitha municionet e panevojshme dhe të skaduara", tha të premten ministri i Mbrojtjes së Hungarisë për "MTI". Me anë të një komunikate për shtyp, ministri ka komentuar mbi një artikull të publikuar të enjten nga gazeta "New York Times" ku shkruhej se kompania amerikane AEY kishte furnizuar Afganistanin me municione të rëndomtë jashtë standardeve. Kompania në fjalë pretendonte se një pjesë e municioneve vinin nga Hungaria. Ministri i Mbrojtjes mohoi në mënyrë kategorike të kishte pasur ndonjë marrëdhënie kontraktuale me kompaninë, selia e të cilës ndodhet në "Miami Beach".
Ministri theksoi se "Forcat e Armatosura të Hungarisë kanë furnizuar me municione Ushtrinë Kombëtare të Afganistanit dhe policinë afgane, por në kuadrin e një donacioni të bërë nga NATO. Gjithsesi, ajo sasi municioni është kontrolluar, transportuar dhe shpërndarë në Afganistan nga NATO, pa përfshirjen e aktorëve të jashtëm", tha Ministri.
Të enjten, Kryeministri Ferenc Gyurcsany i kërkoi informacione Zyrës së Sigurisë Kombëtare (NBH) në lidhje me lajmet për parregullsi në furnizimin me armë të Afganistanit. "Gyurcsany do të shqyrtojë mundësinë për të hapur hetime për këtë çështje, pasi të marrë informacionet përkatëse nga NBH", - tha zëdhënësi i qeverisë, David Daroczi për "MTI". - "Hungaria e ka për detyrim të vëzhgojë me kujdes ligjet e veta dhe ato ndërkombëtare në çdo rast", shtoi ai.

New York Times: Mos fajësoni moshën e tij

Historia e parë në "New York Times" na ka treguar për një 22-vjeçar që ka shitur armë të skaduara në Afganistan, ku sipërmarrësi i ri tashmë është në shumë telashe pasi ka shitur municion 40-vjeçar për forcat e sigurisë në Afganistan. A nuk  e dinte ai se ato skadonin? Ka edhe tregtarë të tjerë armësh në hije të përfshirë në këtë aferë. Ju do të shikoni dhe dëgjoni të komentohet mbi moshën e tij, por e rëndësishme është që të mos fokusohemi tek mosha e re. Shpresoj të fokusohemi në atë që është vërtet e rëndësishme, dhe ajo nuk është mosha. sipërmarrës të tjerë 20-vjeçarë nuk janë në të njëjtin pozicion edhe pse të suksesshëm. Historia e vërtetë është se si qeveria ka lejuar një 20-vjeçar të bëhet furnizuesi më i madh i armëve duke vënë mijëra jetë në rrezik.

Mediu: S’lejoj të hedhin baltë mbi mua

Pranoj përgjegjësitë e mia politike, morale dhe administrative, por nuk lejoj që të hedhin baltë mbi mua.

