E Diel, 1 Nëntor 2026

Digjen kutitë e zgjedhjeve të Tiranës, Prokuroria s’paraqiti asnjë kërkesë

SHKRUAN: Fejzi Braushi 27-10-2011 12:23

KQZ: Nuk ka asnjë kërkesë sekuestro nga Prokuroria e Tiranës për kutitë e qarkut të Tiranës. 2-3 muajt e fundit ka kërkesa për sekuestrim materialesh nga zona të caktuara, kryesisht komuna dhe kryesisht për kuti materialesh zgjedhore

Mbyllet çdo mundësi që Prokuroria të hetojë mbi procesin e zgjedhjeve të 8 Majit në Tiranë. Pavarësisht se socialistët kanë paraqitur disa kallëzime në organin e akuzës lidhur me pretendimet për manipulime dhe keqpërdorim të detyrës nga anëtarët e KQZ-së në administrimin e procesit elektoral të 8 Majit, sidomos në kryeqytet, Prokuroria nuk ka paraqitur asnjë kërkesë për sekuestrim të kutive të Tiranës, ndërkohë që dje ka nisur dhe asgjësimi i materialeve zgjedhore dhe fletëve të votimit që përmbajnë ato. Drejtoresha e Logjistikës Zgjedhore në KQZ, Erida Dobrushi, e pranishme në magazinat e Lundrës ku nisi ekzekutimi i vendimit për zbrazjen e kutive të votimit të 8 Majit dhe djegies së fletëve dhe materialeve të panevojshme, ka konfirmuar në mënyrë zyrtare se për qarkun e Tiranës nuk ka patur asnjë kuti të sekuestruar nga Prokuroria. “Nuk ka asnjë kërkesë sekuestro nga prokuroria e Tiranës për sekuestrim të kutive të qarkut të Tiranës. 2-3 muajt e fundit ka kërkesa për sekuestrim materialesh nga zona të caktuara, kryesisht komuna dhe kryesisht për kuti materialesh zgjedhore, pasi lidhet me dokumentacionin që ka punuar qendrat e votimit. Duke llogaritur dhe kutinë e fundit që ka ardhur ka marrë sot Prokuroria e Shkodrës, janë rreth 14 kuti”, - tha drejtoresha Logjistikës Zgjedhore, Erida Dobrushi. Po gjatë ditës së djeshme KQZ ka nisur në terren zbatimin e vendimit të asgjësimit të materialeve të panevojshme të prodhuara nga procesi i zgjedhjeve të 8 Majit (materiale dhe fletë votimi) dhe pastrimit të kutive të votimit për të qenë të gatshme për t’u përdorur në zgjedhjet e ardhshme. Për shkak se kutitë e qarkut të Tiranës ishin çuar të fundit në magazinat e Lundrës, si rrjedhojë e tejzgjatjes së procesit ankimor për këtë njësi, ato gjendeshin në hyrje të ambienteve, ndaj dhe procesi i boshatisjes së kutive dhe djegies së materialeve të panevojshme ka nisur pikërisht nga to. Gjatë ditës së djeshme janë hapur dhe janë djegur materialet e kutive të 3 njësive minibashkiake në Tiranë, ndërkohë që ditët në vijim do të vijojë me njësitë e tjera. “Asgjësimi ka filluar me qarkun e Tiranës, pasi është dhe qarku i fundit që ka mbërritur dhe teknikisht janë kutitë e para që janë në magazine”, - tha Dobrushi. Ndryshe nga fletët e 2009-s, këto të zgjedhjeve të fundit po asgjësohen në ambientet e Rezervave të Shtetit, pak metra larg magazinave ku janë ruajtur deri më tani.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›