E Diel, 1 Nëntor 2026

Kriza, qytetarët nuk shlyejnë detyrimet e kredive në banka

21/04/2010 Kreditorët në hall me pagesat në afat, merren masa nga gjykata dhe përmbarimi

TIRANË- Pothuaj të gjitha bankat e nivelit të dytë në vend janë të përfshira nga huamarrja dhe moskthimi i detyrimeve në afatin e caktuar me kontratë. Janë jo pak, për dy muaj 135 urdhra ekzekutimi, të cilat i kanë kaluar përmbarimit të Tiranës. Marrja e një kredie në bankë përbën titull ekzekutiv. Por që të arrij deri në këtë pikë, duhet me patjetër vendimi i gjykatës. Në gjuhën juridike dhe atë bankare kjo quhet “kredia e keqe”. Faqja e gjykatës së Tiranës për muajt mars dhe prill është e tejmbushur me vendime që kanë si objekt “lëshimin e urdhrit të ekzekutimit”. Të dyja palët duket se janë në hall. Nga njëra anë qytetarët që detyrohen të marrin kredi e më pas ndodhen përballë rrezikut të mosshlyerjes dhe nga ana tjetër bankat që kërkojnë të zbatohet kontrata e nënshkruar dhe e noterizuar për kthimin në kohë të parave të marra. “Kredia e keqe” mbetet problem për gjykatën dhe zyrën e përmbarimit. Çdo kreditor sipas kontratës së nënshkruar me bankën përkatëse në momentin e marrjes së saj, duhet ta shlyejë çdo muaj në datën e caktuar. Por nuk ka ndodhur kështu me personat që janë paditur dhe shumë shpejt do të jenë nën presionin e përmbarimit, i cili mund t’u sekuestrojë edhe pasurinë që kanë blerë. Sipas statistikave të marra në Gjykatën e Tiranës, bëhet e ditur se numrin më të madh të padive civile me objekt “lëshimin e urdhrit ekzekutiv” e mban Banka Kombëtare Tregtare. Vetëm në një muaj regjistrohen 40 padi me këtë objekt për llogari të kësaj banke. Ndërsa nuk kanë pak edhe Raiffeisen, Alfa Banka, Banka Tirana. Edhe kompani të ndryshme të telefonisë celulare që veprojnë në vend janë futur në këtë vorbull detyrimesh të pashlyera. AMC është një subjekt që kërkon ndihmën e gjykatës për vjeljen e tarifave të telefonit të papaguar. Pas saj edhe “Albtelekom” që ka regjistruar të paktën në dy muaj 20 padi.

Bankat dhe kompanitë e prekura nga “sëmundja”

Numri i bankave dhe kompanive të prekura nga “sëmundja” e pakthyeshmërisë së borxhit të marrë, janë të shumta. Banka Kombëtare tregtare, Raiffeisen Bank, Banka Emporiki, Alpha Bank, “Banka e parë e investimeve”, “Banka e Bashkuar e Shqipërisë”, Banka Credins, Banka Popullore, “Banka Kombëtare e Greqisë”. Fondi “Besa” kanë një numër të madh padish të regjistruara, ndërkohë që edhe “Albtelekom” e Dega e Doganës vijnë pas tij. Kjo e fundit ka paditur shumë shoqëri tregtare, të cilat nuk kanë shlyer detyrimet doganore duke iu shmangur për muaj me radhë. Ndërsa është kërkuar sekuestrimi i të gjithë mallit të importuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›