ADI SHKEMBI

Ka qenë ky reagimi i fundit i Fatmir Mediut në postin e ministrit të Mbrojtjes, vetëm pak minuta pasi përmes një ceremonie zyrtare t'ia kalonte këtë detyrë ish zv.kryeministrit Gazmend Oketa. Duke folur për të fundit herë nga salla e konferencave të shtypit në këtë ministri, kreu i republikanëve ka larguar nga vetja të gjitha përgjegjësitë ligjore lidhur me shpërthimin e Gërdecit, duke shtuar se nuk do të lejojë asnjë person që përmes manipulimit të bëjë atë përgjegjës ligjor lidhur me këtë çështje. "Kam njohur dhe kam pranuar përgjegjësitë e mia politike, morale dhe administrative, por nuk do të lejoj që kurrkush të hedhë baltë pa të drejte mbi dinjitetin tim dhe familjes time pavarësisht se nga kush kah i politikës, apo të përdoret për qëllime politike. Kam mirëkuptuar dhe mirëkuptoj çdo iniciativë të sinqertë të opinionit publik, të pjesës më të madhe të medias dhe të politikës për të gjetur dhe evidentuar të vërtetat në lidhje me këtë ngjarje. Por nuk do të lejoj askënd kushdo qoftë ky me çfarëdolloj statusi të përpiqet në mënyrë manipulative, nëpërmjet shpifjeve të tregoj personin, veprimin apo mosveprimin tim si shkaktar ligjor të ngjarjes së Gërdecit", theksoi dje ish-ministri Mediu. Më tej ish-kreu i dikasterit të Mbrojtjes tha se qëllimisht nuk është bërë pjesë e debateve dhe gjykimeve për ngjarjen e Gërdecit në shenjë ndjese për viktimat e tragjedisë së 15 marsit. Në të njëjtën kohë kryetari i Partisë Republikane theksoi se është i gatshëm të ballafaqohet me çdo hetim për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje. "Këto ditë kanë shërbyer jo vetëm si një periudhë reflektimi nga ana ime si politikan, si deputet, apo edhe si qytetar, por më kanë dhënë mundësi për të riparë edhe një herë bazuar në fakte dhe dokumente se cilat kanë qenë përgjegjësitë e mia si ministër. Rikonfirmoj edhe një herë në mënyrë të qartë dhe pa rezerva se jam i hapur dhe i gatshëm të ballafaqohem me çdo hetim dhe verifikim të të gjithë këtij procesi", theksoi më tej Mediu. Në fund, në prag të dorëzimit të detyrës te ministri i ri i Mbrojtjes, Mediu i ka lënë edhe një porosi të fundit Gazmend Oketës. "Duke i uruar punë të mbarë zotit Oketa, kam vetëm një këshillë: Të merresh me çështje të mëdha është detyrë dhe i shërben vendit, por po nuk tregove vëmendjen maksimale edhe për problemet të ashtuquajtura të vogla mund të prodhosh problem dhe fatkeqësi të rënda duke humbur dhe vetveten".

Braçe: Berisha të mos e mbrojë trafikun

Nënkryetari i grupit parlamentar të PS-së, Erion Braçe me anë të një konference për shtyp i bëri thirrje Kryeministrit Sali Beirsha që të mos mbrojë trafikun e armëve, i cili u faktua dhe nga ana e Pentagonit. "Kryeministri në ikje, Sali Berisha duhet t'i lërë përpjekjet e tij të kota në mbrojtje të trafikut dhe t'i hapë rrugë shtetit ligjor, organeve të drejtësisë të hetojnë deri në fund çdo element të këtij grupi të strukturuar kriminal dhe çdo element të këtij trafiku kriminal. Tani janë të gjithë provat që Prokuroria të hetojë në këtë pikë, pra në trafikun e armëve, grupin kriminal, që është mëse i dallueshëm tashmë. Dje Pentagoni konfirmoi trafikun, xhiron e mashtrimit me origjinën e mallrave si dhe hetimin penal ndaj partnerit kryesor të qeverisë Berisha në këtë biznes të ndryrë, kompanisë AEY. Tani natyrisht që është koha që edhe Parlamenti i Shqipërisë të tregojë se funksionon", deklaroi Braçe.

Gjinushi: Hetimi pas largimit të Berishës

Kreu socialdemokrat deklaroi dje se çdo hetim parlamentar ose nga Prokuroria për ngjarjen e 15 marsit, do të ishte me vlerë vetëm pas largimit të qeverisë. "Çdo hetim parlamentar ose nga Prokuroria, ka vlerë vetëm pas largimit të qeverisë. PSD do të shkojë në Kuvend vetëm për çmontimin e kësaj qeverie, që të mos çmontojë më predha me jetë njerëzish", deklaroi kryetari i socialdemokratëve.

