63- vjeçari, padi policisë për dëmtim imazhi
Tiranë – Ndodh që të arrestohesh edhe pa shkak, madje të mund të “të kyçin” edhe në paraburgim e policia e përcjell lajmin me bujë në media duke prezumuar pafajësinë. Kjo i ka ndodhur një 63 vjeçari nga Tirana, i cili u arrestua me bujë, por gjykata e ka quajtur arrestimin e tij të paligjshëm dhe e ka liruar. Pas vendimit të Gjykatës së Kavajës që ka urdhëruar lirimin e menjëhershëm të tij, avokatit të të arrestuarit i ka shkuar në mendje të akuzojë policinë se me publikimin e të dhënave të klientit të tyre, ka shkelur prezumimin e pafajësisë dhe cenuar njëkohësisht edhe imazhin e tij. Avokati do të kërkojë nga uniformat blu zhdëmtim moral për klientin, i cili është arrestuar pa as më të voglën provë kundër tij. Edhe pse nuk dihet ende nëse avokati i 63 – vjeçarit ta ketë depozituar padinë e tij, sidoqoftë kjo është një ndër iniciativat e rralla kur një shtetas padit për cenim imazhi Policinë e Shtetit.
Ngjarja
63-vjecari, Ajet Elezi nga Durrësi është mbajtur tre ditë në qelitë e paraburgimit pas prangosjes së tij me urdhër ndalimi nga prokuroria. Ndërkohë njoftimi i policisë është pasuar me komente në media, ku i arrestuari cilësohej si mashtrues. Por menjëherë pasi gjykata ka kërkuar që i pandehuri të lirohet në sallën e gjyqit, duke e cilësuar arrestimin e tij si të paligjshëm, avokati mbrojtës deklaron se do të kërkojë dëmshpërblim për dëmtim të imazhit të klientit. “Kjo po kthehet në praktikë dhe ka mundësi që klienti të bëjë padi për dem moral”, - u shpreh për mediat avokati Përparim Rama.
Njoftimi
Në njoftimin zyrtar të policisë së Tiranës të dhënat personale të Elezit u shpërndanë për mediat, menjëherë sapo ai u prangos. Në të thuhet se Ajet Ruzi, 63 vjeç lindur në Berat dhe banues në Tiranë, ishte shpallur në kërkim policor pasi dyshohet për mashtrim të kryer në bashkëpunim, dhe se prokuroria e Kavajës kishte nxjerre urdhër ndalimi për të. Të nesërmen e arrestimit të tij duke ju referuar njoftmit të policisë, shtypi foli për 63 -vjeçarin se ishte arrestuar për mashtrim me tokat në Durrës, në një kohë që Gjykata gjatë masës së sigurisë e vlerësoi prangosjen të paligjshme.
14 Prill 2009