E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fëmijët shqiptarë, pasoja te renda nga koha e gjate përpara televizorit



Emanuela Sako

Fëmijët shqiptarë thyejnë rekord për orët e zgjatura që kalojnë para ekranit të televizionit. Specialistët e ISHP-së kanë kryer një studim për kohëzgjatjen e qëndrimit para ekranit të fëmijëve, ku janë pyetur prindërit dhe fëmijët. Nga të dhënat e studimit ka dalë se fëmijët shqiptarë qëndrojnë më tepër se 3 orë para televizorit, çka është e dëmshme për moshën e tyre. Prindërit kanë deklaruar me shqetësim se fëmijët e tyre kalojnë tri ose më shumë orë në ditë përpara televizionit dhe për kureshtjen e madhe që ata kanë për programet televizive. Raporti i atyre që e deklarojnë këtë shqetësim është 60%, çka përbën dhe pjesën më të madhe. Specialistët rekomandojnë që fëmijët që qëndrojnë jo më shumë se një orë para ekranit dhe të shohin emisione të kontrolluara nga prindërit e tyre.
Shkaktarët
Specialistët e Shëndetit Publik vlerësojnë se harxhimi i një kohe kaq të madhe përpara televizorit, është i dëmshëm. Ky fenomen ndikon së pari në formimin e një temperamenti pasiv, dhe krijon terren për shfaqjen e obezitetit. Ky karakter pasiv shuan kureshtjen e fëmijës për të qëndruar shumë mbi libra dhe interesin për shkollën e shoqërinë. Ndërkohë që studime të tjera, nxjerrin në pah se mbipesha dhe obeziteti janë mjaft të pranishme në grupmoshat e hershme. Kështu, sipas të njëjtin burim rezulton se 15.4% e fëmijëve të moshës 9-10 vjeç vuajnë nga mbipesha, ndërsa rreth 4 % nga obeziteti. Obeziteti quhet ndryshe dhe shëndet i tepërt, ku personat kanë masë të madhe dhjamore, që vjen si rezultat i ngrënies së tepërt dhe djegies së pakët të kalorive të marra, apo depozitimi i tepricave kalorike
Sëmundjet
Banka Botërore kohët e fundit ka kryer një studim në vendin tonë, ku thekson se në krahasim me 10 vjet më parë, në Shqipëri vdekshmëria nga sëmundjet e zemrës, të vazave të gjakut dhe kancerit është rritur në masën 40%. Vetëm sëmundjet kardiovaskulare zënë 50% të totalit të vdekjeve në vendin tonë dhe në këtë fakt alarmant ndikon dhe mbipesha. Mbipesha përbën rrezik për një sërë sëmundjesh, ku mund të renditen; diabeti tip 2, hipertensioni, sëmundje ishemike të zemrës e të arterieve të trurit, sëmundje të tëmthit, disa tipe kanceri, si të mitrës, ovareve, gjirit, zorrës, tëmthit, prostatës, mëlçisë etj. Për të ndryshuar këto raporte duhet që të gjithë personat obezë t’i nënshtrohen një diete të fortë ushqyese dhe t’i rikthehen jetës aktive. Disa sëmundje të shkaktuara nga obeziteti mund të shmangen në disa mënyra. Mund të parandalohen mbi 80% e sëmundjeve ishemike të zemrës, 90% e diabetit të të rriturve dhe një e treta e numrit të të sëmurëve me kancer, si dhe të rasteve të vdekjeve ose vuajtjeve të lidhura me to. Sipas udhëzimeve të specialistëve të shëndetësisë, rekomandohet të konsumohen ushqime me origjinë bimore, drithërat, orizi dhe varietete zarzavatesh e frutash disa herë në ditë. Rekomandohet që të gjitha këto ushqime të konsumohen në masën 400 gramë në ditë.

14 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›