PDS: Presidenti të garantojë hetimin e pavarur

Sekretari politik i PDS-së Artur Duçkallari kërkoi nga Presidenti i Republikës garantimin një hetimi të pavarur të tragjedisë së Gërdecit. "Presidenti Topi duhet të kërkojë dhe garantojë hetimin profesional të tragjedisë së Gërdecit dhe të gjitha aferave të dyshuara të trafikut të armëve, pa u stepur nga përfshirja në to e Berishës, Mediut apo zyrtarëve të tjerë të lartë", tha Duçkallari. Sipas tij, "konstatohet me keqardhje se, përpjekjet e Berishës për t'iu shmangur përgjegjësive direkte në këto afera nëpërmjet demagogjive dhe lojërave politike, të cilat po e shndërrojnë politikën dhe Kuvendin e Shqipërisë në një "bursë armësh". "Krizat institucionale, si ajo mes Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm të cilët "po luftojnë", jo për të përmbushur standardet për t'u anëtarësuar në NATO, por për të hequr nga vetja barrën e rëndë të një afere kriminale të trafikimit të armëve, është kriza e Berishës 2008, binjakut të pandreqshëm të '97, i cili naftën e '92-'97 e zëvendësoi me tregtinë e armëve", tha sekretari politik i PDS.

Meta: Nuk ka reforma me Sali Berishën

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta tha dje se me Sali Berishën nuk mund të ketë reforma. Berisha sjell vetëm kriza. Këtë deklaratë Meta e bëri në disa takime të zhvilluara në rrethin e Elbasanit. Në këto takime Kryetari i LSI, Ilir Meta theksoi se qeveria Berisha jo vetëm që varfëroi shqiptarët, jo vetëm që vrau shpresën për një jetë më të mirë, por ajo me papërgjegjshmërinë e saj po merr edhe jetë njerëzish, po vret shqiptarë. Duke e cilësuar Berishën, si një të keqe për shqiptarët, lideri i LSI, Meta u shpreh se "me Berishën nuk mund të ketë reforma, me Berishën ka vetëm kriza, siç ishte tragjedia e rëndë e Gërdecit, ku akoma dhe sot vazhdojnë të dalin viktima nga shpërthimi që erdhi nga papërgjegjshmëria e qeverisë". Ndaj, u shpreh Meta, koha për ndryshim e Berishës na rezultoi një kohë e keqe për shqiptarët, një ndryshim që solli viktima të pafajshme njerëzore, një ndryshim që solli shtrenjtimin dhe varfërimin e jetesës së shqiptarëve, një kohë që po zgjat tranzicionin. "Berisha tani është koha për ndëshkim", e përfundoi fjalën e tij përpara anëtarëve dhe simpatizantëve të LSI.

“Kemi vuajtur, ndaj e duam NATO”

Java që vjen është një javë historike për Aleancën e Atlantikut të Veriut, por është më tepër historike për Shqipërinë.

