Digjet furgoni, shkak defekti në motor
Durrës - Një furgon që transportonte mallra ushqimorë, ka marrë flakë rreth orës 13:30 të së hënës në afërsi të Maminasit. Zjarri ka përfshirë pjesën e përparme të automjetit dhe më pas është përhapur me shpejtësi edhe në kabinën e shoferit. Drejtuesi i automjetit ka dalë menjëherë nga makina, pa pësuar lëndime. Për koincidencë në momentin e djegies së automjetit, ka kaluar edhe eskorta e Presidentit të Republikës, çfarë ka bërë që policët e qarkullimit rrugor të rrethojnë menjëherë vendin ku po digjej automjeti. Një zjarrfikëse e nisur nga Durrësi, ka mbërritur në vendin e ngjarjes, disa minuta pasi furgoni ishte përfshirë nga flakët dhe ka bërë të mundur fikjen e zjarrit. Automjeti është shkatërruar pothuajse plotësisht. Shkak i rënies së këtij zjarri mendohet të jetë një shkëndijë elektrike në pjesët motorike të makinës.
Burrel, rrëshqitja e tokës rrezikon një familje
Burrel - Fenomeni i rrëshqitjes së tokës duket se po shfaqet edhe në zona të tjera. Rastet e ndodhura në Kavajë, Pogradec e Gramsh nuk janë të vetmet pasi dhe një familje në Komsi të Burrelit kanoset nga rreziku i shembjes së banesës. Rrëshqitjet e vazhdueshme të tokës rrezikojnë seriozisht jetën e një prej familjeve në fshatin Komsi të Burrelit. Banesa e familjes Kola ndodhet në gjendje kritike shumë pranë rrëshqitjes së dheut dhe familjarët janë detyruar që përkohësisht të braktisin banesën e tyre për shkak të rrezikut që u kanoset. Shtëpia ka marrë plasaritje në mure dhe mund të përfundojë në rrjedhën e lumit Mat, familjarët janë në ankth për fatin e tyre si rezultat i kanosjes së këtij rreziku. 6 anëtarët e familjes Kola kërkojnë ndihmë nga pushteti lokal për mundësimin e një vendstrehimi të sigurt për ta. Sipas banorëve rikthimi i reshjeve do të provokonte rrëshqitjen e tokës çka do të thotë rrezik më i madh për këtë familje.
14 Prill 2009