E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ish-punëtorët e Gërdecit i rikthehen grevës së urisë

TIRANE - Shtatë ish-punëtorët e fabrikës së demontimit të predhave dhe municioneve luftarake "Albdemil", e cila shpërtheu më 15 mars në Gërdec 

 iu rikthyen dje grevës së tyre të urisë në godinën përballë Bashkisë së Vorës. Gjithçka ka ndodhur paraditen e djeshme, në ditën e 10 të grevës së tyre, kur 7 grevistët vendosën të braktisnin spitalin pas marrjes së serumeve dhe mjekimeve. Pasditen e së premtes 7 grevistët u shtruan urgjent në spitalin numër një të Tiranës, në pavijonin e infektivit të QSUT-së, për shkak të problemeve shëndetësore që iu shkaktuan nga greva. Mjekët pohuan se shëndeti i grevistëve paraqitej i rënduar, dhe mund të kishte pasoja të rënda nëse nuk trajtoheshin me serume dhe medikamente. Gjatë një nate të qëndrimit në spital atyre iu dha ndihmë mjekësore, ndërsa ata përsëritën se nuk hiqnin dorë nga greva derisa qeveria t'i pranonte kërkesat. Për më tepër grevistët pohojnë se do të shkojnë deri në vetëflijim pasi janë braktisur nga shteti dhe kanë humbur gjithçka nga shpërthimi i 15 marsit. Por paraditen e djeshme ish-punëtorët grevistë, u rikthyen në godinën trekatëshe përballë Bashkisë së Vorës ku dhe kanë nisur grevën e urisë 10 ditë më parë. Ata u ngujuan në grevë urie, pasi kërkesat e tyre u refuzuan të zgjidheshin për disa ditë me radhë nga institucionet shtetërore. Ish-punëtorët u shprehen të vendosur për ta vazhduar grevën deri në plotësimin e kërkesave, të cilat thonë se janë të drejta. Ato shpresojnë se Kryeministri Berisha do të reagojë ndaj kërkesave të tyre, ndërkohë që shprehen se Bashkia e Vorës është e pafuqishme për t'i plotësuar ato. Kërkesat e tyre drejtuar qeverisë janë: 40 mijë lekë ndihma financiare për një punëtor të paguhet për një vit; një vit rrogë me 50 mijë lekë në muaj; më pas shteti të sigurojë asistencën për këta punëtorë; pension për familjarët e viktimave; dëmshpërblim për mjetet motorike si dhe t'u njihen sigurimet shoqërore nga viti 2006 deri në ditën kur ndodhi shpërthimi.                       f.m.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›