ADI SHKEMBI

Kështu u shpreh dje Kryeministri Sali Berisha gjatë një ceremonie në Shkollën e Bashkuar për ndërrimin e komandës së NATO-s në Tiranë. Sipas kreut të qeverisë, anëtarësimi i Shqipërisë në NATO është projekti që mbështetet më shumë se në çdo vend tjetër. "Unë jo rrallëherë pyes veten pse shqiptarët e mbështesin kaq shumë NATO-n, këtë aleancë, më të mrekullueshmen e të gjitha kohërave. Një nga shkaqet mendoj unë, është se kombi im ka vuajtur më shumë se çdo komb për të ardhmen. Një nga arsyet që shqiptarët e duan kaq shumë NATO-n, është se tek anëtarësimi në Aleancë ata shohin sigurinë më të madhe të së ardhmes së tyre, lirisë dhe demokracisë që ata po ndërtojnë", tha Kryeministri Berisha. Duke iu referuar Samitit të NATO-s në Bukuresht, Kryeministri Berisha theksoi se, "java që vjen është një javë historike për Aleancën e Atlantikut të Veriut, por më tepër është historike për Shqipërinë". "Është historike për NATO-n, sepse ajo shtrin hapësirat e saj në mbrojtje të lirisë dhe vlerave të demokracisë. Është historike për Shqipërinë dhe shqiptarët, sepse shpresojnë të marrin ftesën, sepse ata shohin në këtë projekt realizimin e ëndrrave të tyre", theksoi Kryeministri, duke e siguruar Gjeneralin e ri të Komandës së NATO-s në Tiranë, Vasil Dimitrov, për vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë për konsolidimin e mëtejshëm të reformave. Në të njëjtën kohë kreu i qeverisë vlerësoi edhe forcat e armatosura, të cilat, sipas tij, së bashku me ushtritë e NATO-s kanë treguar më të mirën e tyre. Berisha vlerësoi rolin e Forcave të Armatosura në kapërcimin e pasojave të tragjedisë së Gërdecit, Kryeministri Berisha tha se përmasat e kësaj tragjedie do të mund të ishin shumë më të mëdha, në rast se nuk do të ishte kurajoja, guximi dhe përkushtimi i Forcave të Armatosura. "Tragjedia e Gërdecit ishte një tragjedi e tmerrshme, sepse në të humbën jetën 24 qytetarë shqiptarë, u plagosën mbi 250 të tjerë, u shkatërruan me mijëra shtëpi dhe objekte të tjera. Unë dua të informoj shqiptarët se përmasat e saj do të ishin shumë më të mëdha në rast se nuk do të ishte kurajo, guximi dhe përkushtimi i anëtarëve të Forcave tona të Armatosura", u shpreh Kryeministri, duke shtuar se gjakftohtësia me të cilën ata operuan u shpëtoi jetën dhjetëra qindra qytetarëve të Bashkisë së Vorës. Në të njëjtën kohë, edhe ministri i ri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, tha se vendi ynë ndodhet pranë marrjes së ftesës në NATO. "Ne jemi shumë pranë anëtarësimit në Aleancën e Atlantikut të Veriut, falë ndihmës së mrekullueshme të dhënë nga Shtabi i NATO-s në Tiranë dhe kontributit kolektiv të këtij grupi të drejtuar mrekullisht nga Gjenerali Rintis", u shpreh ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, në ceremoninë e Ndërrimit të Komandantit të Shtabit të NATO-s në Tiranë. Gjatë kësaj ceremonie u bë zëvendësimi i Gjeneral brigade Anasatsisos Rintis me Gjeneral brigade Vasil Kirilov Dimitrov.

Rumsfeld: Shqipëria, kontribut të çmuar

Ish-sekretari amerikan i Mbrojtjes i bën thirrje NATO-s që të pranojë tre vendet e Kartës së Adriatikut, Shqipërinë, Kroacinë dhe Maqedoninë. Në një artikull të botuar dje në gazetën "Wall Street Journal", ish-sekretari amerikan i Mbrojtjes Donald Rumsfeld, bën thirrje që NATO-ja të ftojë pa mëdyshje në gjirin e saj Shqipërinë, Maqedoninë dhe Kroacinë. "Shqipëria, ishte mes vendeve të para që dërgoi trupa në Irak në vitin 2003. Tani, pas 5 vjetësh, ajo synon të jetë mes vendeve të fundit që do të largohen", shkruan në artikullin e tij Rumsfeld. Sipas tij, "Shqipëria, Kroacia dhe Maqedonia nuk janë vende të mëdha, por ndihmesa që ato do t'i jepnin NATO-s do të ishte shumë më e madhe në raport me përmasat e tyre". Ndërsa për mosmarrëveshjet Greqi-Maqedoni rreth çështjes së emrit, ish-sekretari i Mbrojtjes Rumsfeld thotë se e ardhmja e Aleancës Transatlantike dhe besueshmëria e saj janë tepër të rëndësishme për t'u ndikuar nga mosmarrëveshje të ngushta rreth emërtimeve apo nga taktika frikësimi që do t'i shkonin më tepër për shtat shekullit të kaluar. Një ndër arsyet kryesore që jep Rumsfeld është se "pranimi këtyre vende do të sillte stabilitet të këtyre vendeve, si dhe do të ndikonte në forcimin e mëtejshëm të demokracisë". Ish-sekretari amerikan i Mbrojtjes shprehet se duhet të ketë dhe një vëmendje të madhe edhe ndaj Ukrainës dhe Gjeorgjisë. Samiti i Bukureshtit pritet të mbahet në fillim muajit prill. Shtetet anëtare të NATO-s pritet të diskutojnë në lidhje me situatën në rajon, Kosovën dhe çështje të energjisë. Një pikë tjetër e diskutimit është edhe ajo e anëtarësimit të tre vendeve të Ballkanit, të përfshira në nismën e Kartës së Adriatikut. Në datën 5 prill, Presidenti Bush do të vizitojë Kroacinë, në axhendën e tij janë dhe vendet e reja anëtare, por nuk përcaktohet nëse është Shqipëria apo Maqedonia në këtë vizitë.

