Digjen 3 punëtorë të Ferro-Kromit
Tre metalurgë kanë marrë plagë djegieje dje në uzinën e Ferro-Kromit në Elbasan pas një avarie teknike në repartin e shkrirjes.
ELBASAN/ ALDO KOZARJA
Aqif Pepa, Mehmet Serica dhe Luan Jaupi, punëtorë të firmës koncensionare ruse "Albkrom", kanë pësuar djegie të rënda kur copëza të llavës së mineralit të shkrirë ranë në trupat e tyre. Në mënyrë urgjente ata janë dërguar në spitalin kirurgjik të qytetit, ku pas ndërhyrjes së mjekëve i kanë shpëtuar rrezikut për jetën. Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 01:00 të së dielës në repartin e shkrirjes së Ferro-Kromit, gjatë punës së turnit të tretë. Sipas dëshmitarëve në këtë vendngjarje, një kovë e rëndë me mineral të shkrirë është derdhur teksa transportohej horizontalisht në një lartësi jo më shumë se pesë metra. Pikërisht në momentin e derdhjes, pas devijimit të pozicionit horizontal të kovës, copëza të llavës së mineralit në përplasje me sipërfaqen e tokës kanë rënë në pjesë të ndryshme të trupave të tre metalurgëve, që ishin duke punuar në repart. Djegia ka qenë e menjëhershme, edhe pse metalurgët ishin të veshur me rroba zjarrduruese. Punëtorët e tjerë të turnit kanë lajmëruar autoritetet e spitalit dhe një autoambulancë ka transportuar me urgjencë në repartin e spitalin kirurgjik të qytetit tre metalurgët. Sipas mjekëve, metalurgët janë paraqitur në këtë pavijon rreth orës 01:20 minuta, me plagë djegieje në pjesë të ndryshme të trupit. Bluzat e bardha të Elbasanit pohuan se metalurgu Luan Jaupi kishte djegie të një shkalle më të lartë se të tjerët në pjesën e barkut dhe nëpër krahë. Pas mbërritjes në spital të tre metalurgët i janë nënshtruar terapisë intensive dhe gjendja e tyre shëndetësore paraqitet e mirë. Bëhet e ditur se gjer dje në mesditë, asnjë prej përfaqësuesve të firmës "Albkrom" nuk është paraqitur në mjediset e spitalit, përveç krerëve të sindikatës që janë ndodhur aty rreth një orë pas këtij aksidenti. Nga ana tjetër, portat e uzinës së Ferro-Kromit dje janë mbyllur për të gjithë gazetarët, ndërkohë që administratori rus i kësaj firme, Vasily Tolstoguzov, nuk ka dhënë asnjë deklaratë rreth ngjarjes. Aksidenti i djeshëm në uzinën e Ferro-Kromit në Elbasan është i dyti në harkun kohor të pesë muajve. Më 14 janar të këtij viti në uzinën e çelikut në "Kurum", dy metalurgë humbën jetën dhe katër të tjerë pësuan djegie të rënda nga shpërthim i furrës së shkrirjes së çelikut. Ngjarja e djeshme e çon në 27 numrin e të aksidentuarve në punë në rrethin e Elbasanit, ku 20 prej tyre kanë ndodhur në zonën industriale të metalurgjikut.
Precedenti në uzinën e Burrelit
Më 16 prill të këtij viti tre metalurgë të uzinës së Ferro-Kromit në Burrel u plagosën rëndë nga shpërthimi i furrës së shkrirjes së mineralit. Tre të plagosurit ishin në distancë të afërt me furrën në momentin e shpërthimit të saj. Sipas policisë së Dibrës, shpërthimi u shkaktua nga pakujdesia e punëtorëve, ndërsa sipas metalurgëve, shkak i shpërthimit ishte amortizimi i tejskajshëm i furrës.