PS: Rinumërim votash, ndryshe s'njohim zgjedhjet

Partia Socialiste kërkon rinumërimin e të gjithë votave të qarkut të Shkodrës, Beratit, kutive të Fierit por edhe të disa zonave në kryqytet, në të kundërt nuk do të njohë zgjedhjet. Ky është vendimi që selia rozë ka marrë pas një takimi i cili zgjati më shumë se dy orë mes kandidatëve për deputetë të Partisë Socialiste. Në këtë takim të mbyllur për mediat, kjo forcë politike ka vendosur të kërkojë numërimin jo vetëm të qarqeve për të cilat ka ngritur më parë shqetësimin por edhe të zonës së Paskuqanit dhe të Ndroqit në kryqytet. Një lëvizje kjo sa në funksion të ruajtjes dhe numërit të vullnetit të popullit, aq edhe një lëvizje taktike në kushtet kur ka qenë pikërisht zona e Ndroqit dhe rezultati i dalë nga këto kuti ai i cili i ka siguruar kreut të Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta mandatin e deputetit në këto zgjedhje. Ky takim pune vjen si rrjedhojë e vendimit të Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve ditën e martë ku me shumicë votash u hodh poshtë pretendimi i Partisë Socialiste për të numëruar kutitë e transportuara nga qarku i Fierit për në KQZ. Partia Socialiste paralameroi një ditë më parë, pas mbledhjes së kryesisë se është e vendosur të ruajë çdo votë të shqiptarëve dhe qarku i Fierit duhet të numërohet në KQZ, ndryshe kjo forcë politike nuk do të njohë zgjedhjet.