Ceka: Po hyjmë në NATO, hiqni moratoriumin për skafet

Deputeti i opozitës, kreu i PAD-së, Neritan Ceka ka paraqitur një nismë ligjore që kërkon shfuqizimin e ligjit për moratoriumin, që ka bëjë me bllokimin e lëvizjes së skafe në zonën e bregdetit. Në nismën e tij, Ceka kërkon shfuqizimin e ligjit 9509 "Për shpallje e moratoriumit të mjeteve motorike lundruese në Republikën e Shqipërisë". "Anëtarësimi në NATO do të jetë provë e sigurisë së bregdetit nga strukturat tona të specializuara. Ligji i miratuar në prill të vitit 2006 e ka arritur tashmë qëllimin e tij për ndalimin e trafikut të qenieve njerëzore nëpërmjet mjeteve lundruese. Eshtë kufizuar në maksimum trafiku ilegal nëpërmjet Adriatikut me këto mjete. Kontrolli i lundrimit nëpërmjet institucioneve dhe strukturave shtetërore të ngarkuara me këtë detyrë është përsosur", janë argumentimet e Cekës. Gjithashtu nisma argumentohet dhe me faktin se shfuqizimi i këtij ligji lidhet dhe me nevojën për zhvillimin e një turizmi normal dhe biznesit që lidhet me mjetet turistike të lundrimit". "Ky fakt sjell domosdoshmërinë e shfuqizimit të këtij ligji, për t'iu rivendosur qytetarëve shqiptarë të drejtën për të përdorur mjete lundrimi", shkruan Ceka në letrën drejtuar Topallit. Ligji i miratuar më 3 prill të vitit 2006 ndalonte qarkullimin e mjeteve motorike lundruese për një periudhë 3-vjeçare. Zbatimi i këtij moratoriumi ka afat deri në 2009, por deputeti i PAD-së, Ceka kërkon të shfuqizohet pa u zbatuar i plotë.                 B.H

Berisha shmang Luan Hoxhën
Tragjedia e 15 marsit në Gërdec, ku gjetën vdekjen të paktën 24 persona dhe rreth 300 të plagosur si dhe përgjegjësia e Shtabit të Përgjithshëm për këtë rast, ka bërë që Kryeministri Berisha të mos i japë dorën Shefit të Shtabit të Përgjithshëm, Luan Hoxha. Kreu i qeverisë dhe Shefi i Shtabit ishin së bashku në ceremoninë e zhvilluar në Shkollën e Bashkuar për zëvendësimin e komandantit të NATO-s në Tiranë, por megjithëse gjatë gjithë kohës Hoxha ka qenë mbrapa Kryeministrit Berisha, ky i fundit e ka shmangur atë duke mos e takuar. Me gjithë pretendimet e Shtabit të Përgjithshëm se nuk ka pasur dijeni për Gërdecin, një
urdhër i bërë publik së fundmi implikon edhe këtë
institucion në këtë tragjedi.

Tradhtohet Delijorgji: Në fabrikë punonin të mitur

Punëtorët e fabrikës së demontimit të predhave luftarake në fabrikën e Mihal Delijorgjit në Gërdec dëshmojnë në Prokurori për mungesën e kushteve të sigurisë dhe shkeljet e tjera gjatë procesit të punës.

