E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sa më shumë gra, por jo për “parukeri” politike!

Martin Leka 

-Pra, ja ka mshef Kuvenit...! Kur kryetarja e Kuvendit me këtë frazë akuzoi kryeprokuroren Ina Rama lidhur me dokumentet që organi i Prokurorisë kishte dërguar sipas kërkesës së legjislativit, lidhur me procedurat për heqjen e imunitetit të ish-ministrit të Mbrojtjes, u duk ...qartë se të gjitha deklaratat e përbetimet për heqjen e imuniteteve për çdo kërkesë të organit të akuzës për deputetët, ishte vetëm një demagogji e radhës dhe asgjë më tepër. Shkurt, një gënjeshtër. Madje për hir të së vërtetës, vetë ish-ministri i Mbrojtjes Mediu ka deklaruar mëse një herë se ishte i gatshëm ta dorëzonte imunitetin. Mirëpo, Topalli bën sikur s'dëgjon… Kësaj i thonë "I zoti e shet, tellalli s'e jep"!
Pak më vonë, në përpjekje për të "damkosur" dekretet e Presidentit të Republikës për pesë anëtarë të Gjykatës së Lartë, zonja Topalli dhe të tjerë pas saj, thanë se "Presidenti kishte shkelur Kushtetutën", se "do të votojmë raportin e Komisionit të Ligjeve", etj., etj. Gjithçka përmblidhej në faktin se Presidenti i vendit nuk po i bindej oreksit blu dhe si presion për kreun e shtetit, u përdorën makinacione të shumta që kishin lidhje herë me procedura, herë me interpretime, por që gjithçka dukej qartë si drita e diellit se kishte të bënte me mosbesimin tek disa emra të dekretuarish për në organin e lartë gjyqësor.
Kjo kishte të bënte jo vetëm me etjen për protagonizëm politik dhe jo vetëm, që ka mbërthyer kryeparlamentaren, por edhe me një dozë mosmarrëveshjesh e pakënaqësish të lidershipit blu ndaj kreut të shtetit, të cilin shumë prej këtij lidershipi e donin dhe e preferonin të ishte edhe më pas si numri dy i PD-së apo si një president partiak.
Kryeministri Berisha, si më me përvojë dhe i regjur në politikë tashmë, po ia del me mjaft lehtësi të përdorë "mashët" në mënyrë që të ruajë sa më shumë duart e veta. Por Topalli në këtë rol duket si "mashë druri", pasi sa herë merr këtë rol, shpejt fjalëve të saj iu del tymi. A nuk ndodhi kështu kur iu sul prokurores së Përgjithshme?! Menjëherë ndërroi kah, si të mos kishte ndodhur asgjë. A nuk ndodhi kështu edhe me imunitetin e Mediut?! Tha menjëherë se do t'ia heqim imunitetin (zot e di çdo të thotë nëse parlamentarët votojnë kundra?!). A nuk ndodhi kështu me dekretet e Presidentit për anëtarë të Gjykatës së Lartë? Tha menjëherë se do të votohen dekretet, jo raportet… Tel alumini!
M'u kujtuan të gjitha këto qëndrime të kundërta të kryeparlamentares teksa lexoja dje në një nga gazetat e përditshme për një koment, po të zonjës Topalli, në një aktivitet me temë "Zhvillimi i Liderëve të rinj në Politikë", organizuar nga NDI-ja. Sipas kësaj zonje, "me reformën kushtetuese, kemi hapur një kapitull të ri për të bërë të mundur që në zgjedhjet e ardhshme të kemi një numër më të madh grash përfaqësuese në Kuvend".
Se si e katranosi Kushtetutën Topalli e sivëllezërit apo simotrat e saj të PS-së, kjo tashmë është bërë e qartë dhe nuk kemi pse t'i kthehemi. Por kemi të drejtë të mendojmë se nëse Kushtetuta hap vërtetë hapësira për më shumë gra, ato së paku nuk duhet të jenë si këto politikanet e sotme, nëse nisemi nga qëndrimet ekuivoke, të kundërta, të papërgjegjshme e pa sens politik, disa nga të cilat i cituam edhe më sipër.
Në politikë, sidomos në kushtet e Shqipërisë, nuk mund të sakrifikohet vetëm për hir të hireve, të gjinisë, të statistikave. Sepse jo rrallë ka qëlluar që për këtë arsye, ndonjë grua të sillet më keq se një burrë, sa merr një post politik…
Gratë na duhen për politikë, jo për të mbushur sallonet e modës a parukeritë…

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›