Eagle Mobile tarifa më ulëta për institucionet publike
Kompania e telefonisë celulare në Shqipëri, Eagle Mobile, do t’u ofrojë institucioneve publike shërbimet e saj me tarifa të veçanta. Kjo u mundësua falë një marrëveshjeje që u nënshkrua në Ministrinë e Transporteve nga Ministri Sokol Olldashi dhe Drejtori i Përgjithshëm i Eagle Mobile, Ali Taskin. Me këtë marrëveshje, Eagle Mobile do të ofrojë shërbimet e telefonisë celulare për 8 dikastere ministrore. Rreth 70 000 punonjës të administratës publike do të përfitojnë nga tarifat dhe shërbimet e Eagle Mobile. “Kemi negociuar gjatë dhe arritëm në rezultatin konkret. Punonjësit e administratës publike do të përfitojnë nga këto tarifa. Kjo do të jetë me përfitim të dyfishtë, së pari do të ulë shpenzimet operative për atë kontingjent nëpunësish, të cilëve shteti i paguan pjesërisht apo plotësisht shpenzimet telefonike dhe do të jetë dhe në përfitim të vetë zyrtarëve që do të marrin ketë vendim se do të paguajnë shumë më pak dhe në ketë mënyrë shërbimi bëhet më i lire”, - u shpreh Ministri Sokol Olldashi. Ai falënderoi stafin teknik të Ministrisë dhe atë të Eagle Mobile për mundësimin e kësaj marrëveshjeje. Drejtori i Përgjithshëm i Eagle Mobile, Ali Taskin falënderoi qeverinë shqiptare dhe në veçanti Ministrinë e Transportit dhe Telekomunikacionit për mbështetjen që i kanë dhënë procesit të konkurrencës në telefoninë e lëvizshme shqiptare. Kompania Eagle Mobile doli fituese e procedurës konkurruese të zhvilluar mes tre kompanitë celulare që operojnë në vendin tonë për ofrimin e këtij shërbimi për punonjësit e administratës publike. Pas zhvillimit të negociatave me kompaninë fituese Eagle Mobile sh.a., MPPTT-ja hartoi marrëveshjen për ofrimin e shërbimit telefonik. Sipas kësaj marrëveshjeje e gjithë administrata do konsiderohet si një grup dhe tarifat brenda grupit do jenë 5 lekë/min. Kontrata është përcaktuar të jetë me një afat kohor një vjeçar. Eagle mbështet kompaninë Albtelecom në projektin e internetit në shkolla. “Eagle Mobile solli konkurrencën në tregun shqiptar të telekomunikacionit dhe do të vazhdojë në këtë rrugë. Së fundi Eagle Mobile mbështet kompaninë Albtelecom në projektin e saj për internet në të gjithë shkollat shqiptare. Eagle Mobile do të çojë internetin në 1600 shkolla në të gjithë vendin”- theksoi Drejtori i Përgjithshëm i Eagle Mobile. Ai prezantoi kartat e reja rimbushëse Eagle Mobile, të cilat mbajnë përsipër imazhe nga zona të ndryshme të Shqipërisë.
14 Prill 2009