Trazhgim Sokolaj

Burimet zyrtare nga Prokuroria e kryeqytetit thanë se grupi hetimor ka thirrur për të marrë në pyetje 120 persona që rezultojnë në listën e ish-punëtorëve të fabrikës së kompanisë “Alb Demil” në fshatin Gërdec. Pyetja e punëtorëve mësohet se ka filluar prej ditës së djeshme dhe do të përfundojë me dokumentimin e të gjitha dëshmive të tyre në dosjen penale të hapur më 15 mars 2008 për tragjedinë e Gërdecit. Organi i akuzës konfirmoi se pjesa dërrmuese e punëtorëve janë marrë në pyetje edhe më parë ndërsa ata pritet të dëshmojnë para prokurorëve hollësi rreth mënyrës si punohej në fabrikën e Gërdecit. Sipas burimeve hetimore tri janë pistat kryesore në të cilat do të ndërtohen edhe pyetjet me të cilat do të përballen punëtorët e firmës. Momenti i parë lidhet me mekanizmin si është shkaktuar shpërthimi në fabrikën e demontimit. Prokurorët do të pyesin punëtorët e Mihal Delijorgjit rreth punësimit të personave të mitur dhe të pa trajnuar në fabrikë ndërsa momenti i tretë lidhet me mungesën e kushteve të sigurisë dhe shkeljen e rregullave gjatë procesit të punës. Një tjetër fakt për të cilin po merren në pyetje ish-punëtorët e fabrikës së Gërdecit është edhe paketimi i fishekëve nga arkat e drurit dhe të hekurit në kuti kartoni të cilat dyshohet se janë trafikuar jashtë Shqipërisë. Në dëshmitë e tyre paraprake pjesa më e madhe e punëtorëve kanë dëshmuar kundër Mihal Delijorgjit.
Dëshmitë e punëtorëve
Punëtorët e parë që janë marrë në pyetje në Prokurori kanë dëshmuar kundër ish-punëdhënësit të tyre Mihal Delijorgji, i njohur si biznesmen i hekurit tashmë i arrestuar pas tragjedisë së ndodhur në Gërdec. Edhe në deklarimet e tyre të mëparshme të dhëna për oficerët e policisë gjyqësore, punëtorët kanë pranuar se në fabrikë kanë parë persona të mitur që merreshin me procese të ndryshme të demontimit të predhave. Të thirrur në cilësinë e dëshmitarëve të ngjarjes, ish-punëtorët e fabrikës që shkaktoi katastrofën janë shprehur se në Gërdec mungonin kushtet e sigurisë si shërbimi i zjarrfikëses që duhej të ishte pranë fabrikës dhe mjetet tjera të shuarjes së zjarrit në rast aksidenti gjatë procesit të punës. Nga 120 punëtorët që ndodhen në listën e Prokurorisë, të cilët janë thirrur për të dëshmuar, vetëm njëri prej tyre ka pohuar se ishte siguruar dhe posedonte dokumentacion të rregullt për punësimin e tij. Numri më i madh i punëtorëve të pyetur rreth ngjarjes, është shmangur për të dhënë detaje rreth momentit dhe mekanizmit të shpërthimit. Megjithatë Prokuroria tha se dëshmitarët kanë të dhëna edhe për mënyrën si është shkaktuar shkëndija e parë e cila më pas shkaktoi shpërthimin apokaliptik në Gërdec i cili u mori jetën 25 personave dhe plagosi mbi 300 të tjerë. Në rrëfimet e tyre një pjesë e vogël e punëtorëve pranojnë se kanë paketuar fishekë nga arkat e mëdha prej hekuri dhe druri në kuti kartoni të cilat niseshin më pas nga fabrika me mjete të tonazhit të lartë.       

Banorët i dorëzojnë grupit hetimor dokumentet

TIRANE – Banorët e Gërdecit i ofruan dje grupit hetimor dokumente të ndryshme të gjetura nëpër rrënojat e ish-fabrikës së demontimit. Sapo mbërriti në zonë mëngjesin e djeshëm, grupi hetimor u njoh nga ushtarakët e dislokuar në zonë se banorët u kishin ofruar atyre dokumente të shumta që kishin gjetur pas shpërthimit dhe që i kishin ruajtur për t’ia dhënë Prokurorisë. Banorët pohojnë se i kishin gjetur nëpër rrënoja kur kërkonin trupat e viktimave. Këto iu dorëzuan hetuesve, dhe pritet t’i bashkëngjiten dosjes hetimore në ngarkim të tre të arrestuarve për tragjedinë. Ndërkohë po dje policia e kryeqytetit mori në dorëzim dy armë dhe një granatë dore, të cilat i dorëzuan vullnetarisht banorët e Gërdecit. Sipas tyre ato armë kishin mbetur të fshehura nëpër banesa pas vitit të mbrapshtë 1997 dhe siç duket shkatërrimi i banesave i ka zbuluar ato, ndërsa poseduesit e tyre e kanë parë të udhës t’i vetë dorëzojnë në polici. Ndërsa për granatën efektivët e ushtrisë pohuan se ajo ishte gjetur në fushë të hapur dhe ishte sjellë në pikën e inerteve prej tyre. Për shumë ditë me radhë grupi hetimor i prokurorisë së kryeqytetit i kryesuar nga prokurori Arben Dollapaj gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës shkresore një pjesë të mirë të dokumentacionit të firmës “Alb Demil” mbajtur prej ish-drejtorit të saj Dritan Minxolli. Një pjesë e mirë e këtyre dokumenteve u gjetën në kasafortën e personale të Minxollit. tashmë, së bashku me dokumentet e tjera të sekuestruara në Ministrinë e Mbrojtjes në duart e organit procedues ndodhen të gjitha faktet që provojnë se tre të arrestuarit kanë përgjegjësi me veprimet dhe mosveprimet e tyre në katastrofën që shkaktoi 26 të vdekur dhe 296 persona të plagosur. Ditën e djeshme u krye dokumentimi i pjesës së fundit të vendngjarjes, ndërkohë në ditët në vazhdim pritet që grupi hetimor të vazhdojë me dokumentimin e banesave të shkatërruara të fshatit Gërdec si dhe të dokumentojë dëmet e tjera të shkaktuara nga katastrofa. Ndërkohë pritet që prokuroria të mbikëqyrë gërmimet në ish-banesën e Minxollit në kërkim të dokumenteve të tjera që ndodhen poshtë rrënojave.           fa.ma.

Tragjedia, zbulohet kufoma e parafundit

Kërkimet e hetuesve dhe forcave të ushtrisë në kraterin e shpërthimit, zbuluan dje  kufomën e një femre në Gërdec.

Fatos Mahmutaj

Mendohet se trupi i pajetë që kishte nisur të dekompozohej i përket 19-vjeçares Zelie Leti, ish-punëtores së fabrikës së demontimit. Ajo u gjet paraditen djeshme nga forcat e ushtrisë diku pranë vendit ku e afërmja e saj Arta Prini, tregoi se e kishte parë pak çaste para shpërthimit fatal. Trupi i saj u gjet poshtë rrënojave të ish-fabrikës, ndërsa kishte marrë goditje nga rreth 15 predha që ishin shpërndarë nga shpërthimi. Madje një prej predhave i kishte shkatërruar kokën, duke e bërë shumë të vështirë identifikimin e saj. Zbulimi i kufomës u bë rreth orës 10:00 të paradites së djeshme, ndërsa për dy orë me radhë ishte e vështirë të përcaktohej nëse poshtë rrënojave ndodhej një trup i pajetë, apo ndonjë nga gjymtyrët e punëtorëve të vdekur nga shpërthimi i 15 marsit. Pas lëvizjes së rrënojave me anë të një buldozeri ushtarët që po gërmonin prej dy javësh e patën të lehtë të nxirrnin të pa dëmtuar kufomën.
Tragjedia
Gjetja e një kufome tjetër nën rrënojat e ish-fabrikës së demontimit në Gërdec e çon në 25 numrin e të vdekurve nga tragjedia, ndërkohë në vendngjarje mbuluar nga inertet e shumta mendohet se gjendet ende trupi i pajetë i një gruaje, 25-vjeçares Shqipe Alhasa. Gjithsesi për kufomën e gjetur dje ende nuk dihet nëse i përket Alhasës apo Letit, por do të jetë Instituti i Mjekësisë Ligjore ai që do e përcaktojë saktë, pasi të ketë bërë analizën e ADN-së. Një autoambulancë e ushtrisë e përcolli dje  kufomën në morgun e kryeqytetit ku më pas shkuan edhe familjarët e Letit për të dhënë kampione gjaku për analizën e ADN-së.
Zbulimi
Kufoma e djeshme u gjet pak metër larg vendit që përcaktoi dëshmitarja e mbijetuar nga tragjedia Arta Prini. Prini tha se pak sekonda para se të shihte flakën fatale kishte vërejtur nusen e kushëririt të saj që punonte në pastrimin e predhave, duke punuar. Siç duket viktima që u gjet dje, duke tentuar t’i shpëtonte tragjedisë ishte afruar pranë murit me llamarina të fabrikës, ndërsa mund të jetë goditur nga një predhë në kokë, e cila e ka rrëzuar. Ndërsa më pas ishte goditur edhe nga rreth 15 predha të tjera. Tashmë nën rrënoja mendohet se gjendet ende trupi i pajetë i nënës së dy fëmijëve të mitur Shqipe Alhasa. Edhe dje familjarë të saj vazhduan kërkimet, ndërsa ditët e fundit janë ndihmuar edhe nga buldozerë të ushtrisë.

Krehja
Plot 1000 ushtarë krehën ditën e djeshme zonën hyrëse në Gërdec ku mblodhën të gjitha predhat e shpërndara nga shpërthimi dhe i grumbulluan në një pikë pranë vatrës së tragjedisë. Pas kësaj shtabi ushtarak i ngritur në Gërdec vendosi të lëvizte çadrat nga hyrja e fshatit pranë autostradës në një zonë tjetër më pranë vendit të shpërthimit, në mënyrë që të mos pengonte rikthimin e banorëve.

Të huajt
Zonën e ish-repartit të tragjedisë në Gërdec e vizituan dje ushtarakë të shumtë të huaj, të cilët që në momentin parë konstatuan se ndotja në të ishte e madhe dhe se përbënte rrezik për ushtarakët dhe grupin hetimore që punonte aty. Sipas tyre një rrezik evident për jetën paraqitej edhe përhapja në të gjithë sipërfaqen e zonës, predhave të rrezikshme, djegoreve dhe barutit.

Punëtorët e Gërdecit, protestë për pagat e dëmshpërblimin
Më shumë se 45 punëtorë të fabrikës e armëve, që mbijetuan nga tragjedia e Gërdecit protestuan dje para Ministrisë së Punës. Ata kërkuan jo vetëm pagat e pamarra, por edhe dëmshpërblim 200 mijë lekë për traumën gjithëpërfshirëse pas shpërthimit. “Muajin e fundit ne nuk jemi paguar dhe kërkojmë nga shteti që të na japë paratë që na takojnë edhe dëmshpërblimin”, tha një nga punëtorët. Pas disa minutave protestë përfaqësues të punëtorëve u takuan me ministrin e Punës dhe Çështjeve Sociale, Kosta Barka, i cili u kërkoi atyre të paraqisnin pranë dikasterit që drejton listën e saktë me punëtorët e papaguar në mënyrë që të lëvrohet fondi për pagat e tyre. Sa i përket dëmshpërblimit mësohet se atë do ta përfitojnë vetëm familjet që kanë viktima dhe jo të tjerët. Ndërkaq pas shpërthimit të 15 marsit në Gërdec, tashmë 93% e nxënësve të kësaj zone i janë rikthyer normalisht procesit mësimor. Zv/ministri i Arsimit Halit Shamata, në një konferencë për shtyp sqaroi dje gjithçka mbi shkollat e zonës së shpërthimit. Aktualisht Drejtoria Arsimore në Tiranë dhe në Durrës kanë siguruar listat e teksteve që duhen në këtë zonë dhe ua ka dhënë shtëpive botuese, të cilat janë ofruar për t’u dhuruar tekstet që u duhen nxënësve të kësaj zone. Gjithashtu  bëhet e ditur se MASH ka siguruar një shërbim psikologjik për nxënësit me 12 psikologë më të përgatiturit të dërguar nga Tirana dhe Durrësi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›